Romani i parodisë dhe humorit të zi me realitetin e shkuar komunist

zogaj-embriologji

Reflektime pas leximit të triologjisë “Embriologji”, të novelistit Shkëlqim Çela, fitues i çmimit “Kadare”  për vitin 2015

Preç Zogaj

Libri “Embriologji”, fitues i çmimit “Kadare”  për vitin 2015, çmim që jepet nga  Universiteti Europian i Tiranës,  përmban tri novela: “Përgjuesit”, “ Zbor” dhe  “Yje të (pa)shquar”. Të tria janë kryesisht  një riprodhim kujtimesh e mbresash të  autorit Shkëlqim Çela nga periudha e komunizmit,  të cilat ai i ka mbartur në  emigrimin e tij pas hapjes së vendit dhe  konservuar në  qëndrimin e tij tashmë njëzetepesëvjeçar në fillim në Austri  dhe mandej  në SHBA ku  jeton aktualisht.

Nga pikëpamja tematike, triptiku  në fjalë  i bashkohet si prurje lumit të madh të  shkrimeve dhe  botimeve me temë nga e kaluara e regjimit monist, që është bërë një farë trendi në letërsinë e viteve të fundit duke krijuar klishetë e saj, ku spikasin parashikueshmëria  në  shtjellimin  e ngjarjeve dhe një lloj tendencioziteti  në inversin e  atij të para vitit 1990,  po aq i dëmshshëm  për letërsinë.

Në këtë  festival subjektesh nga i njëjti brume,  tri novelat e Çelës  shpalosen si një peng  që ka pësuar ndëkohë ndikimet  e kontaktit  të autorit me botën e lirë, duke marrë apo përforcuar  ngjyrimet e  humorit të zi. Ato kanë  atë dozën e freskisë që përmban shtjellimi nga largësia në kohë dhe hapësirë i mbresave të  hershme, sikurse kanë në  anën tjetër  dozën e së konsumuarës  në shumë forma  si tema  këtu në vend.

E veçanta  me të cilën bëjnë dallimin në rrafshin krahasues me mjaft libra  të ngjashëm është  cilësia e të shkruarit,  gjuha e figurshme  (e mbingarkuar  vende-vende), ku spikat  përdorimi i metaforës dhe alegorisë, leksiku i pasur me fjalë adekuate të  shqipes dhe të teknologjisë e shkencës bashkëkohore, stili  përgjithësisht i shdërvjellët, që arrin në stadin e  një intensiteti të lartë shtjellues sidomos në disa episode me karakter lirik, siç është për shembull ëndrra e studentit  me emrin Ernest për Mirën, studenten që ka dëshirur prej kohësh, në fund të novelës me titullin “Zbor”.

Kanë një filament femrat kur duan,   i cili iu ndizet e vezullojnë së brendshmi, pa shkëlqim, një regëtimë e butë petali,  dhe ajo donte, kjo u kuptua  aq qartë sikur të kishin folur për ditë me radhë, ti nuk ishe rrotull, dëgjoi ai të folurën e saj prej trendafilash, dhe ai donte ta miratonte me ç’të mundej, mirëkuptues deri në ngashërim, po, po, nuk isha, por jam, jam tani, mirëpo nuk arriti ta nxirrte nga gjoksi atë shkulmë opali pasi ajo e tërhoqi nga dora  me butësinë që do të thyente çdo shtyllë betoni e tra ekuilibri, forcë e pestë e natyrës , më e pashpjegueshme se graviteti…”.

Ky është vetëm një fragment që ilustron imazhinizmin dhe intensitetin e lartpërmendur ku  dallojmë  jehonën e prozës lirike të Kadaresë apo  të ritmit të  Saramagos, edhe pse  kjo mund të jetë rastësore pasi unë  nuk e di raportin e autorit me prozën e këtyre dy shkrimtarëve të mëdhenj.

Novela me titullin “Zbor” evokon  muajin e  zborit ushtarak të studentëve  në kontekstin  e paranojës së regjimit   sikur do të sulmohet nga  forcat e NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Në këtë novelë pa subjekt,  të  ndërtuar  si një mozaik episodesh, humori realist dhe i këndshëm studentor desemantizon sloganet dhe parodizon vetvetiu kotësinë e mundimshme të  zborit  në  konteksin e  dhënë. Kjo novelë  është më e kuruar se  dy të tjerat  nga pikëpamja e ekzigjencave  letrare.

Novela  me titullin “ Përgjuesit”  është një satirë brenda tablosë së mjerimit  dhe zvetënimit të  përgjithshëm të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Ajo ka në qendër vanitetin e  disa veteranëve  dhe pensionistëve që përfundojnë  në përgjues çiftesh në  parkun e liqenit artifificial.  I tërhequr në këtë perversion si stacioni i fundit i kërshërisë dhe  interesit të tij,  personazhi kryesor i novelës  do të përballet me një zbulim të trishtë,  të parashikueshëm: do të  zbulojë  vajzën e vet duke berë seks me një djalë.

Kjo novelë dhe  novela e tretë,  që ngjan të jetë  një kolazh i kujtimeve të fëmijërisë së autorit,  shpalosin disa  realitete të shoqërisë së mbyllur, realitete të cilat, në ditët tona,  dalin në pah vetvetiu si absurde  dhe qesharake në kontrastin me shoqërinë  e hapur.

Në këto kushte parodizimi  i tyre nga pozitat e sotme bëhet i tepërt  dhe nuk është në natyrën e letërsisë. Sikur kjo lloj letërsie të mund të ishte shkruar e botuar në vitet e komunizmit, gjë që, për t’u botuar së paku,  ka qenë e pamundur,  do të kishte vlerën  e tronditjes së  tabuve dhe marrëzive.

Në postregjim mendoj se  letërsinë e nderojnë qasje të reja, më të thelluara  në trajtimin e  subjekteve me temë nga e kaluara duke shmangur skematizmin e ri.  Të mos harrojmë se  statusin e  përqeshjes  dhe satirizimit  të  grafomanëve  që  hiperbolizonin  apo stisnin  merita lufte, për shembull, e  kishin arritur vetë estradat dhe  botimet humoristike të regjimit të vjetër.

Lirizmi dhe parodizimi  ngjajnë të jenë  si dy fytyrat e Janusit në tri  novelat e Shkëlqim Çelës. E para ka momente shkëlqimi të prozës së thellë dhe  etike. E dyta,  mua së paku,  më le një shije të kundërt. Edhe pse e shkruar me stilin që laudova më sipër.

Kjo shtron për diskutim dy çështje  me rëndësi letrare. E para,  për korrizën etike të letërsisë, deri në çfarë mase mund të jetë ajo tendencioze,  denigruese apo mllefnxjerrëse. E dyta, cila është lidhja mes tekstit dhe  vlerës letrare.

Të shkruarit keq e përjashton letërsinë, sado i jashtëzakonshëm të jetë subjekti. Këtë e pranojnë të gjithë. Nga ana tjetër, të shkruarit mirë, duke qenë një  kusht për të bërë letërsi, nuk e bën automatikisht  të mirë një libër. Janë një mori elementësh, një mori sekretesh, nganjëherë  të pacilësueshëm, të cilët,  në lidhjen  e tyre apo në autonominë e tyre  prodhojnë  librin e  rangut letrar, i cili na  pushton e na mban të lidhur me veten e tij  dhe me një përmasë hyjnore   disa orë, disa ditë, ndoshta edhe disa javë pasi e lexojmë.

Në  novelën “Zbor”, nje personazh  i ri rrefen bukur,  me një gjuhë të zgjedhur dhe me teknika suspansi historinë e dy  djemve të dashuruar me të njëjtën vajzë. Autori shënon   se mënyra  si fliste ky student  ishte një  “praktikë rrëfimi”.   Mua më duket  se ky togfjalësh i ka dalë  autorit si vetëpërcaktues gjithashtu. Edhe ai, së paku në  novelën e librit “Embriologji”  është në një praktikë rrëfimi që  besoj do ta çojë drejt  veprave  letrare me peshë.

Shkrimi është marrë nga gazeta MAPO, datë 29 janar 2017. Titulli është redaksional

Librin “Embriologji” mund ta porositni direkt online duke klikuar KËTU, përmes një mesazhi në rrjetet sociale të Bukinist ose me një telefonatë te: 35544508282. Ua sjellim librat KUDO. Paguani në dorëzim

emriologji

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *