Vera Bekteshi, një mozaik fatesh dhe jetëshkrimesh

vera-bektashi-prec

Një lexim rreth librit: “Ora me rërë” i shkrimtares Vera Bekteshi, i shkruar me kulturë dhe shije. Personazhi i vërtetë pa imagjinaren rrezikon të mos jetë letrar, por jetëshkrim

Nga Preç Zogaj

Jeta e çdo njeriu është një klepsidër (orë me rërë) që zbrazet me ritmin e njëtrajtshëm, por nuk kthehet  për asnjë çast nga e para.  Jeta e brezave gjithashtu. Por  letërsia ka zakonin ta “kthejë” këtë enë  dhe të ritregojë për disa orë atë që  ka ndodhur  për  shumë vite me një njeri, me një brez, me disa breza e kështu me radhë.

Këtë bën romani i “Ora me rërë” i shkrimtares Vera Bekteshi. Fillon nga fundi,  aty ku do të mbarojë,  me  vetëvrasjen  e  Viktorit, njërit prej personazheve tragjikë e  më të spikatur të librit dhe letërsisë sonë në përgjithësi. Vijon  pastaj  me  kthimin në restrospektivë,  nga vitet shtatëdhjetë  të shekullit të kaluar e deri në dhjetëvjeçarin e  parë  të shekullit të ri,   të jetës së një grupi  gjimnazistësh  të viteve shtatëdhjetë  në  Tiranë që do të mbesin të lidhur  përgjithmonë me njeri tjetrin edhe pasi të kapercejnë ndryshimin  e regjimit dhe të bëhen pesëdhjetëvjeçarë,   si për të provuar atë që thotë Ekxypery  se nuk krijohen më  miq të vjetër. Pas dyqind e  shtatëdhjetë   faqesh kthehet sërish aty ku ka nisur te  homazhi dhe rekuiemi  i miqve  të vjetër për Viktorin,  ish nxënësin dhe studentin e shkëlqyer, një  arkeolog ,  një intelektual i sofistikuar  me interesa të gjera, që nuk mundi ta çonte përtej të pësëdhjetave  barrën e jetës dhe ka vdekur  në një mëtim metaforik  për të thyer ligjet e gravitacionit , të dëshpërimit dhe të së keqes gjithashtu  që na mbajnë  të  kapur pas tokës.

Ka romane që shpërfaqin anatominë e një nate apo çasti të vetëm, ku kondensohet një histori e caktuar. Ka romane që rrokin dekada  në shtrirjen e tyre  kohore,  siç  është, për të marrë një shembull të freskët, romani “ Kanali Musolini” i shkrimtarit italian Antonio Pennachi ( botim në shqip nga “Dituria”, me përkthimin e Diana Katrastit), në të cilin historia e  Italisë  në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë në përthyerjen e saj vjen dhe shpaloset  në  historinë   e një familjeje të thjeshtë italiane.  Midis  këtyre skajeve ka plot e plot romane që zhvillohen në intervale kohore  të larmishme.

Romani Ora me  rërë  mund të konsiderohet një roman  i skajit të dytë në ndarjen tonë.  Ai është kompozuar si një mozaik fatesh e  jetëshkrimesh  paralele,  që takohen  e ndërthuren here pas here në udhëtimin  dhe  ndërveprimin e tyre  tridhjetëvjeçar, në kontekste politike e shoqërore të njohura, gjë që  përcakton sfondin historik të romanit  në lidhje të natyrshme me fatet individuale të personazheve. Çdo roman realist është edhe histori.

Ora më rërë vetëm e verteton këtë sentencë të njohur. Lexuesit  gjejnë aty  përgjigje të  shtjelluara  në një subjekt letrar  për pyetje  që mbeten gjithnjë intriguese:  Çfarë ishtë rinia  oksidentale e  Tiranës e viteve shtatëdhjetë,  ajo që  ka lënë sot e gjithë ditën kujtimin e  një meteori në qiellin  tonë të lirisë? Si u reflektua në Tiranë lëvizja e famshme rinore dhe intelektuale e  viteve  gjashtëdhjetë  e tetë në Europë  përsa i përket hapjes, modës,  kontaktit  me muzikën, letërsinë dhe filozofinë  moderne?  Cilat ishin në  Tiranë  jehonat e  parullave   “heretike”  të tilla si “ është e ndaluar të  ndalosh” apo “ jini realistë, kërkoni të pamundurën” e tjerë?

Pa pretenduar të  pasqyrojë një  tabllo shteruese, Ora me rërë  sjell ngjarje dhe  personazhe  të spikatur  të pranverës  së  vogël shqiptare  të atyre viteve, ku siç merret me mend, tonin nuk e jep rrebelimi që mbetet i brendshëm  dhe impersonal  te shumë prej personazheve , por aspiratat, kërkesat,   prirja për të qenë të lirë,  njëlloj tolerance njerëzore e brezit të ri  që arrin të ngrihet për  pjesën që luan vetë mbi diferencimet klasore në sistem. Rasti më emblematik  në roman është  Nadja, një personazh qendror,  e cila është vajza e një të dënuari  nga partia, por që përtej privacioneve  të sistemit, nuk ndihet e përjashtuar apo e nënvlerësuar  nga moshatarët.

Një element tjetër në narrativën e  këtij romani , mjaft interesant për njohjen dhe leximin,  është  ajo  se çfarë ndodh  me një brez të  rinjsh të talentuar që janë bërë dyzet vjeçarë në shoqërinë e mbyllur dhe papritur  e shohin veten në liri.   Trajektoret që ndjekin jetët e perzonazheve janë të larmishme.  Ata luftojnë,  duke iu përshtatur rrethanave të reja, nën kërcënimin e një fataliteti  të pacilësueshëm, që ka lidhje me kohën që shkon dhe pamundësinë e shlyerjes së pengjeve.  Nadja është një grua e fortë që do të marrë shumë goditje  por nuk do të thyhet, ndërkohë që   Viktori, ai që ka qenë për shumë e shumë kohë një pikë referimi për  të gjithë, nuk do të arrije të orientohet e të gjejë veten, do të goditet nga  dështimet e pabesitë, pastaj do të takohet me mendimin dhe  aktin e vetëvrasjes  në një proces të shtjelluar  me mjeshtëri  nga autorja.

Temat e librave letrarë  janë  dhe jepen falas në panairin e hapur të jetës.  Shkrimtari u bën vend në letërsi, veç të  tjerash, me dhuntinë  për t’i  plazmuar në  subjekte   tërheqëse, me aftësinë për të hyrë thellë në botën  shumëdimensionale të personazheve  dhe dukurive, me kënvështirimet e reja, me mënyrën e të shkruarit.

Romani Ora me rërë  ngrihet mbi temat e veta  në kuptimin letrar të fjalës dhe  dedukton mbi to atë që  ka nënvizuar  shkrimtarja Diana Çuli në një shënim  të saj, rrëfimin për goditjet e jetës dhe përballjen e tyre ku dhimbja dhe lumturia  shkojnë prapë e pranë në këtë kalejdoskop  karatekeresh origjinalë e tërheqës”.

Vera Bekteshi shkruan me kulturë dhe shije, ajo priret nga stili didaskalik që në pamje të parë të lë përshtypjen e një ftohtësie, por që nga ana tjetër eviton kudo gjënë e tepërt apo banalitetin, duke e bërë këtë vepër mozaik jetëshkrimesh të shoshitura, personazhi imagjinar pa të vërtetin është fiktiv. Personazhi i vërtetë pa imagjinaren rrezikon të mos jetë letrar, por jetëshkrim.

Shkrimi është marrë nga Mapo.al

(Porosite librin me një telefonatë 35544508282, me mesazh ose online, ose te linku: Ora me rërë

Paguaje në dorëzim. Transport KUDO.)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *