Refleksion rreth librit “Teoria e shoqërisë” e Niklas Luhmann, i cili është një nga sociologët më të mëdhenj të shekullit të kaluar: Është themeluesi i sistemeve shoqërore dhe në veprën e tij është marrë me një gamë të gjërë problemesh. Vepra e tij rrok tema që analizojnë strukturën e politikës, të pushtetit, të së drejtës, të artit, të fesë, të ekonomisë dhe të semantikës së shoqërisë moderne.
Nga Mimoza Ahmeti*
“Teoria e shoqërisë” është një analizë social-filozofike që analizon vëzhgimin shoqëror si dhe mjetet vëzhgimore që ai përdor. Kjo kryevepër e specializuar e interpretimit u krijua nga autori i shquar sociolog gjerman, Niklas Luhmann dhe Profesori bashkëkohës italian, Raffaele De Giorgi, në një bashkëpunim sa intelektual aq edhe miqësor.
Libri vjen në shqip nën përkthimin kristalor të përkthyeses tashmë të njohur, Adriana Prizreni, e cila ruan jo vetëm transparencën por edhe thekët e gjatësive ku mbarojnë e ndërfuten idetë, duke ruajtur autenticitetin dhe erudicionin që vepra përçon. E botuar nga “Pika pa sipërfaqe”, kjo vepër prezantohet në Facebook-un e kësaj shtëpie botuese, me këtë paraqitje të autorëve dhe të tematikave përbërëse që njëherësh janë dhe pyetje esenciale të Qenies, si: Përse shoqëria moderne është moderne? Cili është dallimi midis kësaj shoqërie dhe shoqërive të tjera që e kanë paraprirë? Dhe përse kjo shoqëri është komplekse? Cili është dallimi midis së vërtetës dhe së drejtës? Po midis dashurisë dhe pushtetit? Cili është dallimi midis sistemeve të ndërgjegjes dhe shoqërisë? Po midis komunikimit dhe të kuptuarit? Po midis historisë dhe evolucionit? Çfarë do të thotë se shoqëria evoluon? Po idetë, a evoluojnë edhe ato?
Këtyre pyetjeve kërkon t’u përgjigjet “Teoria e shoqërisë”: -një teori që përdor njohuritë më komplekse të mendimit bashkëkohor për të përshkruar shoqërinë si sistem universal i komunikimit. Një teori që bëhet gjithnjë e më shumë aktuale dhe ngjall një interes gjithnjë e më të lartë në Europë, në Amerikë e në vendet aziatike.
Niklas Luhmann është një nga sociologët më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Është themeluesi i sistemeve shoqërore dhe në veprën e tij është marrë me një gamë të gjerë problemesh. Vepra e tij rrok tema që analizojnë strukturën e politikës, të pushtetit, të së drejtës, të artit, të fesë, të ekonomisë dhe të semantikës së shoqërisë moderne.
Raffaele De Giorgi ka studiuar dhe bashkëpunuar me Luhmann per rreth 20 vite; në veprat e tij është marrë me shkencën e së drejtës, me strukturën e shoqërisë, me semantikën e koncepteve historike, me format e pabarazive, me devijimet, me riskun e deri me periferitë e modernitetit.
Një nga format e vëzhgimit është shoqëria. Ajo prodhon mjetet e vëzhgimit dhe me to mban veten duke e interpretuar. Mënyra sesi vëzhgohet diçka është në të njëjtën kohë strukturë. Ndryshimi i vëzhgimit është ndryshim strukture.
Variabiliteti i vëzhgimit është edhe ai i strukturës, dhe në këtë vonesë ndryshimesh vëzhgimore, mbahen sistemet, si një turbinë rreth të cilëve vërtitet vonesa drejt përftimit të diçkaje tjetër, bota fenomenologjike rreth komunikimit, ku vetë gjuha nuk vesh dot ndodhinë edhe pse përpiqet ta mbërthejë, dhe transpirimi i kuptimit (dalja e tij në sipërfaqe) mbetet i pjesshëm për të shtyrë përpara e njëkohësisht mbajtur procesimin në strukturë.
Strukturë fillimisht mund të jetë një interpretim i thjeshtë, pastaj diçka më shumë:- përhapje e tij, deri ne normë vëzhgimi apo ideal. Por dhe një diskurs i veçantë kur gjen veten te një tjetër, qoftë edhe në negacion, bën strukture, pa pohim shumice.
Nga kjo pikëpamje, vëzhgimi mësohet dhe njëherësh ndodh jashtë mësimit. Shenjat dhe semantikat që të mësojnë vëzhgimin dhe mënyrat rreth tij, janë më të vjetra sesa vëzhgimi vetë, që ndodh gjithmonë në kohën TANI e, në këtë sens, ka një asimetri midis të pamit si mënyrë e paramenduar dhe optikës përditore njerëzore, e cila mund të jetë më pak apo më e avancuar sesa vetë metoda e ofruar, pasi secili i përdor dhe përpunon kodet e vëzhgimit ne atë mënyrë që të shohë diçka që e shikon vetëm ai, sepse me të vërtetë ndodh kështu: çdo njeri është i papërsëritshëm në vetinterpretimin e tij dhe rrethanat e kuadratit të qenies së tij, dhe deri më sot askush nuk ka mundur të jetojë brenda lëkurës së tjetrit për të parë ngjarjen mentale të tij, përjetimin e saj, domethënien për të.
Deri mjaft vonë ideali metafizik e supozonte si domosdoshmëri që të njësojshmëronte kuadratet e qenies, së paku donte ta aspironte diçka të tillë. Autorë si Marks, Habermas e deri diku Hegel, siç thotë Luhmann, kishin si ideal të jetës së tyre mbushjen e kryeve njerëzore me njëllojshmëri mendimi, pra, me princip dhe me interpretim rrjedhor e shkakësor, që ndiqnin njëfarë sensi, edhe pse mbaheshin në një premisë që merrej e mirëqenë si e tillë për të gjithë, verbërisht.
Sot vëmë re një pluralitet vëzhgimesh, jo vetëm ndërmjet sistemeve, për aq sa ata ekzistojnë, por edhe brenda individualiteteve psiqike për aq sa ata kanë autonomi. Në këtë sens sistemi dhe individi kanë një kufi relativ dhe ekzistojnë të pavarur për aq sa krijojnë pavarësi për njeri tjetrin.
Sistemet rixhide dikur ekzistonin e mbaheshin prej një varësie shumë të madhe që kishte individi (nëse mund ta quajmë sot kështu atë që Marksi e quante “anëtar”) ndaj shoqërisë, kurse sot ekzistenca e të dyja palëve, e sistemit dhe e individ, ka një vartësi kaq korrelative saqë sistemi duket i kushtëzuar prej tij, pasi shpejtësia e integrimit rrezikon jetën e semantikës, domethënë vlerën si sistem referimi, duke marrë kështu në dimensione të konsiderueshme shoqërore, formulime ose mënyra operacionale që i ngjajnë më shumë autopoiesit (vetëriprodhimit), sesa sistemit.
Fenomene shoqëruese sociale-jo sociale bashkëkohore si: korrupsioni, papunësia, evazioni fiskal etj., e shumë informalitete të tjera, me gjithë interpretimet formale, kritikat nga pikëpamja kritike, tregojnë se njeriu dhe sistemi rrëshqet nëpër rrugët e veta për të riprodhuar qenien e tij, me gjithë binarizimin e tij apo principin fallik-vleror, dhe përdor vëzhgimin e vet, pavarësisht metodologjive dhe standardeve që shoqëria ofron për riprodhimin e vetes.
Në këtë pikë, Luhmann paraqitet tërësisht novator. Ai i merr parasysh në përllogaritje të gjitha këto mospërputhje duke krijuar konceptin e Vetë-Referencës, në të cilin punon principi i brendshëm ndryshe nga ai i jashtëm, hapja dhe mbyllja e drejtimit të vetes në lidhjet për vetëriprodhim, si dhe bashkë me të: konceptin themelor që bota lëviz e mbahet te Kuptimi.
Kuptimi është forma e brendshme e jetës së ligjit, jeta e tij e jashtme varet nga riprodhimi i jetës si shoqëri, pra jo thjesht si organizëm, por si organizëm i transferuar në kuptim, në organizim.
Sigurisht, edukimi i vëzhgimit është në të njëjtën kohë edhe krijimi i objektit të vëzhgimit. Ai është dhe do të mbetet edhe korruptimi i vëzhgimit në një farë mënyre. Krijimi i objektit të vëzhgimit nuk mund të mbahet si është nëse ai nuk ofron mjaftueshmëri në riprodhimin e Qenies së cilës i ofron vëzhgim.
Qenia ka rrugët e veta të vëzhgimit, ku semantikat janë vetëm një propozicion që ka marrë parasysh pikën kulmore të Qenies dhe pozicionimin e saj temporal, por për vete qenien, hierarkia nuk ekziston veçse si atraksion orientimi dhe ajo e përpin atë, për t’í siguruar vetes kulmin, në të gjitha pikat, (kulmin e dëshiron çdo njeri).
Luhmann e kuptoi se bota nuk mund t´í siguronte më vetes botë, dhe se njeriu vetë po kuturiste të krijonte botën e vet në pasdorjen që bota e la atë, dhe ishte e çuditshme: ai e sfidoi botën. Dhe vetëm kështu bota vazhdoi. Vazhdimi i botës rezultoi më i rëndësishëm se vetë bota, pasi vetëm vazhdimi e nxjerr botën nga kriza, edhe e vrojtimit.
Sfida vinte sepse pas vlerave të fetishizuara qenë nulifikuar forca, të cilat sapo u gjendën jashtë bote, jashtë nulifikimit, krijuan botë. Atëhere u bë e qartë se vlera është çështje force dhe se secilit i mbetej të bëhej i fortë e të signifikonte, ose të pranonte tërheqjen, humbjen.
Bota nuk mjaftonte, duhej shtuar botë në botë, dhe bashkë me shtimin ndodhi edhe transformimi e reduktimi.
Shkëputja nga rrënjat e identitetit, emigrimi, refugjimi, deklasimi, pushtetimi, tradhtimi, seksizmi etj., të gjitha këto diskure ekspozojnë pamjaftueshmëri identifikimi brenda besimit të botës dhe një nevojë për një orientim të ri përqasjeje të saj, që është në tërësi çështje ristrukturimi.
Kuptimi ecën shumë më shpejt se gjuha dhe vija e demarkacionit spostohet gjithmonë më tutje duke zmadhuar botën pozitive në gjatësi të caktuara të dimensionit shoqëror, nëpërmjet lirisë dhe të drejtave, duke ezauruar vetë kuptimin historik, duke i hapur rrugë kuptimeve të reja.
Koncepti i Vetë-referencës funksionale, jo vetëm aktivizon diferencën, por bashkë me të e ezauron atë, në nivel individual dhe sistemor, duke rritur shpejtësinë integrative dhe hapur perspektiva fizike për një binarizim të ri vëzhgimi botor.
*Doktore e shkencave psiko-sociale, UMSH
Librin “Teoria e shoqërisë” mund ta porositni direkt online, me nje telefonate dhe brenda pak oresh ai vjen ne destinacionin që doni ju:
Shkrimi u botua te gazeta MAPO. Titulli është redaksional
Në foto: Niklas Luhmann, një nga autorët e librit dhe kopertina e librit “Teoria e shoqërisë”. Më poshtë: Kopertina e librit “Teoria e shoqërisë”, botim i “Pika pa sipërfaqe”, viti 2016