Marrëzia e dallimit

shkelqim-cela

Një lexim i triptikut me tri novela me titullin, “Embriologji“, që fitoi çmimin “Kadare“ për vitin 2016, i autorit Shkëlqim Ҁelës

Dr. Mimoza Ahmeti

Triptiku i novelave me titullin, “Embriologji“, që fitoi çmimin “Kadare“ për vitin 2016, i autorit Shkëlqim Ҁelës, të fton në botën e embrioneve, dhe pse jo, edhe aty ka shumë për të dalluar, ndoshta më shumë se gjetkë, por në fakt janë embrionet e botës sociale, Wmveltit, që është shoqëria në mendje, ajo për të cilën autori flet. E nuk ka shoqëri jashtë mendjeje…

“Ҁá mendje ke sot?“ mu kujtua kjo pyetje e  shokëve të fillores..“A ke njoj mendje të keqe?“, i thoshin Lidës, që ishte aq e mirë…

Këto shoqërime të fëminisë më erdhën tani ndër mend ndërsa mendoja çfarë të shkruaj për Embriologjinë e Shkëlqimit.

Yje të shquar,  yje të pashquar është titulli i novelës së tretë, dy të parët do t´jua le t´í zbuloni ju. Por edhe titulli i saj nuk është tamam kështu, është mbivendosur në një një sintagmë, duke futur q-në mes kllapës, thua se q-ja ndan dy botë: Yje të pash(q)uar.  Gjetje e lezeçme kjo.

Personazhe episodike shfaqen, pa bërë kuptim, por duke lëshuar thashetheme sporadike me shumë kuptim, për t’ú larguar ata sakaq, e për t’úa lënë vendin të tjerëve, po aq tranzit sa erdhën, dmth, një rrëfim pa hero dhe pa antihero, dhe pa asnjë kuptim, veçse: Sa pa kuptim është kuptimi!

Në përgjithësi e gjithë bota simbolike ku jetuam, e sistemeve që krijojnë vlerën, ka një element bazik nonsensial, i cili merret i mirëqenë pa diskutim. Por autori ka vendosur të diskutojë origjinën e normës dhe shprehjen e saj simbolike.

Pasi mbarojnë personazhet e Portalit, që krijojnë atmosferen hyrëse, (dhe ky është një portal i lagjes së Ali Demit (dhe jo i ndonjë firme Brand Name apo web-i tjetër on line), nga ku mbledhim thërmijat kuantike sociale për të patur shijen e atmosferës “shoqëri”,  hyn në lojë fëminia e autorit, si një personazh në takim me fjalët dhe konceptet, për t’ú formuar me përmbajtjen e tyre, e botës, duke nyjëtuar e dubluar atë, si pjesëmarrës. Fëmijës nuk i bën sens sensi. Habia e tij profanike kundrejt asaj empirike krijon precedente filozofike, kaq interesante dhe të lehta për lexuesin, dhe e zbrazin atë ndaj çdo mistifikimi për rendin social (orderin).

Procesimi është i thjeshtë dhe demistifikimi poashtu. Pyetje profanike si: “A vdesin udhëheqësat, o ma?“, i japin ilaritet në vend të dhimbjes lexuesit, dhe kjo është kënaqësi pasi dedramatizon lëndën. Dhe ja një pasazh nga fundi i librit:

“Merret me mend zhgënjimi im ditën kur dëgjova se paskësh parulla armiqësore. Këto duhej të ishin me germa të zeza dhe vetëm ndonjë fjalë me të kuqe përpiqej t’u qëndronte shkulmeve të tyre. Aty kuptova edhe pse flamuri ynë ishte kuq e zi, vetëm se shqiponja e zezë sikur e ngatërronte punën. Flamuri i Kinës ishte i gjithi i kuq. Shumë të mençur kinezët. Ajo ditë ishte e flamosur. Kisha përshtypjen se para gjumit të drekës kisha krijuar një citat, të cilin kur u zgjova nuk e mbaja më mend. Ishte me siguri një citat i përsosur…

Pikërisht kur ëndrra e fshehtë për udhëheqës, që nuk u thuhej as të rriturve, po e zbehte breroren e heronjve, në shtëpinë tonë erdhi për vizitë një hero me emrin Fuat. Ishte pa sy, me kostum gri dhe këmishë me jakë të hekurosur. Im atë e njihte se e kishte nga fshati i tij. Fuatin për herë të parë e kisha parë në një dokumentar te kinema “Ali Demi”. Kisha qenë bashkë me babanë dhe nënën.

Filmi që kishim shkuar të shikonim ishte me ca meksikanë me kapele të mëdha, të cilët rriheshin për një grua të bukur, por përpara tij u dha dokumentari për Fuatin e verbër që ndërtonte kalldrëme në fshat. Nuk kisha parë ndonjëherë të verbër më parë, kurse tani e kisha para syve, në tryezë, duke ngrënë dhe duke folur për gjëra që s’i kuptoja. Ishte shumë për një natë të vetme: edhe i verbër, edhe hero, dhe ndonëse po më dukej si njeri i zakonshëm, e detyrova veten ta kundroja si të jashtëzakonshëm. Doja t’ia shikoja sytë, por ishte e pamundur prej syzeve të errëta e me xham të trashë që mbante.

Magjia e udhëheqësve ishte tërhequr përkohësisht para asaj të heroit të verbër, dhe unë po ëndërroja sërish të isha hero, mundësisht i verbër, ndaj u përpoqa të haja edhe unë symbyllur, duke krijuar një rrëmujë të vogël mbi tryezë, me një gotë uji që u derdh, por pa shumë zarar. Vetëm se ngashnjimi i heroit zgjati pak. Hija e udhëheqësit erdhi e beftë, ashtu siç i kishte hije, sipërane, gati qortuese pse e kisha lënë pas dore. Fuati tregoi një radio që “udhëheqësi ynë” ia kishte dhuruar. Ajo radio dore ishte një mrekulli që s’kish portal ta sillte.

Shumë më e vogël se radioja jonë Marelli, ajo lëshoi ca tinguj të qartë, që dukeshin më tepër të tillë nga vogëlsia e saj luksoze. U mahnita, por mrekullia s’kish mbaruar ende. Sikur të mos mjaftonte udhëheqësi ynë, heroi foli edhe për një udhëheqës tjetër. Jo udhëheqës dosido, por të vetë Kinës së Madhe. Ai ia kishte dhuruar atë radio udhëheqësit tonë. Kjo ishte më shumë nga sa mund të përballoja: një dhuratë e udhëheqësit të madh për udhëheqësin tjetër të madh! M’u mor fryma.

Udhëheqësi ynë e kish pyetur udhëheqësin kinez nëse mund t’ia dhuronte dhuratën e tij heroit tonë pa sy, dhe ai kishte pranuar. Hapa veshët mos dëgjoja ndonjë citat, por citat nuk u tha, edhe pse ishte e pamundur që citat të mos kish patur në atë këmbim madhështor.

S’dihej si do të më zinte gjumi atë natë. Meqë mamaja do të lante enët e darkës heroike, motra do të më vinte përsëri për të fjetur. Nuk doja përrallë, asnjë përrallë nuk kish kuptim të tregohej pas asaj mbrëmjeje…

Të nesërmen Fuati iku që në mëngjes. Një veturë e priste në pragun e derës së shtëpisë sonë. Duke dalë nga oborri, në një çast kur askush nuk po e mbante për krahu, ai u përplas në një degë të ulët mani, tek e cila vareshim ose bënim lisharëse. Goditja qe e fortë, me një zhurmë të mbytur, dhe gunga në ballin e tij u ngrit menjëherë në ngjyrë blu të errët, të paharrueshme. Gungë e vërtetë, jo si mbiemri i jevgjve. E vrarë heroi, mendova, duke prekur kokën në të njëjtin vend ku u vra ai, me dëshpërimin se balli im nuk do të prodhonte dot kurrë një të vrarë aq blu.

Personalizimi i konceptet si të ishin mishërime, dhe në të vërtetë ashtu janë: ato ecin, këmbehen në komunikim me procesin e humbjes së kuptimit së tyre dhe fitimit të kuptimit: që ato nuk kanë më kuptim, sepse historizmi ua ka zhveshur kuptimin. Këto fosile që pretendojnë jetë, rrëzohen prej përdorimit, pasi nuk i qëndrojnë më atij.

Ndryshimi social ka sjellë një stil anticipimi, i cili me të drejtë na bën të mendojmë: Si të mendosh?, që për shkrimtarin është: Si të shkruash?

Kjo është një pyetje që lind bashkë me prisin e të çliruarit të së pashprehshmes. Shkrime mund të kemi sa kemi dhe shkrues, por si mund të dallohen ato, nëse kemi ndonjë mjet dallimi për të dalluar.

Sigurisht që kemi. Gjithë çfarë trashëgojmë si mendim e si bindje, si dispozitë gjykimi, koncepte, fjalë, apo sisteme, janë mjete dallimi, për të dalluar ngjarjen që po ndodh në ndryshimin e dallimeve, nga një stad te tjetri, nga një transit në tjetrin.

Zakonisht autorët klasikë dallohen nga modernët sepse të parët dedektojnë diskursin që po ndodh ndaj mjeteve të dallimit, pa e vënë në diskutim dalluesin. Dalluesi, është vetja që dallon me të gjitha kapacitetet shprehese, aluduese dhe frustruese. Por rrallë mund të ndodhë, si në rastin e autorit tonë, që të marrësh një ndërmarrje të pastër, pothuaj racional-letrare, për të dalluar marrëzinë e dallimit.

Po çfarë është marrëzia e dallimit dhe nga buron ajo?

Sigurisht, marrëzia e dallimit është në vetë konceptin, por jeta e tij varet nga mënyra sesi jemi ndërtuar, sesi i besojmë pothuajse natyrshëm konceptet, esencat tona social- historike, dhe se si edhe kur nuk i besojmë, i  përdorim ato për të ruajtur pozitën tonë, e cila është vënë në diskutim nësë atë çka e besojmë ose na intereson ta besojmë, të tjerët nuk kanë ndjeshmëri ta besojnë dhe aq më pak interes.

Kjo vlen dhe për ne kundrejt të tjerësh, por procesi i demistifikimit të signifikimit, edhe pse duket individual dhe ashtu ndodh, kërkon zhvillime sociale të ngopura, si stina e korrjes.

Ne mbahemi te ajo që na mban, thotë Heideger, ç`ka do të thotë se orderi, sensi i përbashkët, është shumë i rëndësishëm për jetën e njeriut dhe vetorientimin e tij.

Duke analizuar diskursin, dhe diskursin e diskursit, deri te rrënjët e mendimeve të djeguara, Derrida thotë se  procesi na nxjerr nga realiteti por ende nuk na lejon të alokohemi(vendosemi) në truall tjetër; jemi mes dy botësh dhe në solicitizëm(lëkundje), mbetemi prapë pending (varur), në asnjërën- Një:  në tërheqjen e asaj që nuk është dhe prandaj është, dhe asaj që nuk është pasi nuk na përket edhe pse gjindet.

Individualiteti psiqik e gjen veten gjithmonë e më shumë në lëkundjet solicitike, por gradualisht kjo po bëhet mënyrë jetese, duke pluaralizuar sensin e qenies dhe mjegulluar brigjet e kuptimit.

Këto mendime u cytën prej tregimit të autorit, duke analizuar kursin, vetë sensin komun të qenies, e duke bërë thuajse gallatë me mjetet e dallimit të tij, që janë edhe mjetet tona përditore dalluese, që edhe pse i zhveshim, si armët, i pastrojmë e demistifikojmë, për t’í përdorur prapë, pasi jeta në një gjatësi të konsiderueshme është zakon.

Vetëm në momntet e implikimit fillojmë të mendojmë, por kjo nuk është e mjaftueshmë për të mbërrirë shpëtimin. Ne jemi, me sa duket, bijtë e zhvendosjes historike, ende të padehistorizuar! Dhe kjo tregon se kemi një funksion procesual dhe një rol në të gjithën, qoftë edhe qesharak, pse jo!

Marrë nga gazeta MAPO, datë 18 mars 2017.

Librin mund ta porositni direkt te linku KETU, me nje mesazh në rrjetet sociale, ose me një telefonatë te numri: 044508282

emriologji

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *