Edmond Tupja: Të kap Enisin –letërsi erotike?!

diana-culi-bukinist

Lexim i librit “Po shkoj të kap Enisin” : Edmond Tupja e ka lëvruar edhe më parë letërsinë erotike, por veprat e tij nuk mund të quhen thjesht “erotike”…

Diana Çuli

Pa dyshim, një roman i Edmond Tupes, si një autor origjinal, i beftë, zbavitës e njëherazi tragjik, aq më tepër i reklamuar dhe i trumbetuar bujshëm si roman erotik, tërheq me një herë  vëmendjen. Të kap Enisin është botuar së fundmi nga shtëpia botuese PEGI dhe ka patur jetën e tij të shpejtë vezulluese, si pak romane që dalin rëndom në libraritë.

Do ta quaja një roman tërësisht erotik ? Do të përgjigjesha : jo. Nuk është një roman erotik në kuptimin klasik të fjalës. Po çfarë është romani erotik ? Letërsia erotike ? Seksualiteti është riprodhuar  që nga thellësitë e shekujve në të gjitha format e artit njerëzor. Dhe, letërsia nuk ka bërë përjashtim, por, gjithsesi ajo është një gjini më vete. Për një kohë të gjatë me të janë marrë amatorë që nuk kanë hyrë dot në piedestalin e « letërsisë së vërtetë ».  Letërsia e krijuar në shekujt e mëparshëm e llojit të Sade-it gjykohej herë me tmerr e herë me neveri, si një vështrim në skutat më të ulëta të shpirtit dhe të veprimit njerëzor.

Në dekadat e fundit, gjërat kanë ndryshuar shumë. Kritika letrare perëndimore, më së shumti e sheh interesimin për tekstet erotike si një afrim më të thelluar me misterin e seksualitetit të njeriut, si një thyerje të atyre  tabuve që, në jetën reale ndoshta ne nuk do t’u aviteshim kurrë, si të preknim vetë fantazmat që jetojnë brenda nesh.

Edmond Tupja e ka lëvruar edhe më parë këtë lloj letërsie, por veprat e tij nuk mund të quhen thjesht “erotike” sepse, pikësëpari, ato janë vepra letrare me në qendër personazhet e tyre që jetojnë një jetë si gjithë të tjerët dhe kanë probleme dhe halle  e tyret, si gjithë të tjerët.

Shpesh dëgjoj të thonë se për fat të keq letërsia shqipe nuk ka ende vepra, – në ditët e sotme – që të flasin për jetën tonë të përditshme. Ky roman i Edmond Tupes është një kundërshtim i këtij paragjykimi. Jehona dhe Enisi janë dy të rinj që jetojnë në Shqipërinë e sotme, me histori familjare të ngjashme me shumë familje të sotme. Ata marrin rrugë të ndryshme në jetë – ajo inspektore policie, ai një i shumëkërkuar nga kjo polici dhe nga kjo inspektore.

Dhe lexuesi ndjek këtë dyshe të çuditshme, në kontekstin e sotëm shqiptar, përmes betejës midis të mirës dhe të keqes, krimit dhe antikrimit, por ku, asgjë nuk është ashtu siç duket, asgjë nuk është bardhe e zi.

Autori na e zbulon dramën e personazheve përmes një loje psikologjike mjeshtërore, ku tensioni vjen e rritet vazhdimisht, ku të gjithë instrumentet letrarë dhe artistikë i shërbejnë synimit final të zbërthimit deri në fijet më të imta të qenies njerëzore, aq e ndërlikuar dhe e papritur, sa kufijtë midis të mirës dhe të keqes, të moralit konvencional dhe atij shpirtëror fillojnë e zbehen, derisa zhduken përfundimisht.

Struktura e romanit është ndërtuar në mënyrë të tillë që subjekti i filluar si në deltë lumi, e gjerë dhe e shtruar, të ngushtohet dalëngadalë, duke përshpejtuar ritmin bashkë me ngjarjet, që e mbajnë pezull frymën e lexuesit, i cili ndjek inspektoren, nëpër rrugë, nëpër takime të fshehta mafiozësh e të korruptuarish, me shpresën se « vallja e vdekjes» në të cilën ajo po futet padashur, e bindur për të kryer detyrën e saj me ndershmëri, nuk do të realizohet vërtet.

Por, kjo detyrë e inspektores për të arrestuar një nga keqbërësit e qytetit, nuk është aq e lehtë. Ajo ka hyrë në një grackë psikologjike, ngjethëse, tërheqëse, frikësuese dhe magjepsëse njëkohësisht. Ku mendja dhe arsyeja bien në vorbullën e kureshtjes, të dëshirës së verbër, po ndoshta jo dhe aq të verbër, sepse nxitet nga një dialog virtual e tejet  inteligjent. Këtu ndërhyn dhe erotizmi, që autori e përdor me një qëllim mjaft të përcaktuar, si një përmasë simbolike e asaj që kërkojmë  përtej historisë së gjykimit moral, përvojës, edukimit. Tupja depërton në skutat e « unit » që, edhe kur e di fare mirë se tjetri nuk është absolutisht i « llojit të tij », se është pikërisht e kundërta e tij dhe e kundërta e asaj që përcaktohet si « e drejtë », ai e gjen dhe e kërkon atë.

Erotizmi, në këtë roman, të shkakton dhimbjen e së pamundurës. Sepse, kundërvënia dhe pamundësia midis dy personazheve është kaq e qartë dhe absolute, sa, me gjithë shkallëzimin në rritje të dëshirës së njërit për tjetrin, dihet se fundi do të jetë tragjik.

Edhe njëherë Edmond Tupja dëshmon për aftësinë e krijimit të subjekteve të veçanta, të rrëfimtarisë së tij së pashoqe për nga ritmi, imazhi përshkrues, metafora, simbolika, leksiku dhe, mbi të gjitha, zhbirimi psikologjik. Për të ndërtuar një  roman, si një ndërtesë të lartë e të vështirë, po ku çdo element i ngrehinës është në vendin e tij në mënyrë të përkryer, prandaj dhe ajo është aq e bukur.

Marrë nga gazeta MAPO.

Porosite librin online me një klik KETU, me mesazh, ose me telefon te 35544508282. Ua sjellim librat KUDO. Paguani në dorëzim

po-shkoj-te-kap-enisin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *