Intervistë me ilustruesen e librit të Rudina Xhungës, “Përrallat e Pitilushes”, piktoren Ledia Kostandini
-Ledia, çfarë është ilustrimi për ju?
-Ilustrimi është bërë pjesë e pandashme e imja. Për më shumë se 10 vjet, jam e lidhur ngushtë me këtë forme arti, e cila nuk është vetëm një punë, por një mundësi për të njohur shkrues, botues, kolegë, tekste të rinj a të vjetër. Mbi të gjitha, është një punë që e adhuroj sepse nuk më le kohë të rehatohem në një motiv, por më sfidon me karaktere, personazhe, skena dhe histori të shumëllojshme. Une e ndiej veten me fat që çdo ditë kam akses në dimensionin fantastik të imagjinatës.
– Ju jeni ilustruesja e librit me përralla të Rudinës. Si e morët këtë libër?
-Me Rudinën folëm së pari në telefon. Duhet të pranoj se isha kurioze për ta lexuar tekstin e saj me perralla. Nuk e dija si mund t’i qasej një gazetare politike, temave feminore. Dija që Rudina kishte një vajzë.
Dikur, kam lexuar në internet një shkrim të sajin lidhur me eksperiencën e saj si nënë. Ajo tregonte sesa kompleks është ky rol, nisur nga përvoja e saj me gocën e vogël. Në atë kohë, djali im ishte ende një foshnjë. Unë e gjeta plotësisht veten në shkrimin e Rudinës dhe sinqerisht mendova, “Ok, nuk jam e vetme në këtë sfidë”. Nga ana tjetër u impresionova nga përkushtimi i madh i kësaj nëne në karrierë e cila pavarësisht çdo problemi, vazhdon të shkëlqejë çdo javë në ekran.
Dmth ju kishit pritshmëri ndaj përrallave?
-Kjo njohje më mjaftonte për të krijuar pritshmëritë e mia ndaj përrallave. Ashtu siç e paramendoja, teksti ishte një dedikim dashurie për vajzën e saj. Historitë merrnin shkas nga Alana, e cila në liber quhet Pitilushe. Ky emër më pëlqeu kaq shumë, sepse më kujtoi personazhe si “Cipolino”, “Capaculi”, “Pipiruqi-Ruqipipi”, etj. Është një emër që tejkalon tregimin dhe të fut në perrallë.
Ndodhitë e këtij libri fillojnë si probleme të vogla fëmijësh. Pitilushja që nuk do të pijë ilaçin, që nuk sillet mirë me dadon, që nuk ha mëngjesin, etj. Jam e sigurt se çdo prind i ri përballet sot me gjëra si këto.
Por, zgjidhjet që iu jepen atyre janë plot fantazi dhe kreativitet. U dashurova me tekstin e Rudinës, sepse sërish, gjeta veten aty. Rudina kishte arritur të bënte përralla për fëmijë dhe një manual me zgjidhje gjeniale për prindër.
Ju jeni vajza e mjeshtrit të piktures Tasos! Dhe babai juaj ka qenë shpesh i ftuar në studion e Rudinës.
-Si një admiruese e pikturës së babait tim, ajo e viziton shpesh studion e tij. Prindërit më flasin për vizitat e saj entuziaste dhe karakterin e çilter që ka. Një ditë më thanë “E mban mend atë pikturën e babit ku ishe ti me Johanin në prehër? E bleu Rudina Xhunga! I pëlqeu shumë kompozimi nënë e bir, dhe kështu vendosi ta marrë.”
U çudita pak, se njerëzit përgjithësisht duan portretet e tyre, femijët e tyre në mur. Ndërkohë Rudina, admironte figurën e çdo nëne. Kur u takuam, ne nuk ishim të panjohura. Ajo menjëherë më tha se pikturën e mban në dhomën e gjumit dhe më sheh çdo ditë.
E bukur, të dyja njiheshim në aspektin prindëror, por nuk ishim takuar asnjëherë.
Libri “Përrallat e Pitilushes” u bë sebepi për tu njohur. Ai është produkt i një dashurie të madhe për fëmijët.
Djalit tuaj ia lexuat Përrallat e Pitilushes, apo janë vetëm për vajza?
-Tani që djali im është afërsisht 3 vjeç, ka filluar të zgjasë kokën te kompjuteri dhe të pyesë,çfare po punon? I thashë, po pikturoj “Pitilushen”. E përsëriti:” Pitilushen?? Më trego, më trego” . E intrigoi menjëherë emri i personazhit. I tregova shkurt nja dy ndodhi të librit. U habita se po argëtohej kaq shumë. Jam e sigurt që kjo ndodhi sepse Pitilushja i ngjau me veten.
Që atë ditë fillova t’i tregoj ilustrimet me rradhë kur i punoja. Tani i di të gjitha përrallat përmendësh dhe shpesh personifikohet me Pitilushen kur bën ndonjë gabim. E preferuara e Johanit, është përralla me bakteret që kërcejnë në grykën e Pitilushes. Ato hedhin valle me fustanet e festave. Pastaj fshihen që mos i kapë shurupi etj, etj.
Djali im po bëhet një faktor i rëndësishëm për të testuar ilustrimin, tekstin, ngjarjet e një libri. Të kënaqesh sot femijët me një personazh letrar, është sfidë e madhe. Ata bashkëjetojnë me imazhin virtual, me dritat, muzikën, personazhe që flasin dhe vrapojnë. Prandaj librit i duhet të flasë me gjuhën e kohës dhe të jetë shumë intrigues. “Përrallat e Pitilushes” tregohen me një gjuhë moderne. Zgjidhjet jepen përmes intuitës e imagjinatës së një mamaje shkrimtare.
Burimi: dritare.net. Intervistoi: Jonida Dama
Porosite me një klikim KETU, me mesazh në Facebook.com/bukinistr.al, ose me telefon 35544508282. Jua sjellim kudo, paguani në dorëzim.