“Gërdeci” dhe kontrabanda e municioneve bëhet film “Qentë e luftës

armet-cunat

Pas 8 vjetësh nga skandali amerikan i municioneve që shpërtheu në Gërdec, dhe vetëm 5 vjet pasi doli libri “Armët dhe çunat” i Guy Lawson për katër narkomanët që fituan tenderin 300 milionë dollarë në Pentagon, shfaqet filmi rreth kësaj historie të bujshme: Që nga data 19 gusht në kinematë amerikane po jepet filmi “War Dogs” ku yjet e tij janë Jonah Hill dhe Miles Teller, të cilët luajnë përkatësisht Efraim Diveroli-n dhe David Packouz-in, dy miq fëmijërie, të cilët vendosën të shfrytëzojnë një mundësi pak të njohur, ku qeveria u lejonte ndërmarrjeve të vogla të bënin oferta për kontrata ushtarake me Shtetet e Bashkuara për të mbështetur ushtrinë Afgane në 2007-ën. Historia e Diveroli-t dhe Packouzit ishte e gjitha e ndërtuar në mënyrë kaotike. Miqtë në jetën e vërtetë takohen në sinagogun e tyre ortodoks në Miami. Miqësia e tyre, thuajse e menjëhershme, do të ndërpritej kur Diveroli do të përjashtohej nga shkolla e mesme dhe do të shkonte të punonte në Los Angeles në një biznes familjar, që përfshinte tregtinë e armëve.

Regjisori i filmit Phillips dhe bashkautorët Stephen Chin dhe Jason Smilovic ndryshuan shumë prej detajeve nga libri dhe historia e vërtetë. Phillips përshkruan duke iu përmbajtur sloganit “asnjëherë mos i lër faktet të ecin në rrugën e së vërtetës”, dhe ai vlerëson lirinë që u ofrohet subjekteve të tij anonimë. Si Efraimi, Hill është një personazh shumë i drejtpërdrejtë. Ai është një kameleon, që merr identitete false për të bërë për vete personin që është në anën tjetër të telefonit. Në një skenë ai është një i krishterë i devotshëm dhe në tjetrën ai bëhet filozofik. Shprehia e gëzimit të tij bëhet e fuqishme, kur lekët gjenden mbi tavolinë dhe nga mundësitë që i mbushin xhepat e tij. Megjithatë ai është elektrizues për sa i përket kokëfortësisë së tij.

Më poshtë gjeni pjesë nga filmi: “Armët dhe çunat”, nga kapitulli “Gërdeci” me autor Guw Lawson.

Konkurrentët e tjerë do të qëndronin mbi shifrën 5 milionë dollarë, aq më shumë po të futje në llogari edhe transportin ajror. Po të konkurronte me vlerën 4 milionë, do të fitonte me siguri. Për të qenë edhe më i sigurt e për të mos u treguar shumë lakmitar, vendosi të konkurronte me shifrën 3,5 milionë. Po ta fitonte kontratën, do t’i tepronin 2 milionë dollarë, shumë që e bënte t’i merreshin mendtë. “Këto qenë shumat që mund të fitoje në FedBizOpps, po të dije se ç’po bëje”, – tha më pas Packouz-i. Marifeti funksionoi. Packouz-i ishte në shtëpi, me vajzën në prehër, kur mori një imeil nga Ushtria, që i thoshte se dëshironin të bënin një kontroll paraprak mbi Dynacore-n; pasonte një listë me pyetje, për të cilat kërkonin përgjigje. Pavarësisht nga frika e Packouz-it, imeili nuk e përmendte AEY-në, municionin “kinez” të Shqipërisë ose hetimin federal për mashtrim lidhur me kontratën afgane. Për habinë e tij, zyrtarët e prokurimeve në Rok Ajlend të Ilinoisit nuk e bënin lidhjen ose nuk kishin një sistem kontrolli të kontraktuesve për të parë se mos një i tillë ishte subjekt i hetimeve për mashtrim. “Po fluturoja, – kujtonte Packouz-i. – Pas muajsh që kisha dështuar në konkurrime, kisha kapur një thelë të majme. Do të fitoja para të madhe, të cilat do të më mundësonin të konkurroja në kontrata më të mëdha për armatimet.

I kisha provuar vetes se nuk kisha nevojë për Diverolin, që të fitoja kontrata. Më dukej e pabesueshme se mund ta bëja një gjë të tillë vetë, së mund ta mposhtja Diverolin në lojën që kishte shpikur ai vetë. Madje edhe isha marrë vesh për financimin e kontratës me Wells Fargon, duke përdorur po atë mikun që kishte bërë marrëveshjen me Diverolin. Ai u tregua shumë i kënaqur të bënte biznes me mua. Kisha kapur një kontratë serioze e të ndërlikuar dhe do të më duhej të bashkërendoja gjithçka. Isha gati të shkoja në Kiev, që ta inspektoja mallin me sytë e mi. Isha i ngazëllyer.” Ndërsa Packouz-i po bënte përpara, Aleks Podrizki nuk kishte qenë me kaq shumë fat. Pasi qe kthyer në Majami, ishte regjistruar në kolegj për të studivar gjuhën arabe, por kishte mbetur me xhepat bosh e nuk kishte mundur të gjente ndonjë punë me kohë të pjesshme. Mbrëmjeve takohej shpesh me Packouz-in për të pirë një birrë së bashku e për të diskutuar situatën e tyre kundrejt ligjit. Që të dy qenë bërë me fiksime se mos qeveria po i mbante nën mbikëqyrje. Do të kishin dashur që qeveria të mos e shikonte çështjen sikur lidhej vetëm me paratë, por edhe si diçka të nevojshme për përmbushjen e kontratës. Ushtria i kishte pranuar fishekët pa asnjë ankesë për cilësinë e tyre. “Çështja kundër nesh ishte e pakuptimtë, por dukej se kjo nuk ngrinte peshë, – kujtonte Podrizki. – Davidi dhe unë qemë të një mendjeje se, po të na dënonin me më shumë se dy vjet burg, duhej të mendonim seriozisht për t’u arratisur. Davidi më kërkoi ndjesë, por unë i thashë se e kisha marrë vetë vendimin dhe s’kisha kë fajësoja tjetër veç vetes.

Më dukej se gabimi ynë më i madh nuk po trajtohej politikisht. Isha përpjekur t’i thosha Diverolit që të krijonte lidhje politike për të na mbrojtur, por ai nuk më kishte dëgjuar.” Çunat nuk e dinin, por çështja e AEY-së ishte absurde dhe me kleçkë edhe në një tjetër drejtim, dhe vetëm në atë drejtim, të korrupsionit, do të bëhej e rrezikshme. Në prill të vitit 2007, sapo kishte zbuluar se MEIKO po u shiste fishekë “kinezë”, Aleks Podrizki u kishte kërkuar shqiptarëve që t’u shisnin fishekë shqiptarë. I kishin thënë se qe e pamundur ta plotësonin gjithë sasinë e kontratës me fishekë shqiptarë, ngaqë ata qenë të shpërhapur në të gjithë vendin dhe do të ishte shumë e vështirë të silleshin në Tiranë. Podrizki kishte pasur dyshime të forta se po e gënjenin, dhe kishte pasur të drejtë. Ylli Pinari i MEIKO-s nuk donte t’i shiste fishekë shqiptarë AEY-së për një arsye të thjeshtë: po ia shiste ata dikujt tjetër. Gjatë gjithë vitit të kaluar, një kompani amerikane me emrin Southern Ammunition kishte çmontuar miliona fishekë AK47 të prodhimit shqiptar në një bazë të vogël ushtarake në skaj të fshatit. Gërdec. E gjithë çështja e furnizimeve “kineze” nga Shqipëria do të ishte shmangur, nëse Ylli Pinari do t’ia kishte shitur municionin shqiptar AEY-së për ta dërguar në Afganistan. Por shqiptarët nuk donin t’ia shisnin AEYsë, sepse fishekët shqiptarë kishin veshje bakri, kurse pjesa më e madhe e fishekëve “kinezë” kishin veshje çeliku. Po t’ia shisnin fishekët shqiptarë për skrap kompanisë Southern Ammunition, shqiptarët do të nxirrnin miliona dollarë fitime, para që do t’i humbisnin, po t’ia shisnin ata AEY-së.

Lakmia dhe Trebicka

Lakmia ishte e vërteta e hidhur që përbënte thelbin e botës së tregtisë së armatimeve. Lakmia e Efraim Diverolit e kishte bërë Kosta Trebickën armikun e tij për vdekje, tamam si lakmia e Henri Thomet-it kishte bërë që AEY-ja të blinte fishekë “kinezë”. Tani, lakmia e shqiptarëve që kishin prishur kontratën për 100 milionë fishekë vetëm që të fitonin pesëqind mijë dollarë më shumë, qe gati të sillte pasoja e andralla të tjera. Nga fundi i vitit 2007, puna e Southern Ammunition për çmontimin po i afrohej fundit, ngaqë fishekët AK-47 me veshje bakri po mbaronin. Por ministri i Mbrojtjes Mediu kishte të tjera plane lidhur me rezervat e mbetura të Shqipërisë. Duke kërkuar të shtrydhnin edhe dollarin e fundit nga rezervat e vendit, shqiptarët vendosën të çmontonin predhat e kalibrit të madh, që të përfitonin kështu gëzhojat e tyre prej bakri. Çmontimi i municioneve të kalibrit të madh kërkonte punë shumë të kualifikuar dhe shumë të ndryshme nga ajo për çmontimin e fishekëve AK-47. Për zbrazjen e lëndës shpërthyese nevojiteshin pajisje të sofistikuara. Duheshin zbatuar protokolle të rrepta, të mbikëqyrura nga specialistë. Duheshin respektuar edhe një varg i ndërlikuar traktatesh, ligjesh e praktikash ndërkombëtare.

Porosojte tani librin “Armët dhe çunat” te Bukinist.al

armet-cunat-ok

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *