Vetëvrasja – Tregim

gazmend-krasniqi_bukinist

GAZMEND KRASNIQI

 

Kjo histori është rrëfyer nga dy njerëz të ndryshëm të cilët i bashkonte të qenit nga e njëjta krahinë e thellë malore, ku ka ndodhur ngjarja, dhe i ndante përvoja jetësore: njëri qe tridhjetëvjeçar, kurse tjetri gjashtëdhjetë.

Së pari historia u tregua nga tridhjetëvjeçari, pastaj (megjithëse unë nuk kisha ndonjë dyshim në fjalët e tij), si të doja të sigurohesha deri në fund për vërtetësinë e ngjarjes, i dhashë liri kureshtjes, prandaj ajo u rrëfye së dyti nga gjashtëdhjetëvjeçari. Më vonë u binda se kisha vepruar me mend, sepse dy rrëfimet jo vetëm që vërtetuan njëra-tjetrën, por pasuruan vetë historinë: kjo erdhi nga fakti i sipërpërmendur se dy rrëfyesit qenë njerëz me përvoja të ndryshme jetësore. (S’di sa ka vlerë të theksoj se më i vjetri e ka kapur qytetin diçka më herët, kurse më i riu u takon ardhjeve të rrëmujshme gjatë lëvizjes së lirë të popullsisë, të cilat, përgjithësisht, janë shoqëruar edhe me mendime jo të mira për to, megjithatë fati e ka sjellë që të dy të përfundojnë si miq të mi.)

Tridhjetëvjeçari e përmendi këtë histori shkarazi (tashti nuk më kujtohet se si erdhi fjala aty, sepse kemi shkëmbyer me njëri-tjetrin histori nga më të ndryshmet, sidomos për njerëzit e ngujuar maleve, ku unë, i prekur prej damari poetik me sa duket, kërkoja shqiptarin e paprekur nga qytetërimi), prandaj nuk tha emra, kurse gjashtëdhjetëvjeçari u kujtua për to: historia, tha, i ka ndodhur Bal Tonës, një trimi që përmendet te Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës. Sipas tij, thuhej se ky burrë në jetën e tij kishte vrarë nëntë vetë.

I intriguar prej vetë historisë, nuk e pyeta se kë e si, pasi ai detaj ishte i mjaftueshëm për të kuptuar se kishim të bënim me një trim të çartur, që nuk i dilet lehtë përpara, për asnjë arsye. Në shtëpinë e këtij burri (për arsyen e sipërpërmendur nuk mund të mos e përfytyroj atë një tip të sertë) fillon historia: dikush bujti një natë atje. Sipas zakonit, kur ka një bujtës, i zoti i shtëpisë e sakrifikon fjetjen me gruan e vet: një gjë e tillë na tregon se Bal Tona qe një burrë zakoni, sepse atë natë e zbatoi këtë rregull pikë për pikë. I doli gjumi natën dhe për një çast deshi të dijë nëse po flinte mirë miku, por pa se atje përtej vatrës mungonte bujtësi i asaj nate. Meqë koha po kalonte e miku s’po dukej, Bal Tona u ngrit ndenjur, ndezi një duhan (këtë e tha tridhjetëvjeçari) dhe priti, por pa asnjë hije dyshimi (këtë e tha gjashtëdhjetëvjeçari): njerëzit kanë edhe nevoja vetjake. Dikur, me merak për mikun, është ngritur nga vendi (këtë e thanë të dy).

Asnjëri nga rrëfyesit nuk dha ndonjë shpjegim pse e tradhtuan Bal Tonën e shoqja dhe bujtësi i asaj nate: më duket se ata i dhanë kësaj ngjarjeje gjykimin e një tradhtie të rëndomtë. Bal Tona nuk e nisi gruan tradhtare, megjithëse (këtë e tha gjashtëdhjetëvjeçari), për një burrë të asaj kohe, ndarja për çështje nderi ishte një nga të drejtat e vetme, çka do të thotë, po sipas gjashtëdhjetëvjeçarit, se divorcet e pakta nuk vinin vetëm nga kisha, por edhe nga disa zakone më të lashta e të ngulitura thellë tek njerëzit e ngujuar të maleve. Tek të dy rrëfyesit ka diçka që përkon pikë për pikë: bujtësit besëprerës Bal Tona i tha se, nëse nuk do ta vriste veten, as ai nuk do ta vriste. Unë besoj se kjo duhet marrë si diçka më tepër se sa mosvrasja e dikujt që të ka shkelur në shtëpi (ndoshta këtë mendim ma kanë nxitur më tepër fjalët e gjashtëdhjetëvjeçarit, i cili gjithmonë përpiqej t’i lidhte faktet me zakonet, por nuk e kujtoj dot se si ka ardhur kjo, sepse mjaft gjëra të kësaj historie i bluaj edhe sot e kësaj dite, duke menduar se ndoshta dikur mund ta rishkruaj atë): për këtë më siguron ajo që ndodhi më pas, pra, besëprerësin nuk do ta cenonte njeri as për shtatë vjetët që pasuan.

Shtatëvjetëshin e përmendi gjashtëdhjetëvjeçari. Gjithë këto vite Bal Tona jetoi me të njëjtën grua, çka tregon se ruajtja prej tij e të fshehtës së asaj nate nuk ka të bëjë aspak me burracakërinë, por me diçka tepër të thellë, dramës së rëndë të së cilës i ka dalë për zot me vetëdije të plotë, edhe pse, siç u tha më sipër, karta e nderit atë si burrë e nxirrte të palagur. Duhej të kalonin këto shtatë vjet që bujtësi i dikurshëm ta shijonte për herë të parë para të tjerëve ndjenjën e vjetër të triumfit. Po punonte në fushë (në fushën e pakët me misër) me disa burra të tjerë, kur disa të rinj (siç ndodh shpesh në një shoqëri meshkujsh) filluan të ngacmohen me histori femrash.

Pas shumë e shumë historish të tilla, bujtësi i dikurshëm nuk i ka qëndruar tundimit të fortë: dhe me të vërtetë i ka ngrirë të tjerët kur ka treguar historinë me gruan e Bal Tonës. Për ta bërë historinë sa më të besueshme, para habisë të bashkëbiseduesve ka përsëritur me naivitet edhe fjalët që i pat thënë burri besëprerë: se nëse nuk do ta vriste veten, as ai nuk do ta vriste.

Edhe nëse nuk e ka ditur më parë kuptimin e këtyre fjalëve, mëngjesi i nesërm ia ka bërë të qartë gjithçka: atë çast kur arma e Bal Tonës po ia mbushte gjoksin me plumba.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *