Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Një vlerësim rreth librit “Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, një historik gjithëpërfshirës” të autorit Ndriçim Kulla, botuar në muajin janar 2017 nga shtëpia botuese Plejad
Më 8 prill të vitit 1819, një anije me vela, la në molin modest të Sajadhas së Çamërisë dy amerikanë. Ishin gazetarët J. Humber dhe K. Rooth, amerikanët e parë, që zbrisnin në brigjet shqiptare, për të shkuar në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Ata shkruan një reportazh, i cili u botua në vitin 1820, në revistën Amerikane The North-American Revieë and Miscellaneous Journal, nën titullin: “Visit to Joannina and Ali Pasha”.
Autorët thonë se “Janina është qyteti më i madh, më i pasur dhe më i begatë njëkohësisht në krahasim me tërë qytetet e tjera të Greqisë. Njerëzit e ditur dhe të mësuar këtu janë të shumtë, ndërsa njerëzit e pasur janë më mirë të mbrojtur dhe të sigurt”. Shkruajnë gjithashtu se Ali Pashë Tepelena iu kërkoi ndihmë për të vendosur raporte diplomatike me kontinentin e largët, dërgimin e një konsulli amerikan në Janinë si dhe lidhje tregtare.
Kjo dëshmi, përveçse sjell një këndvështrim shumë interesant mbi politikën e jashtme të Ali Pashës, tregon gjithashtu se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, nuk janë aq të vona sa mendohet ngandonjëherë.
Si dëshmi të këtij fakti, autori i librit, përmend edhe një njoftim tjetër që qarkullon prej kohësh, por që është vënë në dyshim nga studiues të ndryshëm. Fjala është për origjinën shqiptare të supozuar të George Washingtonit, liderit kryesor politik dhe ushtarak të SHBA-së, në vitet 1775-1799. Është thënë se e ëma e tij, Mary Ball Ëashington, ishte, autori Kulla thotë, “faktohet” me origjinë shqiptare. Thuhet se emri i saj ishte Marije Bala, me prindër nga rrethi i Pejës, në Kosovën e sotme.
Pas një udhëtimi të gjatë me anije, nga Raguza (Dubrovniku i sotëm), përmes Britanisë, ata arritën në SHBA më 1706.
Historia e udhëtimit të gjyshërve të Washingtonit nga Kosova në Amerikë është e përshkruar në librin biografik “Mary Ball Ëashington” të autores Virginia Carmichael, botuar për herë të parë në 1850.
Nisur nga kjo lidhje, le ta quajmë “gjaku”, autori gati gjatë gjithë faqeve të librit flet gjerësisht dhe përpiqet të argumentojë se edhe pse shqiptarët e “zbuluan” pothuajse ndër të fundit Amerikën, barometri i sotëm politik e vlerëson Shqipërinë dhe shqiptarët si një nga vendet dhe popujt më proamerikanë të globit. Në këndvështrimin e shqiptarëve SHBA është miku i madh i tyre, partneri kryesor strategjik, një ndër garancitë mbështetëse të zhvillimeve demokratike në vend.
Në vijim kronika e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane vjen e pasurohet vazhdimisht me episode të shumta e interesante, ku spikasin dy linja kryesore. Nga njëra anë interesimi ose më së paku zbulimi i shqiptarëve dhe trojeve të tyre prej amerikanëve, nga ana tjetër zbarkimi i shqiptarëve të parë në kontinentin amerikan dhe në SHBA.
Ndërsa për linjën e parë përmenda dy rastet e mësipërme, për linjën e dytë thuhet se shqiptari i parë që shkeli tokën amerikane në vitin 1886, ishte Koli Kristofori, nga fshati Katund i Korçës. Ai do të bëhej pararendësi i migrimeve të tjera më të shumta e më masive në dekadat e mëvonshme. Kjo do të çonte në krijimin e shoqatave të komuniteteve shqiptare, të cilat për kontributet që dhanë, si për ndihmën ndaj shqiptarëve të porsaarritur në tokën amerikane ashtu edhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, meritojnë homazhe të sinqerta.
Në prag të Luftës së Parë Botërore të vitit 1914, në Shtetet e Bashkuara kishte rreth 30 mijë shqiptarë, të cilët luajtën një rol të padiskutueshëm për pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Komunikimi i parë zyrtar i shtetit të pavarur shqiptar i përket datës 8 maj 1914, kur Princ Vidi i dërgonte presidentit amerikan Woodroë Wilson nga pallati i Durrësit, njoftimin për ardhjen e tij në fronin e Shqipërisë dhe kërkesën për njohjen zyrtare. Ai nuk mungonte t’iu referohej “lidhjeve ekzistuese ndërmjet popullit shqiptar dhe kombit amerikan”.
Pikërisht këto lidhje evidenton mjaft bukur dhe gati në mënyrë shteruese libri “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: një historik gjithëpërfshirës”, i autorit Ndriçim Kulla. Ai vjen përpara lexuesve me një punim interesant, serioz, shkencor.
Për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë shkruar artikuj dhe madje libra. Midis tyre janë disa shkrime interesante të studiuesve Irakli Koçollari e Auron Tare, kushtuar zanafillës së tyre, gati dyqind vjet më parë, që iu referova në fillim të këtij shkrimi.
Duhet të përmendim gjithashtu edhe studimin mjaft të vlefshëm të Haris Silajxhiç “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit” etj. Por, nga sa jam në dijeni, libri i N. Kullës është studimi i parë i plotë në literaturën shqiptare, kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Ai analizon ngjarje, fakte, zhvillime, personazhe që lëvizin në të dy anët e raporteve Shqipëri-SHBA. Risjell kështu emra të mëdhenj si Woudroë Willsoni, me 14 pikat e famshme të shpalosura në senatin amerikan në fillimin e vitit 1918 dhe përpjekjet e tij në Konferencën e Paqes në Paris, që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi prej fqinjëve të saj.
Përmend gjithashtu një tjetër personalitet, ambasadorin Georg Fred Williams, që ngriti në këmbë botën mbarë nëpërmjet librit të tij “Shqiptarët”, ku publikoi masakrat e padëgjuara që hordhitë e vendeve përreth kryenin ndaj shqiptarëve.
Për të sensibilizuar qeverinë dhe opinionin publik amerikan dhe botëror, mbi gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria e jugut në ditët e para të pavarësisë dhe krimet që fqinjët po kryenin mbi popullsitë e pambrojtura, ai bëri një akt që ndeshet rrallë, dha dorëheqjen në shenjë proteste.
Mendonte se në këtë mënyrë do të tërhiqte vëmendjen e politikës së jashtme amerikane dhe do të ndikonte për humanizimin e diplomacisë në interes të popujve të vegjël e të pambrojtur, siç ishin shqiptarët e asaj kohe.
Akti i sakrifikimit të karrierës së vet diplomatike për kauzën e mbrojtjes së të drejtave të një populli, ka marrë vlerën e një shembulli frymëzues për çdo diplomat.
Ai duhet të punojë në dobi të forcimit të marrëdhënieve midis vendit të vet dhe vendit ku është akredituar, për të kontribuar, brenda hapësirave të normave juridiko-ndërkombëtare, për progresin e tyre.
Shtjellimi i kujdesshëm dhe vendosja në kontekstin e duhur kronologjik e tematik plotësojnë dhe sqarojnë rrjedhën e shumë ndodhive në këto marrëdhënie. Ai ka përshkruar me mjeshtëri rolin që kanë luajtur direkt ose në prapaskenë në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, disa nga personazhet e spikatura. Kontributin e tyre e ka vendosur dhe e ka parë në kontekstin e bashkëveprimit të orientimeve uillsoniane dhe rusveltiane në politikën e jashtme amerikane, siç i quan ai. Orientimi uillsonian shpreh nevojën e SHBA për të treguar veçorinë e saj si superfuqi etike dhe shpjegon politikën amerikane kundrejt kombeve të vegjël si Shqipëria.
Ishte po kjo linjë, thotë autori, ajo që përcaktoi sërish politikën amerikane ndaj kombit shqiptar në dekadën 1999-2009, kur ai njohu dy kulme të historisë së tij, pavarësinë e Kosovës dhe pranimin e Shqipërisë në NATO.
Autori është ndalur dhe ka vënë në dukje edhe rolin e madh të dy personaliteteve të shquara shqiptare Fan Nolit dhe Faik Konicës, të cilët i konsideron arkitektë dhe ura të fuqishme të komunikimit shpirtëror dhe përafrimit të shqiptarëve me amerikanët, madje përpara se të vendoseshin marrëdhëniet zyrtare më 1922.
Të shkruash për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në mënyrë objektive, nuk është e lehtë, sepse ekziston rreziku për t’u ndikuar nga ndjenja e pashmangshme e mirënjohjes ndaj këtij shteti të madh. Ndriçim Kulla e ka shprehur të plotë e të pacenuar këtë mirënjohje, duke dëshmuar njëkohësisht kthjelltësi dhe ftohtësi intelektuale në shtjellimin e historikut të tyre.
Libri i tij, i shkruar bukur, qartë, me stil tërheqës, me begati të ndjeshme dokumentare e bibliografike, përmes përshkrimit, analizimit të zhvillimeve në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe konkluzioneve që përcjell, sjell kontribute të çmuara në literaturën historike shqiptare.
Shkrimi është botuar te MAPO, datë 22 shkurt 2017
Librin mund ta blini direkt online me një klik KËTU, me një mesazh në rrjetin social Facebook.com/Bukinist.al apo me një telefonatë te: 35544508282. Transport KUDO. Paguani sapo ta merrni në dorëzim