Alma Mile
“E nderuara dhe shumë e respektuara e Tobozës, planet i ndjenjave dhe i mendjes së kalorësit të famshëm të Mançës, Dylqinjë”.
Këto dy rreshta nuk janë zjarr i zemrës së kalorësit dhe idealistit më të paepur, dashnorit të përjetshëm të së përndritshmes Dylqinjë e Tobozës, por fillimi i një letre që kritiku i përulur, Agim Baçi, ia nis damës së ëndrrave. Meqë zemra e tij digjej për një vajzë e shumë pikëpyetje i rrotulloheshin mendjes, kuturisi t’i shkruante pikërisht padrones së zemrës së Kalorësit të Fytyrës së Vrerosur, për të mësuar më shumë nga ajo zonjë e nderuar se çfarë duhet të bëjë një burrë për t’i pëlqyer një femre”
Dhe përgjigjja ia behu, por jo nga Dylqinja, por kalorësi dora vetë, që ndau me Baçin eksperiencat e tij. E kështu nisi letërkëmbimi mes tyre, çka duket se Baçit i lezetoi e nisi t’u dërgojë letra shkrimtarëve të zemrës apo heronjve të letrave të tyre.
Meqë ishte Dylqinja ajo që nxiti këtë rrugëtim, Agim Baçi e ka titulluar pikërisht “Letër Dylqinjës” përmbledhjen epistolare imagjinare, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”.
Letërkëmbimin e tij Baçi e ka mbajtur herë me shkrimtarë e herë me heronjtë apo heroinat e veprave të tyre. I shkruan Shekspirit, Tolstoit, Cvajgut, Kunderës, por edhe Çiçikovit, Brutit, Tom Sojerit, Zhvejkut, Alioshës, Kontit të Monte Kristos” Ca pyetje i ka edhe për damat, për Zonjën Bovari, Sara Mandin”.
Dhe përgjigjet vijnë gjithnjë. Ajo çka e bën të bukur, madje edhe argëtues për t’u lexuar, është stili që përdor autori për të shkruar letrat dhe përgjigjet, duke “huazuar” atë të shkrimtarëve letërmarrës. Herë shkruan me përdëllimin kalorësiak të Don Kishotit, herë pathosin dashuror shekspirian”
Dhe kësaj mjeshtërie stilistike i shtohet edhe mprehtësia e ilustrimeve të Bujar Kapexhiut. Çdo njëri prej personazheve shoqërohet me një portret, mbi të cilin janë përvijuar ato tipare që na kanë mbetur në mendje gjatë leximeve. Kështu që libri, mund të themi se është i këndshëm për t’u parë e për t’u kënduar.
PYETJE-PËRGJIGJET
Pyetjet që ai u drejton letërmarrësve nuk janë thjesht kuriozitete që i kanë lindur gjatë procesit të leximit të veprave të mëdha, sigurisht, janë edhe ato, por i tejkalojnë faqet e një libri dhe marrin përmasa më jetësore e universale. Një dimension që veprat, të cilave ai u referohet, e kanë fituar tashmë.
Pyetjet e tij lidhen me vetë jetën, me dashurinë, me vdekjen, me hakmarrjen, identitetin, idealin, besnikërinë, tradhtinë, çmendurinë e pasionit, hipokrizinë, ëndrrat e fëmijërisë, frikën nga rritja”.
Përse Romeo e Zhulieta duhet të sakrifikoheshin për dashurinë; po Leon Tolstoi përse nuk e kurseu Ana Kareninën, por e hodhi në shinat e trenit; po Ema Bovari a arrinte ta mbushte zgavrën që i krijohej në shpirt me dashuritë iluzore, duke kaluar nga krahët e njërit mashkull te tjetri; po Bruti si mundi t’ia ngulë thikën Cezarit, po Tom Sojeri a është rritur, si ka ndryshuar koncepti i lirisë për të dhe a vazhdon ta dashurojë Beki Theçerin; po Uriah Hipi me duart e lagështa si mund ta mbante gjithë kohës maskën e hipokrizisë, po Ushtari i mirë Zhvejk, përse nuk u bë kurrë serioz”?
Këto mund t’ju duken si pyetje të një lexuesi naiv, por prisni të lexoni përgjigjet për të kuptuar se nuk është kështu. Mirë është të mbani edhe shënime (edhe pse personalisht jam kundër shënimeve në libra, palosjeve dhe gjërave të ngjashme si këto). Por, në fund të fundit, ajo çka do të kuptoni prej këtyre burrave të zgjuar, por edhe grave, por edhe eksperiencës së vetë autorit, përgjigjet për të gjitha pyetjet mund të gjenden më mirë nëse gjithsecili do të lexonte më mirë veten.
Kërkohet një proces thellimi së brendshmi për të gjetur përgjigjet që lidhen me dashurinë, hakmarrjen, urrejtjen, hipokrizinë, ambicien, tradhtinë brenda nesh gjithnjë mbetet ëndrra e gjetjes së thesarit, e gjetjes së një vendi ku beson se është tërësisht i yti e ku ti dëshiron të qëndrosh pafundësisht vetëm me gjërat që dëshiron”, thotë Tom Sojeri.
Shkrimi është botuar te gazeta Panorama, me titullin: “Agim Baçi, letërkëmbime me shkrimtarë e heronj librash”. Titulli është i blogut.
Porositi direkt online te LINKU, me telefon te 35544508282 ose nga profili i Facebook i Bukinist.al.