Kadri Roshi, dashuri e dehur – ese

xhevair-lleshi-bukinisti

Xhevair Lleshi

 

Karavasta do të thotë Bashta e zezë. Kishte një kasolle me kallama dhe mbuluar me kundje, brenda një jastëk të gdhendur shelgu dhe një divan po të gdhendur vidhi. Asnjë shtrojë. Vetëm dhé e cung.

Bashkë me Sheri Mitën dhe Llazar Verën e gjetëm tek po bënte vapën, domethënë po flinte. Shishja me verë e zbrazur. Aroma e një femre ndihej menjëherë. Dy skelete  ngjalash të lëna mbi gjethe lofate, afër shishes së zbrazur. Nuk e trazuam. Dolëm jashtë në strehë të kasolles.

E zeza, Karabashta e famës së jashtëzakonshme të aktorit tonë të madh Kadri Roshi, na përmbyti me një brizë të hollë sikur do t’na shponte brinjët. Si flinte ai? Ne e patëm lënë dhe ai do të duhej të na priste. E ndjemë se qe zgjuar dhe u vërsulëm brenda. Gryka e gjerë drejt kanalit hijezohej dhe bëhej gati të derdhej hijerëndë në det dhe do të trysej ëmbël dhe kripur një gjatësi të fjetur. Janë ujëra të çuditshme këto, si ajkëtuar i kripur me sheqer. Ujët e tromaksur e të përzierë si ia kishte qejfi bënte edhe ai një sy gjumë të tronditur para takimit me hapësirën që e priste në muzgun e detit të mërzitur s’di pse.

Vetë Karabashta-ja, Bashtëzeza, shihte ëndrra bojë trëndafili dhe puthej me hijet levarashe të pyllit të atëhershëm të Divjakës, tretur në hapa murgjish të ardhur apostafat për të parë pikërisht këto puthje të mrekullueshme. Duket këto shihte edhe Kadri Roshi.

“Erdhët?” pyeti.

“Erdhëm, po verë nuk kemi!” Nënteksti i asaj që nuk u tha, u ndje. Këtu s’mund të vije pa verë e pa femra!

“Do ta lëshojmë varkën?” – pyeti Llazari, i tymtë, i thatë dhe gjithnjë ngacmues. Sheri Mita qeshi me zërin e tij të jashtëzakonshëm, të ngrohtë dhe të dashuruar. Varkëtari doli nga ferrat atje tej me një shufër të gjatë për t’u nisur me ne. Na dëgjoi dhe erdhi. S’donte ta thërrisje. Themiu ishte gjuhëprerë. Kurrë nuk ia dëgjuam zërin. Ndërkohë m’u bë sikur Kadri Roshi po heshtej i menduar. Të dukej se nuk donte të na kishte pranë, sikur ia prishëm frymëzimin brenda gjumit.

“Sot e gjete?” e pyeti Sheri. “Po të vijë prapë, edhe tani. Ç’e do iku laneti!…” Varka gati ishte. Themiu hell i gjatë në këmbë. Edhe Llazari. Ne të tre u ulëm në stolin prej dërrase vidhi. Bëri gishtin lart nga qielli dhe e tundi duke parë dritësimin lëbyrës të pasdites.

“Nuk është ora e duhur. Megjithatë…” Themiu ngulte shufrën e gjatë në ujë dhe varka bënte tutje.

“A do ta shohim ujët me hënë e me muzg?” e pyeta.

“Edhe poezinë kishim mangët!” – tha dhe qeshi. “Ku më zë rehati mua mor djalë!” Dhe u kruajt.  Kishte një bezdi që dukej. Po pyesnim me sy njëri-tjetrin, se mos ia prishëm planin. “Jo, mos mendoni ato që çoni në mend. Nuk më keni prishur asgjë. Ia kam prishur vetes… Vetes ia bëjmë gjithnjë të zezën… Hija e saj më ndjek gjer këtu. Dhe unë flas, qesh, këndoj me hijen e saj!…” “Me hijen?” – e pyeti Sheri serioz. Kadri Roshi po mbyste të qeshurën me një tingëllim pendese, duke e tundur zërin përbrenda, si zilka të argjendta që do të mbyteshin në ujë duke ndjekur varkën e Themiut memec. Befas dëgjuam ca tinguj që vinin nga ujët e Karabashtës  dhe të bënin të mendoheshe nën ritmin e një dridhjeje ëmbëlcake e nën ca thirrje të pakuptueshme e plot epsh. Të dukej sikur qeshte e tundte kokën. “E di ç’thonë?”, – pyeti Llazari. “Hë, o shën Llazar, ma thuaj ti!” Llazar Vera u kapërdi…

Shufra e gjatë e Thimit bëri një hark nga pas dhe u ngul fort në ujë, i cili u turbullua. Më pas e nxori bashkë me një ngjalë të stërmadhe. Ajo, e mjera spërdridhej dhe Kadri Roshi e kapi me një qeshje të madhe e të hapur në fytyrë. E plasi mbi dërrasat e varkës dhe atje ajo përdridhej si gjarpër nëpër këmbët tona. Sheri nuk po e duronte fare. “Ah ta piqnim këtu!”, – belbëzova. “E pjekim më mirë mbi ujë!” E qeshura e tij u zgjat mbi vijën e ujit. “E dini? Këtu do t’i sjellin pleqtë, në pyll, me kuajt hergjele, para se të vdesin. Sa në varka, sa në pyll. Do të ngrenë edhe një kishë, shshsht, do t’u bien kambanave pleqtë, do të falen për shpirtin e tyre, do mbeten pastaj lakuriq, do mblidhen me fiere e me shpëndra dhe do kërcejnë si qëmoti, duke harruar se kamerat do jenë 24 më 24 dhe do t’ua japin bijve t’i shohin etërit e marrosur e të tretur nga malli. Unë për vete këtu do të doja të më sillnin. Pleq e plaka. Kënga e erës, e detit, e pyllit dhe e Karabashtës do të bëjnë korin më të bukur në botë. Mendova Turkun si do ta drejtonte korin dhe m’u qesh. “Ej, djalë, e kam vërtet. Nuk po tregoj përralla. Se unë flas dhe qesh me hijet, po nuk shoh ëndrra me sy hapur kurrë! As kur dielli është më të perënduar. Janë njëqind e tridhjetë e gjashtë konakë kashte e degësh dushku në këtë pyll Divjake, nëpër këto kodra halli”, tregoi ai duke hapur krahët mbi varkë. Llazar Vera i vuri dorën. Aktori i madh hoqi thellë. “Natën këtu në pyll s’ka frymë njeriu. Kullosin kuajt hergjele, kullosin delet e dhitë, lopët, ulërijnë ujqërit e çakejtë, aq sa i zë tmerri edhe peshqit! Ah, moj e poshtër, pse më ike! Dhelpra. Sheri, ju s’e merrni dot me mend se si më rrinte. Sus!… Mendoni pleqtë peshkatarë, tharë në tym si dru thane, duke u marrë me veten, vreshtin e madh të ëndrrave, ujqërit dhe verën…” Po fishkëllente Themiu dhe ia kthente era e butë e Karabashtës…

Kasollet e eremitëve. Të isha si ty djalosh një roman do shkruaja për to, për femrat e tyre që vinin në muzg dhe largoheshin në mugëtirë. Ah, sa e ëmbël që është, Zot, mugëtira! Eremitët deheshin me zjarrin e femrave të kolme dhe batisnin dheun e kuq ku rriteshin lisat e Divjakës. Nga halli kapërcenin Kanalin e Gjerë të Detit dhe e mbanin frymën në Ardenicë. Lukunia e tyre atje është, në Ardenicë. Keni hyrë aty ndonjëherë? T’i merr flokët Fryma e Detit. Qan era me zë femre dhe tremben ata që shkojnë andej, përpara manastirit të vetmuar që kuqëlon nga Perëndimi. Ngjiti sa të duash shkallët, në vend rri dhe hesht e pastaj kthehesh këtu te kasollet. Po të duash miqësohesh me kuajt dhe frymon buzë detit si i lojtur mendsh. S’ka gjë më të bukur. Këto kasolle kanë hequr të zitë e ullirit. Këtu i groposnin në kashtë shalqinjtë myzeqarkat dhe vendet i dinin mirë djemtë e hedhur që u binin pas mëzatkave! Themiu dridhte fishkëllimën dhe puhiza e mbrëmjes i mbante kaba. Një goditje tjetër me shtagën e gjatë që harkohej mbi kokat tona. Ishte e katërta ngjalë…

Ore, na dëgjon Thimi? Thimi dëgjon zëra të thellë nga toka e nga deti. Ç’përralla belbëzon Themiu, ohu, nuk tregohen dot! Bën të kthehet, dhe i lutet Zotit për mua dhe vjen prapë… Mjaft, Kadri, u bë kohë që po gjuajmë e do të shohim kasollet e eremitëve… Vetëm? Vonë zbresim në kasollen e tij, kasollja e njëqindetridhjetë e shtatë… dëgjojmë pllaquriten e ujit dhe nga pylli vjen dhe kënga për pagëzimin e tyre…

Nata po hapej si e ndarë më dysh, duke davaritur re pluhuri dhe tymi nga buza e pyllit. “Si ia bën me gjarpërinjtë, mjeshtër?” “A, me gjarpërinjtë është ç’është, Themiu e di.” Ky thartoi turinjtë dhe shihte tinës nga Kadri Roshi. U bën magji Themiu. Eh si vallëzon me ta! Po ç’vesh muzike që kanë! Ç’të të them, vëllezër! Është çudan njeri ky! Dhe, pale, pale, po ky dhe puthet me ta. Lozin, mo, lozin gjarpërinjtë me trupin e Themit. Po kur vjen Dhelpra, naze të mëdha luhen. I do djalli, i do. Po t’i dëgjoni ç’punojnë. Kush e di ku e ka mendjen atë kohë që vallëzon Themiu. Hm. Po të dojë Themiu, hataja të gjen, gjarpërinjtë të presin te dera. Me fishkëllimë i thith, si ngjalat. A nuk e patë?… Sheri po dridhej nga tmerri dhe kapi vështrimin tim të tendosur. I thashë me sy që të mos trembej se e ndiente Themiu… Po binte një qetësi si prej puple, kurse Themiu sikur qe fshehur. Papritur ujërat e Karabashtës u tundën dhe toka po oshtinte thellë. Kuajt! bërtiti Kadriu dhe u përngreh. Ku vinin gjarpërinjtë? M’u bë sikur pyeta dhe sytë u larguan tutje te ca rosa e çafka, me këmbë të penguara prej ujit, plot trille levarashe, pastaj mund të shihje pelikanët madhështorë të vargoseshin hijerëndë.

Një mrekulli që ta gufonte zemrën aq sa doje të ishe edhe ti mbi ujë, gjoja për të pritur kumtet prej mbrëmjes së vonë, larg e larg, me ca vazhda uji prej krahëve që rriheshin me ngut. E bruzta shkrihej me një pipëtimë të brejtur. Ndjeva zjarrin dhe Themiu u vinte rrotull xixave, duke i reshtur me duar. Po piqte ngjalat mbi shpuzë. Ato akoma përdridheshin. Edhe mbi tabakatë e sojme të Stambollit ato ende, edhe pse të pjekura për qejf, përdridheshin.

E di ç’thonë eremitët e panjohur (edhe Dhelpra natyrisht!) kur ia behin kështu kaq dendur miqtë e paftuar? Vijnë, thonë, se e ndiejnë aromën e femrës. Është një bar këtu në Divjakë e në brigjet e Karabashtës që ta bënë kokën tym dhe shpirtin dyst prej kësaj arome. Madje edhe ujqit mbeten gojëhapur dhe meshkujt u shalojnë kuajve të egër, si të paudhë që janë dhe jo vetëm njëherë, po sa herë të duan, dhe fluturojnë tutje, larg bashkë me ta e me to… veç kur i gjenin shtrirë mbi rërë, buzës së zbaticës.

Thimi më sillte në mendje Thimin e vjetër të Xheblatëve, ditarin e të cilit e kam tundur fort si një gjë të madhe e të veçantë, por që askush s’ia hodhi sytë. Kështu që bëj ç’bëj i kthej nganjëherë faqet dhe shkruaj gjërat e vjetra. Edhe ai Karabashtë i thoshte, kurse Divjakës i thoshte Tërbuf, se asokohe Tërbufi ishte dhe Divjaka ishull me gjithë kodrat e saj plot lisa, pisha e shkozë, përplot rrjedhje ujërash nga kasollet – konakë të eremitëve. I ziu Thimi, belbëzonte motive të vjetra, ndoshta që nga koha e Eftihimit, siemrit të tij.

Vonë do ta gjenim duke fjetur afër një ledhi, mbuluar me një velenxë leshi. Hane-hane të qe ndonjë mullar aty pranë. Zgjohej shpejt që me yllin e Karvanit dhe do hidhte rrjetat, atëkohë kur kuajt hergjele flinin në këmbë buzës së detit. Ne i kishim batisur ngjalat, shoqëruar me nga një kupë verë, që se nga mbiu nuk u mor vesh. Hanim, qeshnim, mekeshim, mbyteshim, derdhnin nga një çurg vere nëpër gushë. Sa nuk u mbytëm nga e papritura e thirrjes së Dhelprës. Mos u trembni, tha Kadriu dhe doli. Edhe ai imitoi Dhelprën. Iku. S’e ktheu kokën prapa. Ne të tre kishim punë me ngjalat e pafundme, me verën allasoj, të kuqe flakë dhe me një aromë shafrani të patreguar. Aty në ledhe kishte manxuranë dhe brenda në kasolle trumbëza manxurane erëmirë. Po qe manxurana nuk vjen as gjarpri! Janë fjalët (jo gjepurat) e Themiut këto, ta dini! Rrinim-rrinim dhe kthenim kokën nga lesa: ku humbi ky djall! Vërtet, të gjitha kasollet-konakë të eremitëve bubërrojnë gjithë natën? Do t’i ketë shtruar manxuranë ky i flamosur Themi kasolles së re të Kadri Roshit? Jo? Po atje të shqyejnë gjarpërinjtë. He-he, po hyri Dhelpra, miku im, ikën gjarpri. Nuk e duron dot aromën e femrës ky budalla i frikshëm. E di ti që në kasolle janë rrjetat e peshkatarëve? Nuk e di as këtë? Po, pse s’thua, që qenke trokë fare! Po grerëza ka? Hm, edhe ato ikin nga manxurana dhe nga Dhelpra. Nuk nakatosen me to. He, janë nikoqire grerëzat, po s’u ka duk, pastaj s’durojnë dot të kenë afër bajga të djegura. More, i shtoi urat fjalëve që hidheshin nga një breg në tjetrin, Llazar Vera, mos i poqi me bajga të thata ngjalat ky Themiu? Ehu, këtu bajgat vu! Ku e lë Kadriu atë. Se ky i uruar është bërë eremit dhe firar. E dëgjon? Po vjen më duhet. I bëri fërtele gjunjët me hijet e natës! S’la Dhelpër dinake pa futur në shtrungë. Pse, futen edhe Dhelprat në shtrungë? S’e kisha dëgjuar… Nata lëvizte me zërat e saj të fshehur me një mister të padukshëm. Herë pas here vinte së largu troku i kuajve hergjele… Më në fund u ndje kolla e Kadri Roshit. Basi i Sherit  e shkundi kasollen. Kadriu i gjatë dhe i holluar përkuli kokën dhe shtyu lesën. Seç belbëzoi diçka nëpër dhëmbë. Hë, mo, i trembe, apo të frikësuan lanetkat! Dhelpër hesapi. Frymon edhe ajo. Ikën, vjen, trembet, largohet, fle, dremit, nganjëherë bën sikur fle, këndon, gjuhëzon me fjalë ngecur në grykë, nepsmadhe, e paepur, e ngjyruar nga nata, me sy e dhëmbë të bardhë, kafshon… e ç’nuk bën. Zot i bekuar, ajo është nga këto shtojzovallet e pyllit nakatosur me të detit, sirenë. Dhelpër, jo llafe. S’di as ku ta afrosh, herë është ajër, herë është dritë, herë të tjera nxin. Ç’të të them! Nuk tregohen ato të sajat. Vdes i ziu njeri për t’u dashur, trokë bëhet. Po ajo s’pyet. Gafrron, të çjerr si mace, pastaj kthehet në kotele, thotë fjalë të ëmbla, bëhet hije. Hijen ku ma gjen se të ndjek pas si shelege…

U dëgjuan edhe hapat e Thimit. Tërhiqte bran rrjetat deri te varka. Një kollë e thatë shponte natën e kthyer për nga mëngjesi. E qeshura e Thimit të mbante pezull e si në pëllëmbën e dorës. Mjekra e tij frizohej nga fryma e Karabashtës. Ç’thotë ky, mendoja, çfarë sheh, që mua s’ma zënë sytë? Fliste me vete, i drejtohej ujërave, pyllit, kuajve. As kuptohej se ç’katranoste tjetër ai! Edhe Kadri Roshi kishte ngrirë herek në mes të kasolles. Bënte punë të rëndë ky njeri i madh. U fliste njerëzve nga skena! Zoti ta ndihmonte! Bënte pa e kuptuar kryq, gjente prapësitë e fun¬dit, llogariste me mend mëkatin e radhës… “Qenke akull”, i tha Sheri Mita. “Ka rrugë me kalldrëm këtu?” “Ka, Llazar, ka! Divjaka është Stamboll e shkuar Stambollit!” Mugëtira po hapej duke shembur vende-vende pllanga të përhime si cerga të tymosura merimangash të zeza. Dukej se ishin zhdukur dhe frymët e vdekura rreth e qark nganjëherë sillen në  ajrin e qiqërimtë. U dëgjua përsëri një përngjasim i thirrjes së Dhelprës. “Po kjo?” pyeti Sheri me të qeshur. “Erdhi prapë, duket. U bë esëll. Zot i madh! Po ma merr frymën dhe prapëseprapë do të shkoj. Ma bëj hallall Sheri, për këtë pritje! S’e kisha menduar. Dhelpra ime është e paturpshme!…” Ngriti duart lart dhe thirri me zërin e tij si me lebeti të kobshme. Ishte i veçantë ta bënte këtë. Askush nuk mund t’i afrohej. “U pa puna, ajo do t’më marrë në qafë. E ç’e doni, harrojeni, por unë s’mund ta harroj dot… Për kë e kishte fjalën, s’po kuptohej. Tronditja e kishte kapluar dhe po vinte rrotull vetes si fugë. Kali i parë që kapet, ai vihet të shijë në lëmë. Kapistrën në fyt dhe kamxhikun mbi vithe!”

Iku, pa thënë më një fjalë. I thirrëm, Kadri, ku po shkon… Kadri, eja, po vjen mëngjesi edhe ne do largohemi. E kishim lënë që do të hanim vezë pëllumbash mbi tjegull… Mos e harro premtimin! Po ai iku, ja, atje në gjirin e natës, nuk e pa më askush, vetëm në mëngjes do ta gjenim në kasollen e parë të eremitit. Ishte në gjumë me Dhelprën e tij, krahaqafë. Gjumë më i ëmbël nuk bëhej! E lamë ashtu dhe ikëm, pa i lënë shëndenë. Po niseshim për udhë, pas pak vinte dhe makina e porositur të djeshmen (ajo që na kishte sjellë) dhe një torbë e madhe me peshk të sapo zënë u zgjat me shtagë nga varka. Themiu zgjaste krahun dhe e tundte, duke zbardhur dhëmbët me një të qeshur të hidhur…

E lamë pas kasollen e Kadri Roshit që ndërkaq po na humbte nga sytë. Erdhi makina jonë dhe ne po sistemoheshim brenda, por shoferi, Idrizi, s’po ngutej. Pas pak u afrua te xhami i hapur. “Mos u mërzitni, tani vjen edhe Kadri Roshi.” Dhe qeshi, duke ngritur supet. Edhe ky si Thimi, mendova, kur në kthesën e parë vura re Kadri Roshin duke vrapuar e thirrur. Sheri hoqi kamerën dhe po e filmonte. “Këtu është në rol”, tha ai dhe qeshi me zërin e kulluar prej basi. Shoferi vrapoi drejt tij dhe e ngriti në krahë. “Dhelprën e lashë në gjumë”, tha duke marrë frymë me zor. “Vete Themiu. Ja edhe unë sikur kam ardhur sërish, apo jo Idris!” “Si jo Kapedan!” Kapedani qeshte duke dritësuar atmosferën. Llazar Vera bëri kryqin. Ditë e re, nafakë e re…Amen!

Pjesë nga cikli “Apostuj të vendit tim”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *