Recension për librin: Ja pse duhet të ketë lexim të “Hiena bankare” të autorit holandez Joris Lunendijk edhe në Shqipëri. Skanderbeg Books e sjell në shqip për lexuesit
Zef Preçi
I shkolluar ne regjimin e shkuar, por edhe i vetëmësuar apo përshtatur pas 1990-tes, i hyra me një fryme leximit të këtij punimi të shkruar më 2011-2-13 dhe të bazuar ne 200 intervista nga 250 mijë punonjësit e Londres- “qytetit sa Berlini, Madridi dhe Parisi të marrë sëbashku” – një libër jo fort i lehtë për t’u kuptuar. Fillimisht pata ndjesinë që ka vizitori kur hyn në korridoret e një monumenti historik të njohur nga librat a thëniet e të tjerëve, pa qenë i shoqëruar e drejtuar nga ciceroni. Por, sa më shumë shfletoja faqet e “Hienat bankare”, aq më shumë në të vërtetë autori jo vetëm drejtonte udhëtimin, por herë-herë shoqëronte në heshtje për t’i dhënë mundësinë lexuesit që të reflektonte mbi atë se çfarë shihte, herë-herë sillte në ligjëratë të drejtë rrëfimet e aktorëve të përfshirë për të gjykuar pa qenë i ndikuar nga perceptimet e autorit, dhe herë-herë ofronte përfundimet e vëzhgimeve të tija të holla e përgjithësuese mbi çfarë po ndodhte në botën e kapitalit, në financat e larta në periudhën pas krizës globale të vitit 2008.
E ndërsa kaloja nga një kapitull në tjetrin, m’u davarit edhe paragjykimi i dytë – leximi i një libri të frymëzuar nga teorite konspirative (shumëkund mund të kujtojë ‘Konspiracioni-n Botëror”, teoritë mbi masonët, etj). Në punimin që kemi në dorë sot nuk ka asgjë të tillë: Është “tokësor” në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Lexuesi, edhe ai që nuk ka formim të mirëfilltë financiar apo ekonomik, hapa pas hapi kupton se sa larg ka shkuar sofistikimi i sistemit financiar botëror, i tregjeve të kapitalit apo kompleksiteti i produkteve të ofruara nga bankat tregtare, kompanitë e sigurimeve dhe bankat e investimeve; se “Qyteti” pra qendra financiare e Londrës është një labirinth interesash dhe pleksje individësh nën një hierarki të modelit perandorak. E nëse ballafaqojmë udhëtimin e dhënë me mjeshtri nga autori, me zhvillimet e dekadës së fundit, një numër konkluzionesh të vijnë njëherësh në mendje.
Së pari, “Qyteti” apo qendra financiare e botës së sotme nuk ka asgjë mistike, hyjnore apo që nuk e rrok dot mendja njerëzore e “qytetarit mesatar”… Është një qendër pushteti me interesa të fuqishme financiare, tregjesh, sundimi, përfitimi, etj. E në këtë kuptim duhet ta falënderojmë autorin për “demistifikimin” e kuptimit të rolit dhe mënyrës së funksionimit të kësaj qendre, por edhe për mënyrën se si koncepte, nocione, institucione, individë, maska dhe fytyra i ka stigmatizuar në një formë të kapshme për lexuesin e çdo moshë dhe formimi. E kështu, kuptojmë përse udhëheqësit më të fuqishëm të botës perëndimore ndërhynë në tregjet pas falimentimit të ”Lehman e Bothers” duke injektuar kapital të freskët në banka (pra, prekën thesarin/financat publike) e në ndryshim nga qëndrimi ndaj Depresionit të Madhe (1929-1933), lanë mënjanë parimet teorike për “mosndërhyrjen e shtetit në ekonomi” dhe sollën një situatë ku “Qyteti” dhe aksesorët e tij “privatizuan përfitimet” ndërsa burokracia qeveritare i ndihmoi që “të shoqërizonin humbjet”…
Së dyti, në gjykimin tim, autori nxjerr qartë se krizat, në ndryshim nga mënyra se si i shpjegonte ato dikur filozofi dhe ekonomisti Karl Marks si “bashkëudhëtarë të kapitalizmit”, në ditët e sotme as mund të parashikohen e as mund të ndalohen, por një gjë është e sigurtë: marrëdhëniet e botës së sotme financiare të rregulluara nga një mori aktesh ligjore, udhëzimesh, rregulloresh, etj., kanë të njëjtin themel si dyqind vjet më parë – besimin. “Për shekuj, Qyteti është qeverisur nga parimi “burri e mban fjalën” – shkruan diku në libër autori – dhe kjo vazhdon të jetë motoja e bursës së Londres” (fq.109). Domethënë, edhe pse jetojmë “në botën e financës së globalizuar” siç thotë autori dhe tregjet e kapitalit janë sofistikuar dukshëm, themelet e vërteta të sistemit mbeten po ato të fillimit të ekonomisë së tregut… Ky trajtim bindës, por i argumentuar me sjelljen e niveleve të ndryshme të vendim-marrjes dhe disproporcionet e përfitimeve të hierarkisë prej 5% të banorëve të qytetit kundrejt 95% tjetër, më solli në mendje një punim tjetër të paradisa viteve të një autori amerikan të titulluar “Ide te gjalla nga ekonomiste të vdekur”. Mirëpo duket se në ditët e sotme raporti midis interesit të publikut dhe interesit publik, raporti midis të moralshmes apo morales dhe amoralitetit dhe imoralitetit, kontrolli shoqëror mbi zhvillime të tregun e kapitaleve, mbrojtja e konsumatorit, apo midis mbajtjes së fjalës dhe mashtrimit në financa, etj, etj., janë të ndryshme prej asaj kohe…
Së treti, duke u zhvendosur në kontekstin e Shqipërisë, për shkak të nivelit të arritur të zhvillimit të ekonomisë sonë kombëtarë, disa detaje të dhëna në këtë libër janë tejet të vlefshme veçanërisht sa i takon përshembull rolit të Goldman Sachs si në shkaktimin e krizës greke, ashtu edhe në përpjekjet për minimizimin e pasojave të kësaj krize dhe në ofrimin e këshillave “si të ndreqnin rrëmujën e krijuar”… Mendoj se mësimi që mund të nxirret në këtë rast është se largimi nga parimet bazë të funksionimit të tregjeve të kapitalit, mbështetja në vlerësimet me tre A apo në “Doing business” për të mbajtur të qetë opinionin publik, tregjet dhe investitorët nuk janë të mjaftueshme për një ekonomi funksionale të tregut, ose duhet pranuar se qetësia, ashtu si në ekonominë globale zgjat aq sa i intereson dhe mbahet si e tillë nga Qyteti…
Së fundi, pa dashur të ndalem në deduksione të tjera rreth këtij libri, mendoj se sjellja në shqip e tij i shërben një numri të madhe njerëzish dhe jo vetëm eksperteve të fushës. I shkruar nga një gazetar me përvojë shumëdimensionale, një person i pajisur me dijeni të thella që e çon lexuesin edhe në skutat më të errëta të një bote të mbyllur për publikun e gjerë aq sa edhe funksionimi i shtetit të Vatikanit, mendoj se leximi i tij i shërben formimit qytetar, civil dhe civic të njeriut në një vend në zhvillim si Shqipëria; iu shërben nxënësve dhe studentëve të etur për dije e shkencë; iu shërben edhe atyre që e mendojnë shoqërinë, institucionet demokratike dhe ato të ekonomisë së tregut (ku bëjnë pjesë edhe bankat e tregjet e kapitalit) si statike dhe të dhëna njëherë e përgjithmonë, pra për t’u orientuar më mirë në një botë globale të trazuar në të cilën jetojmë. E në këtë kuptim, iu shërben si një doracak padyshim sipërmarrësve dhe investitorëve, atyre që me kapitalin, me dhuntitë, me rrisqet që marrin mbi vete e çojnë zhvillimin ekonomik e shoqëror përpara. Nuk e teproj të them se punimi është shkruar me një profesionalizëm të tillë sa mund të krahasohet pa frikë me “Komedinë Hyjnore” të Dante Alighieri-t…
Pas leximit të këtij libri, bankierët e çdo lloji – të paktën ata “të thjeshtit” në një cep të humbur të perandorisë botërore me të cilët përballemi shpesh rrugëve të Tiranes apo në mjedise pune si ky i sotmi – nuk mund të hiqen më si misteriozë apo “të përvuajtur deri në amëshim…”- ne i njohim ata edhe në “anën e errët të tyre” falë “Udhëtimit në botën e bankierëve” e për këtë më lejoni të shpreh mirënjohjen e rastit për autorin, z. Joris Lunendijk.
“Hienat bankare” është libër që duhet studiuar dhe jo vetëm lexuar, e për këtë duhet t’i jemi mirënjohës përveç autorit që gjendet sot midis nesh, përkthyesit dhe shtëpisë botuese “Skanderbeg books” që e solli këtë punim në shqip.
Autori është drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Materiali është mbajtur në prezantimin e tij të këtij autori në promovimin e librit të tij, “Hienat bankare” zhvilluar më 29 tetor 2016 në Tiranë
Librin “Hienat bankare” të Joris Lunendijk mund ta porositni direkt te Bukinist.al dhe ai iu vjen në adresën tuaj pa kosto shtesë.