Reflektim rreth librit “Principata e Arbrit, – shteti i parë i shqiptarëve” të Nikoll Lokës
Albert Gjoka
E tashmja është e vështirë që të shihet ndryshe veçse si produkt i zhvillimeve të kaluara historike. Por, kjo është gjysma e pamjes. Sa herë ndodhemi në krizë komunikimi apo identiteti, kur gjendemi përballë tjetërsimit të vetëdijes individuale dhe kolektive, shkaqet duhet t’i gjejmë tek historia apo tek mënyra sesi na e kanë ofruar historinë ne sot, apo sesi ne ua ofrojmë brezave pasardhës: Teksa reflektojmë mbi mënyrën sesi na ofrohet historia sot, konstatojmë tek-tuk neglizhenca apo politika jo-aq-efektive në njohjen dhe promovimin e vlerave dhe konstruktimin e të kaluarës historike.
Këtë vakuum e gjejmë më shumë se askund tjetër në arealin që dikur rrokte Arbërinë. Prej disa dekadash nuk i është kushtuar vëmendja e duhur në konturimin historik të asaj kohe, nëse e krahasojmë me areale të tjera; pra, me kërkime dhe ekspedita në të gjithë këtë trevë, e cila mban të fshehur jo vetëm historinë e vet, por edhe ashtin identintitar të shqiptarëve që gjallojnë sot.
Energjitë e studiuesve, kërkuesve dhe botës akademike janë investuar kryesisht në periudha apo tematika të tilla, pa eksploruar thellësisht gjenezën e shtetit të parë arbror, historinë e shtetformimit ndër shqiptarët dhe duke fragmentarizuar këtë traditë dhe këtë vijimësi të vetëdijes historike, e cila edhe sot e kësaj dite mbetet e gjallë në arealin e Arbërisë së dikurshme. Mesjeta është parë si “epokë e zezë” gjatë komunizmit dhe të tillë e shohin edhe sot jo pak studiues. Thënë ndryshe, janë të paktë ata që e dallin dritën e saj.
Në këtë epokë zë fill edhe historia shtetformuese arbnore. Përkundër saj, ndjen keqadhje sot kur shtohet kapsllëku ynë për të bërë shtet modern. Duke mos njohur historinë tonë, dhe aq më keq akoma, duke injoruar vlerat e brezave paraardhës, ne ecim përpara me të panjohura të mëdha, – dhe padyshim me rrisqe të mëdha.
Gjithësesi, përpjekjet individuale nuk kanë munguar edhe gjatë gjithë këtyre viteve, ashtu siç është edhe kjo e sotmja, e cila buron më së pari nga një vetëdije e thellë identitare e autorit Nikoll Loka.
Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur përpjekje të historishkrimit për rindërtimin e identiteteve dhe evidentimin e vlerave në treva të caktuara. Prandaj libri “Principata e Arbrit, – shteti i parë i shqiptarëve” vjen si produkti më serioz dhe më me baza shkencore në këtë taban. Po ashtu, ky botim iu ofrohet lexuesit edhe si sprovë individuale, si kërkim shkencor dhe historik, si përpunim i mendimit historik të disa prej tezave të historianëve dhe shkencëtarëve të spikatur shqiptarë dhe të huaj gjatë tre shekujve të fundit që nga Farlati, Shuflaj, Marin Sirdani, Jireçek, Injac Zamputi, Zef Mirdita, Kristo Frashëri, Aleksandër Meksi, Oliver Shmid, Kasem Biçoku, Pëllumb Xhufi, Etleva Lalaj, etj.
Ky libër është pjesë integrale e njohjes thelbësore e Arbërisë dhe përvetësimit të zejes së shkrimit të historisë nga autori, që nga botimet monografike për trevat apo personalitetet e Mirditës; e veçanërisht me monografinë për Imzot Nikoll Kaçorrin apo studimin “Kuvendi i Fanit, – pamundësia e një Piemonti shqiptar”. Ky i fundit, bashkë me librin “Principata e Arbërit…” komunikojnë me lexuesit edhe si nevojë urgjente për të ndryshuar disa paradigma historike që kemi mësuar ndër vite nga historia zyrtare, të cilat nuk iu referohen si duhet të dhënave dhe rrethanave historike.
Studimi i thelluar i Nikoll Lokës edhe në fushën e historisë së arsimit në Shqipëri gjatë mijëvjeçarit të fundit, i ka dhënë këtij libri një vlerë të shtuar, si dhe një përmasë të re komunikimi dhe reflektimi me lexuesin e sotëm. Po ashtu, njohja e thelluar e disa gjuhëve të huaja, apo studimi i disa disiplinave, janë garanci me tepër për këdo që kërkon të mësojë nga e kaluara që trajtojnë këto libra dhe sidomos, prurja më e fundit.
Pikërisht mbi këto kolona është ndërtuar edhe ky lexim i imi disi pasional i librit që po promovojmë sot.
Arbëria vjen si një realitet historik i mbijetuar, me plot sakrifica dhe shenjë identitare e pandërprerë. Padyshim që njësie shtetërore e kohës së Skënderbeut nuk mund ta kishte përmasën dhe shkëlqimin e saj, pa trashëgiminë e çmuar arbnore.
Përmasa moderne e shtetit, që me stemën, emblenën, organizimin ligjor dhe shoqëror, apo diplomacinë dhe bashkëpunimin me vende të tjera, – ia rrisin peshën kësaj periudhe, e cila zgjati shumë pak, por projektoi rrugën për 800 vjet me radhë.
Falë farës së ngjizur nga ky organizim shoqëror dhe shpirtëror, ne sot kemi të gjallë Kanunin e Lekë Dukagjinit si në monument i rrallë i konstitucionit ligjor dhe fuqisë për të sunduar e drejta. Po ashtu, kemi gjuhën e shkruar shqipe, tekstet që nga formula e Pagëzimit, Mesharin, etj., të cilat dolën pikërisht si produkt i këtyre zhvillimeve që pasuan pas krijimit të principatës së Arbnit. Mund të duken pak pretencioze këto që themi, por faktet të gjojnë tek ky shteg.
Misionet benediktine, françeskane dhe domenikane në trevat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut u bënë pjesë e realiteteve dhe shtuan tiparin identitar të këtyre trevave. Organizimi kishtar katolik qe i vetmi që e respektoi dhe vlerësoi këtë profil identitar, gjë që duket edhe në praninë e madhe të abacive, si njësi “quazi autonome” në këto zona. Këtu duhet kërkuar edhe përpjekja brenda/jashtë arealit për të mos e lejuar këtë identitet dhe organizim që të vazhdojë pandërprerë shtegtimin e tij. Misioni jo vetëm shpirtëror, por edhe edukativ dhe ndikimi ekonomik që patën këto misione, kalçifikuan realitetin arbnor.
Prania e kishave, abacive, bazilikave si qendra shpirtërore është dëshmi e asaj që ndodhet nën dhe mbi tokë në trevat arbnore me qendër trevën ku gjendet Mirdita e sotme. Padyshim, këtu duhet falenderuar veçmas studiuesi Ndue Dedaj. Në gjetjet dhe faktet historike gjejmë edhe fjalët “qytet” “troje”, si pjesë e zhvillimit urban të zonës, duke iu hequr mundësinë mendësive populiste për mungesën e qytetit dhe qytetarisë në trevat e dikurshme.
Ky areal shihet si kordon kulturor dhe shpirtëror i fituar nga arbrit në përballjen e fortë pro Romës dhe kundër Konstandinopojës; pro Perëndimit apo kundër Lindjes, pro shqiptarëve apo kundër serbëve, apo grekëve. Paçka se historia e sjellë nga autori i lë vend gjithkujt që të reflektojë në këtë përballje apo luftë kulturash dhe etnish. Marrje-dhënies me këto kultura, qytetërime dhe epoka kanë lënë pas tipare por kanë formësuar identitetin arbnor. Për shkak të pozicionit gjeografik kyç në lidhjen e rrugëve drejt Prizrenit, Nishit, Shkupit, etj., Arbëria mbijetoi si identitet në përballjen ndaj anzhuinëve, sllavëve, por edhe ardhjeve të tjera të mëvonshme, osmane, e kështu me radhë. Por, ajo mori jo pak prej tyre.
Autori Nikoll Loka duhet përgëzuar për konstruktimin e historisë së Arbërisë, edhe në përpjekjen për të korrektuar apo korrigjuar me fakte shkencore teza të historianëve të njohur për këtë çështje. Pikërisht analiza që i bën zhvendosjes së qendrës së shtetit Arbnor nga Kruja në Ndërfanë të Mirditës, shqyrtimi i fakteve historike dhe përballja e tyre me histori-shkrimit dhe tezat e historianëve shqiptarë dhe të huaj për këtë periudhë dhe këtë trevë, janë ndër meritat thelbësore të studiuesit Nikoll Loka.
Unë mendoj se historinë e konsumojmë jo thjeshtë për të kaluarën, por edhe për të ardhmen; për mënyrën sesi ne e projektojmë të nesërmen tonë dhe puna e madhe e Nikoll Lokës do të vlejë në dekodimin historik të Arbërisë dhe vlerave të saj: Ajo vlen shumë nëse e studiojmë, e mësojmë, reflektojmë mbi të dhe shtojmë një tullë më shumë mbi këtë epokë të artë të historisë tonë, të cilën në të shumtën e rasteve e kemi neglizhuar apo nuk e kemi vlerësuar si të tillë. Këtu është merita e punës së madhe të Nikollës që arrin me analizën e vet që të konstruktojë historinë Arbnore jo thjeshtë si faktoid historik, por edhe si përmasë e së ardhmes së Shqipërisë.