“Titanik”, një shpirt poetik që shfaqet plot urtësi dhe origjinalitet

aldo-shpuza-titaniku

Reflektim rreth vëllimit poetik “Titanik, Ti-tani-ik” i poetit Aldo Shpuza, i hedhur në qarkullim në muajin nëntor 2016 nga enti botues “Magus”

Albert Gjoka*  

Shumë persona tentojnë apo shkruajnë poezi, por pak sish gdhenden në antologji; shumë të rinjë joshen nga vargëzimi në fillesat e ndjesive apo reflektimeve rreth dhe për botën, por vetëm pak prej tyre e ruajnë freskinë dhe mjeshtrinë e të shprehurit; shumë doracakë/fletore me poezi hidhen në qarkullim në tregun e librit çdo muaj apo çdo vit, por sa shumë firojnë prej tyre dhe sa pak rreshta mbesin në mendje. Në këtë betejë të përjetshme për të skalitur pak vargje a strofa dhe për të bërë për vete lexuesit vjen edhe libri “Titanik, Ti-tani-ik” i Aldo Shpuzës.

Mosha, prejardhja, edukimi apo faktorë të tjerë të jashtëm nuk na ndihmojnë fare ose mund të na japin veçse ca pak hije për të shkuar brenda sferës poetike që rrok vëllimi në fjalë që sapo është hedhur në treg.

Konteksti social dhe faktorë të tjerë të jashtëm qëndrojnë me botën e brendshme të poetit tamam në raportin që ajsbergu shfaq teksa qëndron mbi dhe nën ujë. Një qasje jo thjeshtë fizike e qëndrimit të trupit të ngurtë në mjedisin e lëngëta; as një teknikë letrare si ajo e “asjbergut” për të cilën fliste edhe Ernest Heminguej, por është një raport mes botës tënde të jashtme dhe asaj të brendshme, krejt i veçantë dhe plot mjeshtri te Aldo Shpuza: Këtë karrem na e jep titulli i vëllimit poetik, por elementet e tjera paratekstualë, si hyrja, që ka shkruar vetë autori, nuk na ndihmojnë shumë, me përjashtim të faktit se poeti pohon dilemën ekzistenciale mes të dhënurit formë të poezisë në njërën anë dhe të qenurit i lirë për të shpalosur vetveten nga brenda, pra vetvetja në anën tjetër.

Jo edhe aq për fajin e tij, forma vjen e lirshme, e palimuar deri në detaje nga filtra redaktorialë, por përmasa e lirisë së brendshme është e pamatë, origjinale, autentike, plot ndjesi, shije, fuqi shprehëse, ritëm të brendshëm, etj. Këtu nuk iu lë gjë mangut për nga pasuaria, bollshmëria dhe talenti as mjeshtrave të sprovuar të vargnimit.

Shkrimtari i shkujdesur” sfidohet nga gurra e brendshme poetike; nga ndjesitë e shumta vibruese brenda trupit dhe mendjes, nga lirshmëria dhe zhdërvjelltësia për të artikuluar me fjalë poetike gjendjet dhe ndjesitë, nga konflikti mes arsyes dhe intuitës. Të gjithë ndjejmë, frymojmë, prekemi, pranojmë, refuzojmë, dashurojmë, rebelohemi, zhgënjehemi në përballjen tonë me botën, me qeniet, me të bukurën, me femrën/mashkullin, etj, por pakkush artikulon një qasje universale, ashtu siç e sendërton poezia dhe arti; pakkush është i vërtetë, i thjeshtë, i qartë, i artikulueshëm, i ëmbël dhe i gjithëpranueshëm: Pakkush e përmban dhe e shtrydh mllefin, urrejtjen, vdekjen dhe shkatërrimin përballë pranimit, përshtatjes, jetësimit, dashurisë dhe përjetësisë për të shndërruar në një mësim apo leksion jete.

Në qasjen me dashurinë, me femrën, me kohën, me artin, me heshtjen, me vdekjen, me natyrën, me shiun, me liqenin, me paraardhësit, me politikën, me shoqërinë e kështu me radhë, autori është kërkues, teksa kërkon thelbin e gjërave: Ai është brenda dhe jashtë, është qenie e arsyeshme, por edhe e ndjeshme njëherësh, – që synon të shkojë drejt një unifikimi: “Aty ku mendimet vdesin, vjen fuqia e heshtjes”.

Jeta është një mision për të kuptuar vdekjen, vdekja nuk është fundi i misionit, por fundi i të kuptuarit të jetës”. (“Serenatë”, fq. 79). Të tilla refleksione ka shumë, të cilat nuk vijnë si aksioma apo teorema logjike, por vijnë si të vërteta personale, të thella, shpeshherë të fuqishme, dhe të natyshme, pas një rrugëtimi të çlirët të ndjesive të shpirtit përmes një urtie të pazakontë për moshën: “Dashuria i mëson njerëzit të flasin, heshtja i mëson të dashurojnë”. (“Titanik”, fq. 21); “Në qoftë se uji ka memorie, atëherë shiu patjetër ka kujtime”. (“Valsi i liqenit”, fq. 8); “Në qoftë se mikroskopi deri më tani nuk ka arritur të shohë shpirtin e njeriut, nuk do të thotë që shpirti nuk ekziston. Nuk ekziston akoma mikroskopi”. (“Shpirti im”, fq. 30); “Dashuritë lindin në universe të ndryshme. Koha i bashkon./Tradhëtitë lindin në të njëjtin univers. Koha i ndan në universe të ndryshme”. (“Autostrada gjashtëdhjetë”, fq. 36) “Ne nuk i kuptojmë kohët e foljeve, prandaj nuk e kuptojmë Zotin” (“Ne të dy”, fq. 65); “Në qoftë se i vëmë dashurisë një kapak, ndryshe nga të gjithë kapakët e tjerë, ai mbyll një enë bosh!” (“Nuk dua”, fq. 69); “Padija është stacioni i fundit i dijes” (“Vërtetë nuk e di”, fq. 83); “Dashuria është placebo, por efektin e ka të vërtetë” (“Për ty”, fq. 90): “Ëndrra e një nate është një poezi e pashkruar e një dite!” (“Trëndafili i heshtjes”, fq. 91): “Drejtësia është si një shkop i shtrembër. Nuk mund ta drejtosh atë, pa e thyer më parë” (“Vrojtues”, fq. 98): “Rruga e vetme që të shmangësh të pashmangshmen është duke mos e shmangur atë” (“Për poeten”, fq. 99); “Në se shkruan një poezi gjeniale, ajo me siguri është për një femër, nëse shkruan një poezi për një femër, me siguri ke rënë pre e gjenialitetit të saj” (“Asaj”, fq. 107).

Të tilla reflektime të thella ka plot; këtu është gjysma e dytë e gjithë poezisë së Aldo Shpuzës: Këtu qëndron një prej veçantësive individuale të tij, ku urtësia vjen natyrshëm, pa stërmundime racionale, dhe thellësia e saj nuk njeh moshë. Pra, sekreti i urtësisë nuk vjen si rezultat i një analize logjike të fjalës, i një procesi racional; por vjen si rezultat i fuqisë së heshtjes, i meditacionit, thuajse i veçantë përkundër traditës apo bashkëkohësisë së poezisë shqipe:

Fjalë, veç fjalë më vijnë ndërmend

dua të mbyll sytë njëherë,

Të dëgjoj

zërat e ëndrrave që nuk flasin

por më bëjnë

Të jetoj!

Fjalë, asnjë fjalë,

Nuk më vjen ndërmend….” (“Fjalë”, fq. 106)

Tjetër veçantësi është edhe mënyra e ndërtimit pa sforco e metaforës, e cila është e plotë, e gjallë, shënjuese, shprehëse, autentike, – e ardhur pa “leksione stilistike” apo “përvoja të gjata leximesh” me laps në dorë. Sprovimi stilistikor vjen natyrshëm, paçka se hasen edhe poezi si “Shshshsh” ku ka përpjekje tejet të çmuara për të arrirë përsosjen e strukturës së vargut dhe të poezisë. Edhe diçka tjetër: Në të gjithë vëllimin ka fjalë të rralla, të vjetra por edhe neologjizma, të cilat shfaqen si rezultat i talentit të spikatur të poetit.

Ky vëllim poetik do të kishte qenë më i arrirë nëse do të ishte bërë një punë redaktoriale më e kujdesshme, në strukturimin e ndonjë vargu, në korrektimin e ndonjë gabimi gramatikor, por kjo nuk e cënon aspak talentin poetik dhe vlerat e këtij vëllimi, i cili, veç mjeshtrisë, futet plot urtësi në botën e madhe të poezisë shqipe me identitetin dhe vlerat e tij të spikatura. Edhe nëse e kam tepruar ndopak me vlerësime për këtë vëllim poetik, jam gati të mbaj përgjegjësi edhe nesër për ato që kam thënë sot.

Autori vazhdon studimet e doktoraturës në degën e letërsisë pranë Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës

Porosite direkt librin te linku “Titanik, ti-tani-ik

titanik-ti-tani-ik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *