Mira Meksi: Pse duhet sakrifikuar zemra

Mira_meksi_pa-zemer-ne-kraharor

Heroina e novelës “Pa zemër në kraharor” e Mira Meksit është një piktore 30-vjeçare. Ngjyrat, me të cilën pikturohet gjithçka në librin e shkrimtares, janë ato të hirit të padashurisë, të mungesës së dashurisë së vërtetë. Në një intervistë për meidat shkrimtarja dhe përthyesja Mira Meksi rrëfen, se përse ka zgjedhur si heroinë të kësaj novele, një piktore, e cila pasi përjeton një dashuri të madhe, zhgënjehet, tradhtohet dhe kthehet në mohuesen më të flaktë të dashurisë.

Sipas shkrimtares, piktorja është produkt i kësaj epoke. Ajo bëhet cinike edhe ndaj vdekjes të së motrës, së cilës i ka “rrëmbyer” të fejuarin. Gjithçka ndryshon kur piktorja shijon dashurin e pavdekshme të Aura-s, (novela e Carlos Fuentes), në Festën e të Vdekurve në Meksikë, duke njohur një dashuri që i blatohet Erosit të aztekëve të lashtë. Përveçse përkthyese, Mira Meksi është autore e “Frosina e Janinës”, “Porfida Ballo në Versailles”, “E kuqja e demave”, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” etj.

Zonja Meksi, riktheheni me një novelë të re në kujtim të Carlos Fuentes-it, shkrimtarit të madh meksikan. Përse pikërisht ky shkrimtar dhe novela e tij “Aura” e botuar në shqip në fillim të viteve ‘90?

Teatri kryesor i ngjarjeve të “Pa zemër në kraharor” është kryeqyteti i Meksikës, në një ditë shumë të veçantë, sa mistike aq edhe tradicionale, në Ditën e të Vdekurve. E kam përjetuar këtë ditë magjike ku të gjithë shpirtrat mblidhen në sofrën e festës. Kishte vetëm pak kohë që shkrimtari i madh kishte ndërruar jetë, por atë ditë shpirti i tij ndodhej me festarët. Këtë ndjeva kur pashë altarët me qirinj ngjyrë vjollcë që kishin portretin e tij.

“Aura” është një nga kryeveprat e Fuentes-it dhe simboli i dashurisë, që shkon përtej vdekjes. Heroina e novelës sime, piktorja e re, gjendet në mes të Festës së të Vdekurve, në mes të një magjizmi të lulëzuar ku gjithçka mund të ndodh, e veshur me fustanin prej taftaje të blertë si të Aurës, me sytë e blertë të Aurës, një mishërim i Aurës, dhe e përndjekur nga një dashuri e pavdekshme.

Te “Pa zemër në kraharor” dashuria trajtohet si thelb i qenësishëm në jetën e njeriut. Jeni shprehur se nëse do t’ju jepej mundësia do të shkruanit papushim për dashurinë.  Madje ju kanë quajtur dhe shkrimtare e dashurisë…

Ndonëse ngjyra me të cilën pikturohet gjithçka në këtë novelë është ngjyra e hirit të padashurisë, e mungesës së dashurisë së vërtetë, njëlloj siç është ngjyra dominuese e tërë epokës sonë në këtë drejtim, ajo që spikat fuqishëm në sfond, si gjëja më e rëndësishme e shpirtit njerëzor është dashuria e vërtetë. Ndonëse në këtë novelë ajo shfaqet vetëm në formën e një shpirti. Tërë vepra ime është e shënjuar nga dashuria, sepse është ndjenja së cilës unë i besoj. Madje vetëm asaj i besoj. Jo vetëm dashurisë burrë-grua, por të gjitha formave në të cilat ajo shfaqet.

 “E dua motrën time dhe as nëpër mend nuk më shkon që t’i thyej zemrën. Edhe po të më duhet të mohoj veten time. S’ka për të më ndodhur kurrë. Porse ndodhi”, – thotë heroina e novelës, e cila është dhe rrëfimtarja e ngjarjeve. Tradhtia pason veprimet e saj paskëtaj dhe e motra vret veten. Duket sikur vdekja e së motrës nuk e prek shpirtërisht heroinën e novelës. Fjalët e saj janë: “Një tjetër viktimë zemre”…

Piktorja që kishte jetuar për një dashuri të madhe, zhgënjehet, tradhtohet prej saj dhe kthehet në mohuesen më të flaktë të dashurisë. Nga e tradhtuar kthehet në një tradhtare zemrash që nuk ndalet përpara asgjëje. Shndërrohet në një gjuetare seksi. Perëndia Eros e merr nën sqetull për t’i zbuluar misteret e dashurisë mërshore, fizike. Ajo i falet veç Erosit. Në këtë jetë të re që i është diktuar prej vetë kohës që jeton, – një kohë edhe një shoqëri e karakterizuar nga mungesa e dashurisë së vërtetë dhe hyjnizimit të seksit, – piktorja, produkt i denjë i kësaj epoke, arrin gjer aty sa të tregohet cinike ndaj vdekjes së të motrës, pasi i ka rrëmbyer të fejuarin. Për të tanimë zemra është një send i kotë dhe i pavlerë, e cila bën veç viktima dhe si e tillë duhet sakrifikuar.

E tërë atmosfera e novelës është fantastike, e mbushur me magji, me aromëra dhe shije ekzotike, me mistikë dhe legjenda. Përshkrimi i Teotihuacan-it, qytetit të Zotave është i jashtëzakonshëm. Perëndia Gjarpri me Pendë është halucinant. Po përse piktorja vendos pikërisht ta sakrifikojë përfundimisht zemrën e saj në Teotihuacan? 

Ky është edhe akti final i saj në rrugën e shndërrimit në rishtaren apo priftëreshën e Erosit. Akti i çlirimit përfundimtar dhe të epërm nga zemra. Një akti i tillë, i cili nënkupton sakrifikimin ritual të zemrës, si një blatim ndaj Zotave, mund të bëhet veç në Teotihuacan, në tempullin e Erosit parak të njerëzimit, Erosit të aztekëve të lashtë, Gjarprit me Pendë, “i cili është lidhja e tokës me qiellin, e zjarrit me ajrin, është bashkimi i të gjithë elementëve në kundërshti me njeri-tjetrin, është vdekja dhe ringjallja në përjetësi, është Zoti i Zotave.”

Më sipër thatë se, piktorja e novelës suaj përndiqet nga dashuria e pavdekshme e Aura-s së Fuentes-it, e cila mishërohet tek ajo Natën e të Vdekurve në Ciudad de Mexico. Ajo provon shijen e kësaj dashurie. Po përse i duhet të vazhdojë në rrugën e sakrifikimit të zemrës, përse i duhet të heq dorë nga një dashuri e tillë e madhe?

Po, piktorja molepset nga dashuria e pavdekshme e Aura-s dhe e shijon ato çaste magjike kur ndodhet në Festën e të Vdekurve. Dashurohet me një shpirt. Akti i saj final, sakrifikimi i zemrës ndaj Zotit të Zotave, është edhe rruga e ringjalljes në dashuri, e kthimit në një shpirt. Në libër, simbolika e ekzistencës së një dashurie të madhe vetëm në botën e shpirtrave, denoncon mungesën e dashurisë së vërtetë në botën e të gjallëve.

Shpesh ngjarjet e veprave tuaja nuk janë të vendosura në Shqipëri. Përse ndodh kjo?

Subjektet dhe personazhet e veprës sime lidhen të gjithë me Shqipërinë, pa dyshim, ndërsa bota e tyre është kudo. Letërsia nuk ka kufij gjeografikë.

Dhe së fundmi, pas novelës “Pa zemër në kraharor”,  çfarë do të ketë në duar lexuesi?

Këto ditë lexuesi do të marrë në dorë një tjetër novelë të botuar nga “Onufri”, “Vrasje në Venecia. Është një novelë policeske me një sfond legjende.

Bisedoi Valeria Dedaj

Marrë nga Shekulli

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *