Një britmë natën – tregim

vdekja-dashuria

Tregim

Nga Grazia Deledda

Tre pleq, mosha e të cilëve apo ndoshta edhe zakoni i të ndenjurit së bashku u ka dhënë një ngjashmëri të tillë, sikur të ishin vëllezër, rrinë gjithë ditën të ulur dhe kur  është kohë e mirë, edhe gjatë mbrëmjes, në një stol të mbështetur tek muri i një shtëpie në Nuoro.

Të tre, me bastunin ndërmjet këmbëve, herë pas here hapin ndonjë vrimë të vogël në tokë ku varrosin ndonjë milingonë apo ndonjë insekt ose për të pështyrë aty, ose shohin diellin për të gjetur se sa është ora. Dhe qeshin e bisedojnë me djemtë e rrugës, të cilët nuk janë më pak të qetë dhe të pafajshëm se ata vetë.

Ndërsa përreth, paqja e përgjumur e fshatit Sant’Usula, guvat prej guri të fshatarëve dhe të barinjve nuorezë; degët e ndonjë peme fiku dalin mbi muret e oborreve dhe nëse fryn erë, gjethet përplasen me njëra-tjetrën sikur të ishin prej metali. Tek kthesa e rrugës shfaqet Mali Orthobene, ashtu gri dhe i gjelbër ndërmjet dy krahëve të kaltër të maleve të Olienës dhe të maleve të Lulës.

Qëkur isha i vogël, aty i mbaj mend të tre pleqtë, njësoj janë edhe tani, të pastër dhe topolakë, me fytyrën në ngjyrën e ndryshkut, të rreshkur nga rrjedha e viteve, me flokët dhe mjekrën në një të bardhë të praruar dhe me sytë e zinj ende gjithë dritë, si ato perlat paksa të veshura me avull e të mbrojtura nga qepallat e gurta si guaska.

Një nga shërbyeset tona shkonte shpesh, gjatë viteve të thatësirës, për të mbushur ujë në një pus aty pranë; unë e ndiqja nga pas dhe ndërsa ajo bisedonte me njerëz të ndryshëm, ashtu si Samaritana (1)  unë ndalesha për të dëgjuar tregimet e tre pleqve. Djemtë përreth, kush i ulur përtokë, kush i mbështetur në mur, hidhnin guralecë duke marrë nishan mirë kalimtarët, por njëkohësisht edhe dëgjonin. Pleqtë nisnin e tregonin më shumë për veten e tyre sesa për djemtë: njëri ishte tragjik, tjetri komik, kurse i treti, xha Tanedu, më pëlqente më shumë sepse në historitë e tij tragjikja përzihej me komiken dhe ndoshta qysh atëherë unë po kuptoja që dhe jeta e tillë ishte, pak e kuqe dhe pak e kaltër, si ai qielli gjatë perëndimeve të gjata të verës kur shërbyesja mbushte ujë tek pusi dhe xha Tanedu, xha Jubane dhe xha Predumaria tregonin ngjarje të ndryshme të cilat atëherë më pëlqenin shumë, sepse nuk i kuptoja mirë, ndërsa sot më pëlqejnë po aq shumë ngaqë i kuptoj thellë.

Ndërmjet të tjerave, mbaj mend këtë, të treguar nga xha Tanedu:

“Mirë pra, zogjtë e mi të vegjël, tani do t’u tregoj për gruan time të parë Franciska Portolu; ti e ke njohur, apo jo, Juba, ishit kushërinj të dytë. Ishte një grua guximtare dhe e mirë, por kishte ca fiksime të çuditshme. Ajo ishte gati pesëdhjetë vjeçe, kur u martua me mua, por ishte e gjatë dhe e fortë si një ushtar; kalëronte pa shalë dhe nëse shihte ndonjë gjarpër apo ndonjë merimangë të madhe, ishin këto të fundit që kishin frikë nga ajo. Që e vogël ishte mësuar të bridhte e vetme fushave: shkonte tek ullinjtë e të atit në mal dhe,

grua nga Samaria të cilën Jezusi e takoi dhe e ktheu në të krishterë, pranë pusit të Sikarit.

Nëse ishte e nevojshme, ruante bagëtinë dhe e kalonte natën jashtë. Megjithatë, ajo ishte e bukur si një engjëll: flokët e gjatë si valë deti dhe sytë të shndritshëm si dielli. Edhe gruaja ime e dytë, Maria Barka, ishte e bukur, ti Predumari e mban mend, e kishe kushëri, por jo si Franciska. Ah, si Franciska unë s’kam njohur më ndonjë grua tjetër: I kishte të gjitha, shkathtësinë, forcën, shëndetin, ishte e aftë për çdo gjë, kuptonte gjithçka; as zukatja e mizës s’i shpëtonte pa e dëgjuar. Ishte dhe e qeshur, o vëllezër; unë kalova me të pesë vjet të një lumturie të tillë, që s’e kisha provuar as kur isha fëmijë.

Ndodhte të më zgjonte kur ylli i mëngjesit ishte ende pranë malit dhe më thoshte: “Çohu, Tane, shkojmë në Gonare, ku po bëhet festë, apo në San Francesko ose më larg akoma, gjer në San Xhovani të Morës”.

“Dhe menjëherë brofte nga shtrati, përgatiste torbën, i jepte për të ngrënë pelës dhe niseshim gjithë hare si dy zogj kur fluturojnë nga pema, sapo gjeli të niste të këndonte. Eh, në sa festa kemi qenë. Ajo s’kishte frikë të përshkonte natën pyjet dhe vendet e pakalueshme; edhe gjatë asaj kohe, ju e mbani mend, o vëllezër, në Sardenjë kishte ende ujqër me dy këmbë, por ndonjë nga këta banditë unë i njihja si fytyrë, apo dikujt tjetër i kisha bërë ndonjë nder, pra frikë nuk kishim.

“Franciska, në fakt, kishte diçka që mund të quhej gati një e metë: s’trembej nga askush, ishte e kujdesshme, por indiferente ndaj gjithçkaje. Ajo thoshte shpesh: “Kam parë kaq shumë në jetë, saqë asgjë s’më bën më përshtypje, edhe sikur të shihja duke vdekur njeri, nuk do të trembesha”. Dhe s’ishte kurioze si gratë e tjera: nëse në rrugë ndodhte ndonjë grindje, ajo nuk hapte as derën. Kështu, një natë ajo po më priste, ndërsa unë po vonohesha sepse kali më kishte ikur nga bashtina dhe m’u desh të kthehesha në këmbë. Franciska priste, e ulur pranë zjarrit sepse ishte një natë fund vjeshte, binte borë dhe bënte shumë ftohtë. Papritur, më tregoi ajo më pas, një britmë e tmerrshme çau qiellin e natës, pikërisht nga mbrapa shtëpisë sonë, një britmë aq e dëshpëruar dhe e fortë sa muret u dukën sikur u drodhën nga frika. E megjithatë, ajo s’luajti vendit, më pas më tha se s’ishte trembur, kishte kujtuar se mos ishte ndonjë i dehur, kishte dëgjuar një njeri që vraponte, disa dritare që hapeshin, ndonjë zë që pyeste “ç’ka ndodhur” dhe asgjë tjetër më.

“Unë u ktheva në shtëpi pak më vonë. Franciska aty për aty nuk më tha gjë. Të nesërmen prapa murit të oborrit tonë u gjend i vrarë një djalosh, që ishte gati një fëmijë, Angelu Pinsa, dhe nga kjo vrasje edhe unë pata ca telashe sepse siç ju thashë, kufoma e djaloshit fatkeq u gjet pranë shtëpisë sonë, e mbaj mend mirë, në mes të një pellgu me gjak të mpiksur që i ngjante një mbulese të kuqe. Por, më pas asgjë e saktë s’u mor vesh, megjithëse shumë njerëz mendojnë se Angelu kishte marrëdhënie me një fqinjën tonë dhe se ishin prindërit e vajzës që e vranë atë mbas një takimi.

Mjaft më, kjo nuk na duhet, ajo që na intereson është fakti se ekspertiza sqaroi se djaloshi kishte vdekur për shkak të hemoragjisë dhe se po të ishte ndihmuar në kohë, duke ia lidhur plagën, do të kishte shpëtuar.

“Kështu pra, o vëllezër, kjo ngjarje e tmerrshme, ma shkatërroi qetësinë time. Gruaja ime u bë e trishtuar, u dobësua, e dukej si tjetër njeri, sikur t’i kishin bërë magji dhe ditë e natë përsëriste: “Po të kisha dalë për të parë dhe t’i isha përgjigjur asaj thirrjeje (britma u dëgjua prapa oborrit tonë), djali do të kishte shpëtuar…”.

“Po, po, u bë tjetër njeri: mbaruan festat, mbaroi hareja, ajo shihte në ëndërr të vdekurin dhe natën dëgjonte britma të dëshpëruara dhe vraponte jashtë dhe kërkonte duke u dridhur e tëra. Më kot unë i thoja: “Franciska, më dëgjo mua: bërtita unë atë natë për të provuar nëse do të trembeshe. Një rastësi e keqe deshi që po atë natë të ndodhte edhe krimi; por djaloshi nuk bërtiti dhe ty s’ka përse të të vrasë ndërgjegja”.

“Por asaj i ishte fiksuar në tru kjo ide dhe sa vinte e tretej edhe pse, për të më bërë qejfin, shtirej sikur u besonte fjalëve të mia dhe nuk e zuri më në gojë të vdekurin. Kështu kaloi një vit; isha unë tani që e nxisja për të shkuar nëpër festa dhe për ta argëtuar.

Njëherë, rreth dy vjet pas britmës së asaj nate, e çova në festën e Shën Kozmait dhe Shën Damianusit, ku disa miq tanë na kishin ftuar të kalonim disa ditë së bashku. Mbrëmjen e festës gjendeshim të gjithë tek sheshi përpara kishës. Ishte fundi i shtatorit, por dukej si verë, hëna ndriçonte pyjet dhe malet dhe njerëzia kërcenin dhe këndonin rreth zjarreve të ndezur enkas.

Në çast gruaja ime u zhduk dhe unë mendova se do të kishte shkuar të shtrihej, por më pas e pashë tek dilte me vrap nga kisha e trembur si një sonambul që është zgjuar gjatë ndonjë ekskursioni të saj natën. “Franciska, zemra ime, ç’ka ndodhur?”.

Ajo dridhej mbështetur në gjoksin tim dhe e kthente kokën prapa, duke shikuar për nga dera e kishës. “Vetëm pasi e futa në kasolle dhe e shtriva me kujdes mbi shtroje, ajo më tregoi se kishte hyrë në kishë për t’u lutur për shpirtin e të gjorit Angelu Pina, kur papritur, pasi dolën nga kisha disa gra nga Mamojada, u gjend e vetme e gjunjëzuar tek shkallët që ndodheshin poshtë altarit. “Mbeta vetëm”, tregonte ajo me zërin që i dridhej, duke u kapur mbas meje porsi  një fëmijë i trembur. “Vazhdoja të lutesha, kur befas dëgjova një fëshfërimë si ajo e erës dhe një zhurmë hapash. U ktheva, dhe në atë gjysmë errësirë, m’u në mes të kishës, pashë disa njerëz, që të bërë rreth, kërcenin të kapur përdore, pa kënduar dhe pa bërë zhurmë; ishin gati të veshur të gjithë me kostum, burra e gra, por ishin pa kokë. Ishin të vdekurit, o burri im i dashur, të vdekurit që kërcenin. U ngrita për t’ia mbathur, por më futën në mes tyre; dy duar të thata dhe të ftohta shtrënguan duart e mija… dhe mua m’u desh të kërceja, o burri im, të kërceja me ta. Më kot lutesha dhe mërmëritja:

Shën Kozma o mbrojtësi ynë

Më hiq nga ky vend…

Ndërsa ata vazhdonin të më tërhiqnin pas vetes, kështu që unë vazhdoja të kërceja. Papritur, në të djathtën time u përkul mbi mua dhe megjithëse ishte pa kokë, unë i dëgjova qartë këto fjalë:

“E shikon, Franci? Edhe ti nuk iu përgjigje britmës sime!”.

“Ishte ai, o burri im, ai djali fatzi. Që nga ai çast nuk e pashë më. Erdhi ora, mendova, që do të më çojnë në ferr. Është e drejtë, është e drejtë, mendova, sepse unë jetoja pa ndjerë dashuri për të tjerët dhe nuk ia vura veshin britmës së atij që po vdiste. E megjithkëtë ndjeja një fuqi të jashtëzakonshme; kështu, ndërsa vazhdonim të kërcenim, kur një çast iu afruam derës, unë munda t’i shkëputem duarve të dy fantazmave dhe ia mbatha; por Angelu Pine më ndoqi nga pas gjer tek dera dhe deshi të më kapte përsëri: mirëpo ai nuk mund ta kalonte pragun e derës, ndërsa unë e kisha kapërcyer tashmë. Kindi i tunikës time i mbeti në dorë, për t’i shpëtuar unë e shkopsita tunikën, ia lashë në dorë dhe ia mbatha. O burri im i dashur, unë po vdes… po vdes… Kur të kem vdekur, mos harro të kremtosh tri mesha për mua dhe tri mesha të tjera për Angelu Pinën e gjorë…  Dhe shko e shiko se mos gjen tunikën time, përpara se të vdekurit të ma kenë katandisur në lesh të lënuar.

“Po, o zogj të vegjël”, e mbylli rrëfimin xha Tanedu “gruaja ime ra në kllapi, kishte temperaturë të lartë dhe s’e ngriti më kokën gjersa vdiq. Pas disa muajsh, e bindur se kishte kërcyer me të vdekurit, siç dhe dëgjojmë të thuhet rrotull; dhe , gjë e çuditshme ishte, se një bari gjeti përpara derës së Shën Kozmait një dëng leshi të lënuar dhe shumë besojnë ende se ai ishte leshi i tunikës së gruas sime, e katandisur ashtu nga të vdekurit.

“Po, o djemtë e mij, që tani po më vështroni me ca sy që i ngjajnë fenerëve të ndezur, kështu ka ndodhur, dhe më e habitshmja është se, po, po, do t’jua them, atë britmë e lëshova unë atë natë, për të parë nëse gruaja ime ishte në të vërtetë aq indiferente sa thoshte. Kur ajo vdiq, unë kremtova meshat, por edhe unë vet mendoja: sikur të mos kisha bërtitur atë natë të mallkuar, gruaja ime s’kishte për të vdekur. Dhe mallkoja veten, të zëntë haku i saj, t’i nxjerrshin sytë korbat dhe t’i hëngërshin si dy kokrra rrushi, thefsh qafën, Sebastino Pintore, ti e vdiqe tët shoqe…

Por, pastaj kaloi gjithçka: mos duhet të vdisja edhe unë. Hë, o vëllezërit e mi, djemtë e mi, dhe ti o Grasied Ele, o sy xixëllonjë, ç’thoni? S’isha ndonjë grua zemërpulë unë dhe nga ana tjetër, sigurisht që një ditë do të vdes dhe unë, por kur Zoti ynë i madh të urdhërojë…”

Përktheu nga origjinali: Alban Bobrati (Marrë nga Fjalareview)

Nobelistja italiane Grazia Deledda është e njohur për lexuesin në Shqipëri edhe me romanin e hedhur së fundi në qarkullim “Kallamishte në erë”, botim nga Living.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *