Muzën e Haresë – një vepër e çmuar lart nga kritika dhe lexuesi – për fat të keq, pas vdekjes së autores. Jo dikur, jo disa shekuj më parë, por thjesht në vitet ’90. Autorja ndërron jetë më 1996, romani lejohet të botohet më 1998. Vlerësime për përkthimin e Aida Baros
Diana Çuli
Shtëpia Botuese PEGI boton romanin Muza e haresë të shkrimtares italiane Goliarda Sapienza. Një vepër e çmuar lart nga kritika dhe lexuesi – për fat të keq, pas vdekjes së autores. Jo dikur, jo disa shekuj më parë, por thjesht në vitet ’90. Autorja ndërron jetë më 1996, romani lejohet të botohet më 1998. Për arsye censurore që nuk do t’i radhis këtu, por që lidhen me moralin konvencional tradicional, me konceptin e gjerë apo të kufizuar të lirisë individuale dhe kolektive, me vetë qenien femërore që kulturalisht në Evropën tonë të vjetër nuk mund të mendohet njësoj e lirë si një burrë dhe për gjykimin e pavarur të një gruaje mbi ngjarjet politike e sociale të vendit të saj.
Zakonisht e fillojmë shkrimin për një libër me çka ai trajton, me temën, personazhet, subjektin, vlerat letrare, etj. Në fund themi dy fjalë për përkthyesin. Mendoj të them, kësaj radhe, dy fjalë për përkthyesen Aida Baro, e më pas të vazhdoj me romanin. Është pak të theksoj se është një përkthim mjeshtëror. Leksik i pasur, struktura gjuhësore të shqipes të rigjetura e të rizbuluara, përdorim të të folmeve dialektore me vend e me masë, me bukuri e me shijë, duke ia përshtatur me inteligjencë të folmeve të ndryshme të gjuhës italiane, tingëllimë e veçantë e një proze tejet të vështirë, plot të papritura leksikore, morfologjike e sintaksore të italishtes së ngritur e të përpunuar deri në skaj nga një shkrimtare e stërvitur dhe e kultivuar siç është Goliarda Sapienca. Aida Baro e ka vendosur tashmë – pas një përvoje jo të shkurtër – gurin e saj të themelit në përkthimtarinë e gjuhëve të tjera në shqip.
Goliarda Sapienza (1924-1996) është një personalitet sui generis i botës letrare e artistike të Romës dhe Katanias – vende midis të cilave ajo jetoi e shkroi. Mendimtare e lirë dhe e pakompromis ( i ati nuk donte as ta shpinte në shkollë, nga frika mos ndikohej nga bindjet fashiste) ajo, mes të tjerash shkruan edhe këtë vepër – Muzën e Haresë – (titulli origjinal: L’arte della gioia), në të cilin, më mirë se kudo, shpreh kredon e vet letrare, sociale, politike e ideologjike. Sepse, ajo mendon që edhe liria është një ideologji e ndërlikuar, e cila duhet kërkuar, pikasur, për të cilën duhet të përpiqesh për ta fituar e më pas për ta mbajtur.
Ky roman u mbarua së shkruari më 1976, por nuk u pranua nga botuesit, për portretizimin origjinal e jashtë normave të rolit femëror tradicional. Mundi të botohej vetëm më 1998, siç përmendëm më sipër, nga i shoqi, Angello Pellegrino, pas vdekjes së saj. Disa kapituj kishin mundur të botoheshin dhe më parë, më 1994, në një kolanë botuese. Por, suksesin e vërtetë e të padiskutueshëm romani e pati pas vitit 2008, i ribotuar nga EINAUDI, shtëpia botuese që po boton dhe veprat e tjera të autores. Mjafton të lexohen faqet e para të romanit për të kuptuar se ky libër është diçka e veçantë.
Se fëmija që po rrëfen në vetë të parë – dhe që do ta ndjekim rrëfimin e saj në 500 faqe të tjera, duke u rritur dalëngadalë – ka një personalitet që imponohet e që do ta bëjë të jetë nga ato heroina romanesh që nuk mund të harrohen, duke u shoqëruar edhe me figura të tjera grash që mbeten gjithashtu në mendje. Ajo quhet Modesta, nuk na e thotë mbiemrin, nuk e dimë kush është i ati, por në çastin e që ajo e njeh – dhe është vetëm katër – pesë vjeç, ai e përdhunon. Nëna dhe motra mongoloide vdesin. Më pas vazhdon një rrjedhë jete e çuditshme, nga kuvendi i murgeshave deri në pozicionin e princeshës, jetë që vetë Modesta e ndërton dhe e krijon, me mendjen dhe zgjuarsinë e saj.
Modesta është një forcë e natyrës. Nuk ndalet përpara asgjëje për të arritur atë që dëshiron: gëzime, kënaqësi, pasuri e siguri. E, atë që dëshiron, për shembull dashurinë, e merr pa iu dridhur qerpiku nga çdo qenie njerëzore që i pëlqen asaj. Nuk është xheloze, është e hapur ndaj çdo përvoje që sjell pozitivitet. E lindur njëkohësisht me shekullin e 20-të, më 1900-ën, ajo është një grua që i paraprin kohës së saj. Ajo nuk pranon që të ketë dallime mes burrave dhe grave.
Nuk ekziston asgjë që burrat mund ta bëjnë dhe ajo jo. Kalon orë të tëra edhe me libra, të cilët i ndrisin mendjen dhe shpirtin dhe i shpjegojnë botën e paanë. Bashkë me të ne përshkojmë distancat kohore të Italisë që prej fashizmit, dy luftërave, Republikën…Periudha, që ajo i përshkon me krenarinë e princeshës, – ajo, që kishte lindur për të qenë askushi. Ende tërheqëse edhe në moshën gjashtëdhjetëvjeçare, ende e gatshme të japë e të marrë, ende në qendër të një familjeje të madhe, përsëri me një dashuri për ta gëzuar jetën e saj.
Natyrshmëria e Goliarda Sapiencës kalon nga veta e parë në të tretën, rrëfimi ndjek ndryshimin, ndalet për të dialoguar, duke e pasuruar romanin me këto eksperimentime artistike.
Lexueset e sotme, të reja, të këtij romani shprehen se është vendosmëria e Modestës ajo që i habit, forca e saj pozitive, dëshira për të qenë e lumtur pa ia vënë veshin paragjykimeve dhe « rregullave » për gratë. Muza e haresë mbetet gjithnjë një roman i madh me një personazh të madh.
Shkrimi eshte botuar ne gazeten Mapo, date 10 dhjetor 2016. Titulli eshte redaksional
Porosite librin me një telefonatë, te 35544508282, me mesazh ose me nje klikim te LINKU
Transport KUDO. Paguaj në dorëzim.