“Tehu i briskut” rrëfen historinë e një të riu amerikan, Larry Darrel, që është në kërkim të absolutes. Odiseja e tij spirituale i ka dhënë shkrimtarit mundësinë të krijojë në këtë vepër disa personazhe të shkëlqyer
Diana Culi
Herë pas here botuesit tanë, në këtë rast shtëpia botuese PEGI, na japin në dorë vepra të shkrimtarëve të mëdhenj, siç është rasti i romanit Tehu i briskut, të shkrimtarit anglez Somerset Maugham, një nga romancierët, tregimtarët e dramaturgët më të mëdhenj botërorë të shekullit të kaluar. Si gjithnjë, anglezët nuk kanë munguar, siç nuk mungojnë edhe sot, t’i japin botës mendje e talente të jashtëzakonshëm letrarë.
Tehu i briskut rrëfen historinë e një të riu amerikan, Larry Darrel, që është në kërkim të absolutes. Odiseja e tij spirituale i ka dhënë shkrimtarit mundësinë të krijojë në këtë vepër disa personazhe të shkëlqyer – të fejuarën e Larit, Izabelën, zgjedhja e së cilës midis dashurisë dhe pasurisë i sjell pasoja gjatë gjithë jetës, xhaxhanë e saj Eliotin, një snob klasik amerikan, që jeton në Europë, Grein, mishërimin e djaloshit të rregullt e përsëmbari, Suzanën, miqësore por e largët, Sofinë, e shkatërruar, e përhumbur, por joshëse në mënyrën e saj dhe Larin, aq tërheqës, aq të vështirë dhe aq besimplotë e të vërtetë, mes konfuzionit të botës. Vetë Maugham-i është i pranishëm vagëllimthi në rrëfenjë, duke vëzhguar e ndjekur personazhet e tij, por edhe duke luftuar për fatet e tyre. Këto fate, kjo histori e treguar në këtë roman është një nga veprat më të mira, ku përfshihen dhimbja, pasioni dhe vetë dendësia e jetës.
Të gjithë këta personazhe janë të afërt me njeri tjetrin, kanë miqësitë e tyre herë të ngushta e herë të ftohura. Ata takohen në Londrën dhe Parisin e pas-Luftës së Parë Botërore, nën një atmosferë që shkrimtarët e mëdhenj na e kanë bërë ta njohim sikur ta kemi jetuar: mes depresionit, luksit të përkohshëm dhe drithërues, mes ankthit për të ardhmen dhe bukurisë që çdokush e kërkon dhe çdokush e humbet në një çast të caktuar.
Larry Darrel e përgatit veten për të njohur filozofinë indiane, përvojën e mistikëve që e kanë përjetuar dhe mbledhur gjatë shekujve, të jetojë në ashram, t’i njohë, të rrijë pranë tyre dhe të mësojë nga këta njerëz, që i duken si dritë në mes të errësirës. Ky proto-hippie, siç e ka quajtur kritika Lari Darrellin e Maugha-mit, në fund kthehet në Ilinois, për të jetuar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, duke e zhveshur veten nga çdo e mirë materiale, në kërkim të kuptimit të jetës. Ndërkohë, ky kërkim individual, por tepër domethënës, turbullon jetët konvencionale të njerëzve rreth tij; secili prej tyre, në një farë mënyre dhe në një shkallë të caktuar, nuk mund të jetë plotësisht i njëjti njeri, pasi ka krijuar apo ka humbur marrëdhënien e tij me Larin.
Kritikët dhe studiuesit e veprës së Maugham-it janë rrekur të gjejnë ngjashmëritë e personazhit Lari Darrel me persona realë dhe më shumë me një ish pilot të Luftës së parë (si Lari) që pësoi krizën post-luftë të moskuptimërisë së jetës dhe më vonë u bë i njohur si Krishna Pem, pasi kishte përqafuar filozofinë hindu. Vetë Maugham-i, ka udhëtuar në Indi, ka qenë në ashrame, ku ka takuar mistikë e guru të ndryshëm dhe është një prej shkrimtarëve që i paraprijnë (në këtë grup futet edhe Herman Hesse) përfshirjes në veprat e tyre të kulturës së Lindjes pothuajse një dekadë më përpara se sa ajo të popullarizohet në Europë dhe në Amerikë. Romanin Tehu i briskut e përshkon pikërisht filozofia e shprehur nga Katha Upanishada ( e shkollës së ajurvedës, të doktrinës hindu) që thotë pak a shumë : është i vështirë shtegu i Shpëtimit, i mprehtë si tehu i thikës, zgjohu, kape grimcën e urtësisë…
Romani Tehu i briskut, i botuar më 1944, është përshtatur dy herë për film artistik: më 1946 dhe më 1984.
Ky libër, që zë vend të veçantë në krijimtarinë e Somerset Maugham-it, lexohet me ëndje, me dëshirë, me kënaqësi të veçantë estetike prej faktit vendimtar që është përkthyer nga dora dhe mendja e Engjëllushe Shqarrit, e cila, në këtë shqipërim të radhës shkëlqen në mënyrë të veçantë.
E përgëzojmë shtëpinë botuese PEGI, që nuk eksperimenton, nuk gabon, por me kujdes të veçantë zgjedh përkthyesit e talentuar e me përvojë, ashtu si përzgjedh edhe shkrimtarët. Somerset Maugham-i mund të flejë i qetë në varr. Në shqip e ka sjellë Engjëllushe Shqarri.
Marrë nga MAPO
Nëse je i interesuar për ta lexuar librin “Tehu i briskut”, e ke vetëm një telefonatë larg. Kontakto Bukinist.al te 044508282