Libri më i mirë, një nismë për promovimin dhe rritjen e kulturës së leximit

libri-me-i-mire-ok

Gjatë vitit që sapo lamë pas nisi rrugëtimin e tij Bukinist.al, platforma online e librit shqip, e cila ka ardhur si nismë me misionin për të qenë destinacioni numër NJË në informimin dhe shitjen e librit në vend. Muajt e parë të punës së tij konfirmuan ndjeshëm etjen e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit për të lexuar, dhe përqafuan sipërmarrjen tonë për të çuar librin aty ku ndodhet lexuesi. Kjo gjë dëshmohet edhe nga rritja e ndjeshme e lexuesve që janë bërë tashmë “Mik i Bukinist”, si dhe atyre që marrin pjesë aktivisht online duke dhënë përshtypjet e tyre rreth leximit të librave.

Për këto dhe shumë shkaqe të tjera, stafi ynë vendosi që të nisë edhe projektin për organizimin e një sondazhi të gjerë për librin më të mirë të vitit, përzgjedhja e të cilit do të bëhet nga vetë lexuesit përmes kanaleve virtuale.

Viti 2016 shënoi një kulminacion në fushën e botimeve, jo aq në aspektin sasior se sa në atë cilësor, duke sjellë në gjuhën shqipe autorë të mëdhenj të letërsisë botërore, por njëherësh, duke rritur ndjeshëm edhe prurjet në prozën shqipe.

Një tjetër veçanti është edhe shtimi i botimeve në fushën e biznesit dhe zhvillimit personal, rritjes së cilësisë së botimeve për fëmijë, etj.

Duke i mirëpritur edhe kritikat e drejta që mund të dalin rrugës, ne mendojmë se kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe “legjitimitetin” për ta nisur këtë proces, i cili do të jetë transparent, i besueshëm dhe me standarde profesionale.

Rezultatet që pritet të dalin prej tij besojmë fort se do të ndikojnë sadopak në shijet e lexuesve, në politikat dhe tregun e botimeve në vend, në promovimin e letërsisë shqipe dhe në rritjen e kulturës së leximit në përgjithësi.

  1. Kategoritë e përzgjedhura

Pas shqyrtimit të të gjithë korpusit të botimeve të vitit 2016, Bukinist.al vendosi të përzgjedhë gjashtë kategori librash të botuara gjatë vitit, ku secila prej tyre ka nga 10 libra, të cilët do të votohen online për nxjerrë librat më të votuara. Librat e përzgjedhur për votim kanë dalë bazuar mbi shitjet e vitit të kaluar, por edhe në bazë të propozimeve që kanë ardhur nga lexuesit e mirë dhe ekspertët e fushave përkatëse. Ato janë:

  1. Libri më i mirë për fëmijë

Gjatë vitit 2016 janë botuar disa libra për fëmijë dhe të rinj, të cilët janë kontribut specifik në shtimin e fantazisë, dijeve dhe botëkuptimit të kësaj kategorie lexuesish: “Harry Potter dhe fëmija i mallkuar”, “Dinozaurologjia”, por edhe libra të tjerë si “Përrallat e Pitilushes” sjellin horizonte të gjera leximi. Më poshtë keni gjithë numrat e nominuar për çmim në këtë kategori:

  1. Ah sikur bota të ishte plastelinë – Vjollca Myftari
  2. Dinozaurologjia – Grup autorësh
  3. Ditari i Gregut III – Jeff Kinney
  4. Harry Potter dhe fëmija i mallkuar – J. K. Rowling
  5. Libri i Sociologjisë – Grup autorësh
  6. Përrallat e Krishtlindjeve – Maria Maneru
  7. Përrallat e Pitilushes – Rudina Xhunga dhe Alana Hila
  8. Pesë fëmijë dhe xhuxhi i rërës – Edith Nesbit
  9. Princi i vogël – Antoine De Saint Exupery
  10. Vazhëza prej akulli dhe përrallëza të tjera – Mila Pavicevic

 

  1. Proza më e mirë shqipe

Proza shqipe shënoi zhvillime interesante në të gjitha llojet e saj: Autorë të njohur si Artan Fuga, Mira Meksi, Artan Mullaj, Ben Blushi dolën me vepra të reja. Debutoi për herë të parë Ada Çapi, e cila fitoi çmimin Nabokov edhe në Itali me veprën e saj “Morphina”. U përkthyen nga frëngjishtja dy vepra të panjohura të Faik Konicës. Ndërsa Stefan Çapaliku erdhi me një roman autobiografik. Ne kemi bërë këtë përzgjedhje, paçka se ka pasur edhe romane të tjera që kanë shënuar ngjarje në momentin e hedhjes në qarkullim. Veprat e nominuara në prozën shqipe janë si më poshtë:

  1. Çizmet e verdha – Arlinda Çausholli
  2. Çmimi i pafajësisë – Artan Mullaj
  3. Hide mbi kalldrëm – Tomi Kuka
  4. KM Kryeministri – Ben Blushi
  5. Martesa e Lejlës; Sotiri dhe Mitka – Faik Konica
  6. Morphina – Ada Çapi
  7. Murgu – Artan Fuga
  8. Pa zemër në kraharor – Mira Meksi
  9. Secili çmendet simbas mënyrës së vet – Stefan Çapaliku
  10. Selam Aleikum baba – Mustafa Nano

 

  1. Proza më e mirë e huaj

Viti 2016 ishte i bollshëm dhe cilësor në përkthimin e letërsisë botërore. Si asnjëherë tjetër, na erdhën në shqip vepra të panjohura të autorëve si: Markez, Umberto Eco, Ernesto Sabato, Elena Ferrante, Isabel Allende, Orhan Pamuk, Roberto Bolano, etj, pjesë e fondit të artë të letërsisë klasike dhe moderne. Veprat e nominuara janë si më poshtë:

  1. Flokëkuqja – Orhan Pamuk
  2. 2666 – Roberto Bolano
  3. Ishulli nën det – Isabel Allende
  4. Jeta për ta treguar – Gabriel Garcia Marquez
  5. Kopshti veror – Paullina Simons
  6. Lavjerrësi i Fukoit – Umberto Eco
  7. Mbi heronjtë dhe varret – Ernesto Sabato
  8. Rruga e së keqes – Robert Galbraith
  9. Mikesha gjeniale – Elena Ferrante
  10. I ndrituri – Eleanor Catton

 

  1. Libri më i mirë në poezi

Poetët e dikurshëm e kanë thyer heshtjen gjatë vitit të shkuar.  Preç Zogaj, Natasha Lako, Ilirjan Zhupa, Mimoza Ahmeti janë disa prej tyre. Por, pati rikthime të emrave të njohur si Dritëro Agolli, i cili në vigjilje të përvjetorit të ditëlindjes nxorri një vëllim poetik. Sigurisht, suprizë ka qenë edhe libri në dialektin gegë të Erenestina Halilit. Po ashtu, risjellja në qarkullim i poezive më të mira të Frederik Rreshpes ishte një ngjarje e veçantë, gjë që i pasua edhe me shitje të konsiderueshme të vëllmit të tij poetik. Më poshtë janë librat e nominuar në poezi gjatë vitit 2016:

  1. Duke kërkuar Itakën – Frederik Rreshpja
  2. Kafsha apo fantazma – Agron Tufa
  3. Kënga e turmës – Rita Petro
  4. Kundërpërfytyrimi – Natasha Lako
  5. Mos më pyet ku kam qenë – Ilirjan Zhupa
  6. Prit dhe pak – Dritëro Agolli
  7. Libri i lumturisë ose lulet e fjetura – Mimoza Ahmeti
  8. Psigagogjia – Azem Qazimi
  9. Gjama e erës – Erestina Halili
  10. Ushtrimet e melankolisë – Preç Zogaj
  1. Libri më i mirë non-fiction

Në këtë kategori kemi listuar libra të shumë fushave, dhe mbase nuk jemi aq përfaqësues sa do të duhej të ishim në përzgjedhjen e bërë këtë radhë, por ne kemi qëmtuar librat që kanë qenë më të shiturit, më të vlerësuarit dhe më të veçantët. Biogragitë, historia, studimet letrare, eseistika, filozofia etj., janë fushat ku ne kemi bërë përzgjedhjet tona. Më poshtë gjeni nominimet për librin më të mirë.

  1. Cari i ri, ngritja dhe sundimi i V. Putin – Steven Lee Myers
  2. Esat Pashë Toptani, njeriu, lufta, pushtetit – Ilir Ikonomi
  3. Fëmijë të sigurt – Dr. Ilira Gjika
  4. Korrespondenca dhe dorëshkrime të Ali Pashës – Irakli Koçollari
  5. Letër Dulqinjës – Agim Baçi
  6. Lexuesi në kurth – Floresha Dado
  7. Personazhet kryesorë të Shqipërisë – Raport i Shërbimi Sekret Britanik
  8. Sekretet e shijes – Renato Mekolli
  9. Shqiptarët para pasqyrës – Alan Andoni
  10. Teoria e shoqërisë – Niklas Luhmann, Raffaele De Giorgi

6. Libri i Zhvillimit Personal

Kjo kategori librash është relativisht e re në komunikimin me lexuesit tonë, por që ka gjetur gjithnjë e më shumë lexues. Motivimi, zhvillimi ndërpersonal, komunikimi, aspektin spiritual, etj., janë fusha ku ka përherë e më shumë libra të rinj nga autorë të huaj dhe vendas, të cilët kanë zgjuar interesin e jashtëzakonshëm të lexuesve tanë. Më poshtë gjeni nominimet tona për librin më të mirë në këtë kategori:

  1. Bon Ton, etiketa një mënyrë e jetës së kulturuar – Olesia Leço
  2. Çelësi i talentit – Daniel Coyle
  3. Fuqia e mendimeve – Burbuqe Raufi
  4. Lumturohuni – Anthony Gunn
  5. Më mençur, më shpejt, më mirë – Charles Duhigg
  6. Mjaft menduat, filloni të jetoni – Richard Carlson
  7. Origjinalët – Adam Grant
  8. Fjalimet TED – Chris Anderson
  9. Si të përballemi me sprovat e jetës – Christofer Hamilton
  10. Zero te Një – Peter Thiel

Sqarim: Në listën e kategorive të përzgjedhura shtuam edhe librin më të mirë non-fiction, ku do të listohen të gjithë librat jo-artistik dhe librin për zhvillimin personal, ku janë të listuara librat për ngritjen shpirtërore, motivimin, arritjen e suksesit, etj., të cilat kanë pasur sukses në tregun e botimeve gjatë viteve të fundit.

III. Procesi i votimit

Gjatë periudhës 1 shkurt – 9 prill 2017 do të realizohet votimi online përmes platformës tonë për të gjashtë kategoritë që janë nominuar për çmim. Çdo person ka të drejtën për të votuar vetëm një herë në secilën prej kategorive.

Platforma jonë garanton procesin e votimit për transparencë, duke shfaqur në kohë reale votat që ka marrë secili libër dhe nuk do të lejojë ndërhyrje apo abuzime në procesin e votimit.

  1. Shpallja e fituesve

Shpallja e fituesve për të gjatë kategoritë e noninuara do të bëhet gjatë muajit prill, në javën e fundit të tij, periudhë e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Librit. Pas përfundimit të votimit më datën 9 prill do të bëhet nxjerrja e rezultateve përmes një procesi transparent, ndërsa ceremonia e organizimit të çmimeve do të bëhet përmes një ceremonie të veçantë.

2 thoughts on “Libri më i mirë, një nismë për promovimin dhe rritjen e kulturës së leximit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *