Gara me 13 personazhet dhe fituesi i shpallur i Bukinist

persozhat

Personazhet e letërsisë bëhen pjesë e jetës tonë reale teksa i lexojmë veprat letrare: Ato futen mes nesh si njerëz të dashur, me aq pasion sa ne i pranojmë ata, sa që ne njëhsohemi me secilin prej tyre, aq sa ne i duam apo i urrejmë ata. Këtë mrekulli e ndjemë ne, organizatorët e konkursit për pesonazhin më të dashur, në garën e organizuar në rrjetin social të Facebook.com të Bukinist. Ne duam t’i falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe për shumë prej tyre duam t’iu themi se në fund të garës, fatkeqësisht ka vetëm një fitues…

Personazhet si Edmond Dantes, Tom Sojeri, Rastinjaku, Ana Karenina, Dafne, zonja Bovari, Piteri, Çinaksi, Piteri, Zhyljen Soreli, Leo, Zhan Valzhani janë “të gjallë” në jetët tona: Ata marrin e japin me vlerat dhe shembullin e tyre, me zgjidhjet dhe me rrugët që marrin në botën e fantazisë. Ata na vlejnë shumë në modelin që ofrojnë për ne.

Po aq të fuqishëm janë edhe personazhet e librave non-fiction, njerëzit real, me atë që dëshmojnë në jetë. I tillë është edhe At Zef Pllumi që me veprën e tij, është kthyer në “ndërgjegjen vetëmohuese të kohës”.

Ashtu siç iu kishim premtuar, Bukinist.al e përfundon këtë mini-konkurs, duke shpallur fitues të garës njëjavore Anjeza Neza me përshkrimin që i bëri personazhit të Piterit, te romani “19 minuta”  Jodi Picoult. Mënyra e analizës së personazhit, thellësia e komunikimit dhe konkluzioni final është goditës. Edhe diçka tjetër; analiza vlen shumë si referim për jetën tonë të përditshme, si sugjerim për kujdes ndaj fëmijëve nga prindërit, mësuesit dhe njerëzit më të rritur.

Bukinist e fton Anjezën që të marrë librin “Vajza në tren” e Paula Hawkins, i cili aktualisht është një nga librat më të shitur në botë.

Por, Bukinist.al ka vendosur të vlerësojë edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë lojë: Ne ofrojmë kartën Mik i Bukinist për Kledi Ramën pasi e çmojmë shumë përshkrimin e bërë për “Leon”, tek romani, “A të kam folur ndonjëherë për erën e veriut“, me autor Daniel Glattauer, si dhe garuesen me emrin Ina, e cila ka bërë përshkrimin e “Henri Çinaksit” tek “Bukë me sallam”, të Charles Bukowskit.

Të gjitha përshkrimet i gjeni edhe më poshtë, në blogun tonë. Stafi i Bukinist.al ka bërë vetëm pak korrektime, në mënyrë që të lehtësojë leximin e përshkrimeve që kanë bërë personazhet tona në garë.

Të tjera lojëra do të ketë në ditët në vijim në platformat e Bukinist.al sepse ne dijmë i vlerësojmë dhe duam ti shpërblejmë lexuesit e mirë. Faleminderit!

Xhovana Hoxha

  1. Edmond Dantes nga “Konti i Monte Kristos”. Personazh me disa personalitete dhe secili më interesant nga tjetri. I zgjuar, i drejtë, këmbëngules. Nuk ka personazh tjetër që i përballon situatat më bukur se Dantes.

Sotir Mekshi

  1. Tom Sojeri te “Aventurat e Tom Sojerit” sepse mishëron fëmijërinë dhe gjithmonë më rikthen aty, te ai Edeni i humbur që askush dhe asgjë s’ta sjell më mbrapsht veç kujtimeve..

aventurat-tom-sojerit

Sara Cam

  1. Rastënjak te “Xha Gorio”, sepse është një personazh i zgjuar, me ide të qarta dhe ambicje për të ecur përpara, por, gjithashtu një njeri me zemër të madhe dhe i drejtë. I reziston tundimit dhe veseve që kërkojnë ta përfshijnë dhe vazhdon në rrugën e virtytit duke sfiduar padrejtësinë dhe shoqërinë e mykur përreth vetes!

xha-gorio-coveri1

Ola A Tabaku

  1. Dafne” te Danielle Steel, “Vetëm një herë në jetë”, sepse është një personazh i mrekullueshem që të bën për vete që në fillim të librit; një grua që ka vuajtur shumë por edhe ka dashuruar shumë; një grua e bukur që bënte për vete këdo që takonte në jetë. Brenda shpirtit të saj vuan nga e shkuara por nuk bëhet kurrë skllave e saj, ajo vazhdon jetën e saj me një forcë të jashtëzakomshme; madje, në fund përballet edhe me vdekjen, por sërish gjen forcë të jetojë për djalin e saj autik dhe dashurinë e saj të rigjetur.

vetem-nje-here-ne-jete

Zorada Zhupi

  1. Zonja Bovari, është thjesht….”Madame Bovari”, pa shumë koment.

kopertina

Xhemi Hoxha

  1. Personazhi pa emër është personazhi kryesor në librin “Gjurmët e hijes pa emër“, (Flogerta Krypi) e cila nuk ka emër. Ky personazh mbart çdo pjesëz të çfardolloj individi. E veçanta e këtij personazhi êshtë që ai nuk ka frikë, dhe kjo është për tu çuditur se në çfarë gjendje ndodhet. Një personazh mjaft i arrirë me një mjeshtëri të rrallë nga ana e autores. Për mua është adhurim dhe shembulli më i mirë për të ndjekur.

Ina Ina

  1. Henri Çinaksi tek “Bukë me sallam” është personazhi im i preferuar: Një personazh sa argëtues aq edhe i trishtë. Henri i vogël ishte pikërisht ai sallami midis dy fetave të bukës. Nga njëra anë qëndron i ati i Henrit, një baba i vështirë dhe i vrazhdë… që dhunon rregullisht të birin, për gabime absurde dhe nga ana tjetër qëndron e ema e cila vazhdimisht thoshte: Babai ka gjithmonë të drejtë! Henri i përkiste babait, si shumë gjëra të tjera që i përkisnin vetëm atij. Ai nuk i përkiste vetes.

Henri ka një adoleshencë plot shëmti, vuajtje, dhembje dhe arrati. Henri ndjehet i përjashtuar dhe kjo ndjenjë poshtëruese e çon drejt alkoolit.

Nëpërmjet Henrit del në pah revolta kundër hipokrizisë sociale të punës. Henri ishte i përjashtuar, nuk kishte as një mik, ishte i vetmuar. Në fund mbeti ai, Henri, Henku dhe alkooli.

-Uli pantallonat.

Ula pantallonat.

-Uli dhe mbathjet.

I ula.

Pastaj, ai futi në punë rripin. Goditja e parë më shkaktoi më shumë tronditje sesa dhimbje.

E dyta më dhembi më shumë. Çdo goditje që pasonte e shtonte më shumë dhimbjen.

Në fillim arrija t’i dalloja muret,vaskën,banjën .Në fund ,nuk shihja dot më asgjë.

Më rrihte dhe më shante ,por nuk ia kuptoja dot fjalët.Mendoja për trëndafilat e tij se ai mbante trëndafila në kopësht. Mendoja për makinën e tij në garazh.

Përpiqesha të mos ulërija.

Pas njëfarë kohe çdo gjë u kthye në një vorbull,një lëmsh dhe nuk ekzistonte mendim tjetër veç mundësisë së tmerrshme se mund të qëndroja atje përgjithmonë.

Më në fund,fare mekanikisht fillova të rënkoja duke gëlltitur lotët dhe duke u mbytur nga jargët e kripura që më kullonin në fyt.

Ai ndaloi.

Nuk ishte më në banjë.

Fillova të dalloja sërish muret dhe pasqyrën.Atje ishte rripi që mprehte briskun,i varur mbi ganxhë,i gjatë,kaf dhe i përdredhur.

Hapa derën e banjës dhe përpara më doli ime emë që qëndronte në korridor.

-Kjo ishte e padrejtë, – i thashë. – Pse nuk më ndihmove?

-Babai, – tha ajo, – ka gjithmonë të drejtë.

……..

Edhe unë, porsi trëndafilat isha: diçka që i përkiste atij dhe jo vetes…

7-buke-me-salla

Albana Marku

  1. At Zef Pllumi te “Rrno vetëm për me tregue përsonazhi kryesor real (non-fiction). Një rrëfim rrënqethës, me epiqendër vuajtjet e çdo shqiptari në kohën e monizmit. Ai nuk është një personazh i trilluar as ngjarjet nuk janë të zbukuruara është vet ai personazhi kryesor i cili i bën ballë çdo lloj torture dhe përpuzje, por kurrë nuk e mohon Zotin. Personazhi i cili dashuron jetën dhe nderin, bën gjithmonë përpjekje për t’i dhënë dritë tokës mëm nuk dorëzohet kurrë kundrejt puthadorëve monistë. Është ai personazh i cili gjen zgjidhje edhe brenda hekurave të burgut vetëm për të mbijetuar sepsë mbijetesa ishte ajo për të cilën luftonin të gjithë. Një njeri i cili nuk lë në baltë askënd por jep kurajo dhe aty ku shpresa kish vdekur… Personazhi dhe autori që unë adhuroj i cili të fal ndjenjën e patriotizmit, dashurisë, adhurimit.. të bën të ndihesh gjallë edhe kur mendon se ke vdekur. ( THJESHTË UNIK)

8-zef-pllumi

Anjeza Neza

  1. Piteri, personazhi tek bestselleri “Nëntëmbëdhjetë minuta” nga Jodi Picoult më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme, dhe padyshim do të ishte personazhi më i veçantë për mua. Personazhi është një person i thjeshtë, nxënës shkolle, i cili është i prekur nga nga një sëmundje e ashtëquajtura bulizmi. Një djalë i ndrojtur, i vetmuar, i tallur nga shoqëria që në ditën e parë të kopshtit dhe ku poshtërimi vazhdon vazhdimisht. Të gjithë e konsiderojnë një humbës; madje, dhe prindërit e tij të cilët nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur por i kërkojnë të jetë si vëllai i tij i madh. Kjo është ndrydhja e tij e parë në vetvete e cila e shnëdrron atë në një mendje kriminale. Ai thur planet e një vrasjeje masive që ndodh brenda 19 minutave në shkollën e tij, pikërisht ndaj atyre që e nënshtronin atë. Për mendimin tim, ai nuk u kthye në një kriminel, i cili planifikon dhe zbaton një plan i cili merr shumë jetë njerëzish, por ai është thjeshtë personi që ata vendosen që të ishte një njeri me një pamje engjëllore që të jep përshtypjen se nuk mund t’i bëjë keq askujt deri tek një përbindësh i brenshëm i cili do të shpërthente një ditë. Ndonëse të gjithë e konsideruan fajtor, për mua ishte një i fajshëm që mbarti fajet e të tjerëve mbi supe. Ai kishte mirënjohje ndaj njerëzve që i bënin mirë Edhe pse ajo e mirë i ishte bërë para shumë vitesh, në fëmijërinë e hershme. Ky është Piteri i cili vuajti një dënim për të cilin nuk kishte faj dhe nuk do ta vuante nëse e gjithë shoqëria, prindërit, mësuesit e tij nuk do ta parandalonin vite më parë.

19-minuta 

Kledi Rama

  1. Leo, tek romani, “A të kam folur ndonjëherë për erën e veriut“, me autor Daniel Glattauer. Po zgjedh Leo-n jo pa qëllim. Një personazh që përfaqëson secilin nga ne. Duam apo nuk duam secili nga ne jemi pakëz Leo. Teknologjia na ka bërë të jemi të varur prej saj, e sidomos rrjetet sociale. Një gjë e tillë i ndodh personazhit të romanit tonë. E nis, si një studim që merret me ndikimin e e-mail-eve në mënyrën e komunikimit gjuhësor si dhe e-mail-i, si një mjet transportimi emocionesh, por që papritur bëhet vetë objekt studimi. Përpara se t’ju jap arsyet se, pse më pëlqen ky personazh dua të mendoni pak: – A e keni gjetur veten ndonjëherë përpara tastierës duke biseduar me dikë që nuk e njihni, nuk e keni parë asnjëherë?… Shumë prej jush do t’ju vijë ndërmend një rast i tillë. Ose dikush do t’ju ketë thënë se ka biseduar me dikë, por që nuk e njeh. Ndaj zgjodha Leo-n si personazhin tim të preferuar. Biseda e tij me Emin vetëm nëpërmjet e-mail-it, pa u takuar, pa u njohur më përpara nxjerr në pah shumë dilema rreth marrëdhënieve tona. Ai është kaq i gjallë, real. Egziston mes nesh. E shohim përditë. Flasim për Leo-n. Dëgjojmë për Leo-n, madje ndonjëherë mendojmë se jemi vetë Leo. Është kaq kërkues, zhbirues, fantazon, krijon situata, imagjinon sjellje, reagime, depërton në mendjen e Emit. Arrin ta bëjë për vete. Është këmbëngulës, orator i zoti. Leo është i mistershëm, siç është edhe figura e tij pas bisedave në e-mail. Atë nuk e sheh njeri. Nuk e di si është ai. Fshihet pas mesazheve. Pak nga pak e zbulon veten, por duke e marrë me vete Emin. Është njeriu që kërkon të marrë më tepër se çfarë jep. Është tipi modern, tipik flirtues. Sot me mijëra janë ata të cilët flasin në rrjete sociale me të panjohur dhe që bisedojnë lloj-lloj temash. Madje, shumica qëllimin e kanë tek një takim midis tyre. Ja përse them që Leo është kaq i pranishëm në botën tonë. Ai pëlqen të flasë qartë, shkurt dhe drejtëpërdrejtë. Ja arrin qëllimit. E bind Emin të dalë në takim. Por, fundi tregon vendosmërinë e tij. Tregon se ai është një hap përpara në gjithë historinë, siç ishte që në fillim. Nuk të lë shpjegime. Shpjegimet nuk kanë kuptim. Ai ikën siç ikën çdo gjë në këtë botë. Ikën duke lënë boshllëk dhe dilemë. Pra, Leo është personazhi im i preferuar sepse na shtron shumë pikëpyetje përpara duke na bërë të kuptojmë se çdo njeri tundohet. Cdo njeri kërkon të provojë diçka të re, tek e cila mendon se do gjejë atë që i mungon. Çdo njeri është xheloz, ziliqar. Egoja arrin deri aty sa Leo mërzitet kur Emi i flet për bashkëshortin dhe martesën e lumtur. E njëjta gjë me Emin, kur Leo i tregon për ish të dashurën apo vajzës që Emi kishte menduar ta lidhte. E pra, ja pse Leo është personazhi im i preferuar. Sepse shumë prej jush do ta gjeni apo e keni gjetur veten përpara tastierës, duke folur me të panjohur, që në fund të fundit do t’ju pëlqente të takoheshit për një apo tjetër arsye edhe pse mund të tradhëtonit. Po cili ishte Leo? Po ju e dini çfarë doni në të vërtetë? Leo ndoshta e kuptoi….E gjitha është ajo çfarë mendoj unë për Leo-n si personazh dhe nuk është përshkrim i marrë nga interneti siç vura re tek disa komente të tjera. Faleminderit ! Fitoftë më i miri.

daniel-glattauer

Favola Favola

  1. Anna Karenina te romani “Anna Karenina i Leon Tolstoit është personazhi që pëlqej. Është personazh shumë kompleks, gjë që në të njëjtën kohë e bën edhe shumë njerëzore figurën e saj. E skalitur në mënyrë shumë reale, deri në detaje, si për nga ana fizike ashtu edhe ajo shpirtërore. Ndryshe është quajtur edhe Helena e letërsisë.

Aljon Gjevori

  1. Zhylien Soreli tek “E kuqja dhe e zeza” e Stendalit. Zhylieni i biri i një sharrxhiu çifligar, me një vullnet të admirushëm për tu arsimuar. Pa pritur e pa kujtuar Xha Soreli (i ati) i propozon që ai të shkoj tek shtëpia e kryetarit të bashkisë tek zoti Dë Rënal, për t’i mësuar fëmijet. I riu e pret me skepticizem këte lajm. Gjithsesi, ai pranon dhe hedh një hap shumë të rëndësishëm në jetën e tij, nga jeta e rëndomtë e fshatit, në një jetë në shoqërinë e lartë, ende e pa njohur nga ai sepse është ende fillimi…Zhylien Soreli, djali zharavel, që paragjykohej shumë nga zonja Dë Rënal, jo vetëm që do ja hiqte asaj këtë paragjykim të pa merituar, makar ai do shëndërrohet gjithçka për të. Zonja Dë Rënal bie në dashuri me Zhylienin. Por, kjo nuk ishte gjahu i vetëm i Zhylienit pasi ai njihet dhe me bukuroshen Amanda Bine në lokalin ku ajo punonte, por një dashuri të zjarrtë ai përjetojë dhe me zonjushën De la Mol (Matilda) vajza e markezit De la Mol. Trekëndeshi Zhylien Sorel, zonja De Rënal, Matildë, pati shum kontraditka deri sa Zhylieni plagos zonjën Dë Rënal, ndaj tij bëhet gjygj, ajo e fal, por gjithësesi ai dënohet me internim në Siri… Kjo është pak a shumë historia e të riut inteligjent, i cili nga një i varfër e me një jetë të thjeshtë arriti të përshtatet madje të spikasë në shoqërinë e lartë.

e-kuqja-dhe-e-zeza-stendal

Jola Struga

  1. Zhan Valzhani te romani i Viktor Hygo, Të mjerët‘: Një njeri i sprovuar gjatë gjithë jetës së tij, i burgosur për një copë bukë, sepse nuk kishte ç’të hante… Ndonëse kishte gjithë të drejtat për të qenë i vrerosur me botën e fatin e tij, sfida më e madhe që ka është të lartësojë vetën, të ruajë pastërtinë e ndërgjegjes dhe në fund ia del. (mbeten të paharrueshme netët e gjata kur egoja dhe shpirti i tij përballeshin e ky i fundit fitonte përherë, ndonëse me kosto të lartë). Pa dyshim, është pena e Viktor Hygo në mes, por një personazh si Zhani, të prek në thellësitë më të mëdha të shpirtit duke mbetur përherë aty, me ty.

vellimet-te-mjeret

Përgatiti Albert Gjoka

Menaxher i projekti Bukinist.al, – pasion për librat

(Shënim: Emrat e personave të përfshirë në garë janë lënë siç janë prezantuar në rrjetin social Facebook.com/bukinist.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *