Koha e çmendur…. e Stefan Çapalikut

sfetani-roman

Frano Kulli

frano-kulli2Segmente kohësh plot dalldi e trandje, që shpesh na kanë rrokullisë deri afër çmendisë e të shprishjes si etnos, ne shqiptarët, kemi përcjellë jo pak herë. Kësi copa e grima kohësh kemi pasë edhe në shekullin më të fundit, kur mirë a keq jemi administruar jo prej të huajt pushtues, por prej shtetit tonë. Stefan Çapaliku e ka ndarë një periudhë njëzetvjeçare prej kësaj kohe të çmendur, dhe duke i trajtuar ngjarjet e përzgjedhura si lëndë artistike, i ka shtjelluar në romanin e vet më të ri: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Romani i zhvillon ngjarjet në qytetin e Shkodrës…. Qyteti-ekstrat i rezistencës mbarëqytetare në Shqipninë e kohës së (kolerës) diktaturës.

Dhe është libri i tretë që shkruhet për Shkodrën në një hark të gjatë kohor, filluar me “Shkodra e rrethuese” e Marin Barletit, në shekullin e XV, për të vijue me “Rrethimi i Shkdorës” i Dom Ndoc Nikaj në vitin 1913. Dy gozhdët që mbajnë të tërheuqr litarin e ngjarjeve në romanin e ri të Stefanit janë ngulur, njëra në vitin 1967, kur Shqipërinë e shpallin shtetin ateist dhe tjetra në vitin 1985 kur vdes ai që e shpalli. Brenda këtyre dy ngjarjeve të forta, që përcaktojnë edhe segmentin më të ashpër dhe fantatik të komunizmit shqiptar, nxjerr krye një ngjarje tjetër, në dukje e vogël që është ardhja e televizorit në sthëpinë e vendosur në qendër të romanit.

Ardhja e kësaj kutie magjike, tamam në çastin kur Shqipëria po kthehej në një ishull të shkretë e të pashpresë, e ndan romanin në tri pjesë: Para (ardhjes së televizorit), Gjatë (koha kur nëpërmjet televizorit shikohej bota) dhe Mbas (koha që vjen pas vendosjes së zhurmuesit).

Romani e nis turrin tregimtar ndërsa jashtë po shkatërroheshin institutet e religjionit dhe brenda po lindte një institut i ri besimi, që ishte televizori, media. Ai i vë fre kallëzimit në kohën e realizimit të ëndrrës së diktatorit, vdekjes së tij në shtrat. Veçanërisht gjatë viteve të shndërrimit të shtëpisë së rrëfimtarit në një kinema, kemi rastin të njihemi nga afër me karakteret, të cilat qyteti bujarisht ia ka dhuruar kujtesës së autorit.

Autobiografik, romani është një dëshmi letrare e trupit, shpirtit dhe mendjes së qytetit, përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa. Personazhet që lëvizin nëpër ngjarje, por që edhe i parathonë e projektojnë ato, janë aso qytetarësh, arketipe gangull (copë, e pandarë, Fjalori i Gjuhës së sotme Shqipe, Tiranë 1980) të një qytetërimi bashkëkohës.

Ato vetë përbëjnë sfidën e çmendisë së kohës” Prof. Kolë Ashta gjuhëtari e Prof. Gjon Shllaku helenisti, që së bashku me zojush Netat (gratë që ishin mësuese) e tyne vijnë në orët ma të vona në shtëpinë-kinema, ku është ajo kosherja magjike (televizori), për me knaq sadopak shijet e tyre oksidentale.

Përtej bunkerit të madh ku ata, posaçe ndiheshin të ndrymë. Frederik Rreshpja-poeti, liriku i mrekullueshëm, që” qendiste në gjergjef (?) nën hijen e pemës në oborr. Masandej ma vonë, një ditë mësuesja e letërsisë e rrëfimtarit, nxënës asokohe, sapo hyn në klasë, pa filluar mësimin u thotë nxënësve: “Hapeni të gjithë librin e leximit në fq. 55. Po, po aty te poezia “Rapsodi shqiptare” dhe me kujdes” griseni. Po, po librin. Se autori i poezisë është shpallur armik i partisë dhe i popullit. Dhe as që ia zuri në gojë emrin Frederikut të shkretë”. (fq. 128).

Tefë Palushi (karikaturisti) bartësi emblematik i baracaletave-sfida më inteligjente e kohës së çmendur” Për një udhëtim 4 orësh në trenin nga Shkodra në Tiranë, në të njëjtën ndejëse me Tefen, cilido i ri student ishte, me gjithë qenien e vet i gatshëm të sakrifikonte çdo qasje tjetër me cilëndo bukuroshe” Zef Zorba, poeti, përkthyesi, dramaturgu, që” në funddhjetorin 1975 do të përkthente dhe “inskenonte” dramën e dramaturgut dhe romancierit të famshëm amerikan Thorton Ilder. Neta kojshije, që i kishte kërkuar autorit, tashti student, që t’i gjente një fjalor frëngjisht-shqip. E donte për Pjerinin (Pjetër Arbnorin), vëllain, që ishte në burg.

Por” mbas disa ditësh kur e kishte takuar Netën e ajo i kishte thënë se Pjerinit i qe duk i vogël fjalori, ai ishte mrekulluar” E sa e sa, këso personazhesh të papërsëritshëm; Pjeter Gaci i famshëm, me historinë origjinale të krijimit e kushtimit të këngës “Ky marak”, e cila kujtohet e rikujtohet prapë, shpesh. Nuh Sahatçija, mjeshtri orëndreqës i pakundshoq, bashkëlidhur me njërën prej historive të tij të rralla: Diku në mesin e viteve ’70 i hyn në dyqanin e tij, ku tashma ai nuk ishte pronari, po përgjegjësi, një turist i huaj. Gjermanoperëndimor.

Dhe i flet gjermanisht. -Zotëri, quhem Hans Verter Lomajer. Më 27 nëntor të vitit 1944 kam lënë për të rregulluar një orë të markës “MÜHLE GLASHÜN” – Pa mbaruar mirë prezantimin e vet turisti, usta Nuhi hap një sirtar, hap një tjetër të dytë dhe i jep të zotit orën që qe ruajtur aty prej 30 vjetësh” dhe i thotë-Urdhno Zotni, në atë kohë keni pasë për të pague 20 franga. Sot nuk keni për të pague asgja” Ase Pjetër Gjini, muzikanti dukshëm kontrovers.

“Hymë në Kafe të Madhe me Aleksin. Pjetër Gjini na njeh e na buzëqesh. -Hë daja Pjetër, mese po merresh këto ditë?” -Ah, po përpiqem me përkthye në shqip kangen e famshme të Domeniko Modunjos “Volare”. Me fluturue! Një galeri tipash, siluetat e një fytyre perëndimore të qytetit që përpiqeshin ta ruanin statukuonë e tij, me shpirt ndër dhëmbë” Letërsia shqipe e derimëtashme na e ka përcjellë komunizmin ose nëpërmjet “heronjve” që i vërdalloseshin Bllokut, ose përmes Heronjve që ngujoheshin burgjeve. Ky nuk është as romani i heronjve ndër thonjëza, e as romani i heronjve me H të madhe… I Kohës së çmendur.

Shkrimi është botuar në gazetën e përditshme Panorama.

Porosite me një klik te LINKU, me mesazh në rrjetet sociale te Bukinist.al, ose me telefon 35544508282.

Ua sjellim KUDO. Paguani në dorëzim.

secili-cmendet-simbas-menyres-se-vet-bukinist-al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *