Gjenia njerëzore, nudo, por e veshur me yje

rudolf

“Një lexim i antologjisë poetike “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” i përgatitur nga Rudolf Marku

prec-zogaj-2Preç ZOGAJ

Kam privilegjin të kem qenë  një nxitës dhe mandej edhe redaktori i kësaj antologjie, fillesat e së cilës datojnë  rreth katër dekada  më parë. Në vitet 1978- 1979  të shekullit të kaluar, në Lezhë, në një shtëpi dykateshe afër lumit Drin,  një poet i ri me një pamje ta pazakonshme, që kishte jo rrallë në fytyrë shenjat e prerjes së briskut, mu sikur kishte mposhtur edhe njeherë tjetër dyzimin për ta lënë apo për ta vazhduar këtë jetë, na lexonte ne shokëve të tij më të rinj poezi të përkthyera prej tij nga autorë anglezë dhe amerikanë, të panjohur ose të ndaluar në Shqipëri.

Nuk e kam harruar kurrë poezinë “Qytetari i panjohur” të Auden, në të cilën, pasi tregohet permes enumeracionit të jetuarit e qytetarit  model brënda korrnizës së konformizmit, vjen papritur një ndërprerje dhe vargjet tipike të një poeti që nuk mund te jetë veçse anglez: “A ishte ai lumtur?/ Pyetje absurde është/ Po të ishte bërë ndonjë gabim / Do ta merrnin vesh”.

Apo poezia tjetër e jashtëzakonshme e Wilfrid Owen me tullin “Dulce e Decurum Est”.

Këtu përshkrimi elegjiak i vdekjes nga gazi helmues i një ushtari në  transhetë e luftës së parë botërore këputet nga kontrapunkti përmbyllës që unë po e citoj siç më ka mbetur në mendje dhe jo plotësisht siç do ta gjeni në libër “Nëna, mos ua thoni fëmijëve tuaj  rrenën e vjetër/  E ëmbël dhe e lavdishme është të vdesësh për atdheun”.

Këto ishin vargje dhe poezi që në një anë tronditën gjithë një mënyrë të menduari të dominuar nga kufizimet, steriotipet dhe dogmatizmi, në anën tjetër ndihmuan për formimin e një shijeje, estetike dhe vetëdije të re të lirisë për poezinë. Këtë bëri Rudolf Marku, një nga prijësit e avanguardës letrare të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, përfaqësuesi më autentik i një gjenerate, të cilën dikush e ka quajtur “gjenerata e antenës së ngritur në mjergull”, duke patur  parasysh faktin se poetët dhe artistët më të mirë të saj vendosen me letërsinë dhe artin modern një kontakt dhe një komunimim të çuditshëm, përtej dhe përmbi klonet e filtrat e Shqipërisë së mbyllur. Kam menduar dhe  vazhdoj të mendoj për ketë enigmë të daljes së mendjes dhe shpirtit artistik  nga izolimi i imponuar.

Nuk kam një përgjigje, thjesht e tregoj enigmën në fjalë. Dhe sa për ta ndriçuar pak, me vjen në mendje  përgjigjja që i ka dhënë poeti im më i dashur, Luis Borhes, pyetjes “cilët janë  poetët që ju kanë ndikuar në krijimtarinë tuaj”. Pasi bën një listë të gjatë  të poetëve të vet më të dashur, Borhes ndalon një çast dhe  shton: “Dhe të gjithë ata që nuk i kam lexuar por që janë tek unë.

Ka shumë mundësi që  poetët të takohen pikërisht në këtë lloj mediumi pa kufinj, pa kohë dhe hapësirë. Dhe nuk është për t’u habitur nga kjo pikëpamje që një poet i ri nga Lezha e  vogël e Shqipërisë së mbyllur e viteve shtatëdhjetë mbërriti në Londër me biletën dhe vizën e sensit  artistik shumë vite përpara se sa të zhvendosjes edhe fizikisht atje në kushtet e hapjes.

Nuk është për t’u habitur poetesha e parë e botës, Safo, të jetë ndikuar dymijë e gjashtë qind vjet më parë nga poetesha bashkëkohore Jenny Josepf; Ovidi i Romës së lashtë të  këtë paraparë në vizionet e tij të poezisë erotike poetin modern të shekullit të njëzet Ted Hughes; poeti i madh i Kinës së lashtë Li Po të ketë takuar në finesën e tij të rrallë poetin modern izraelit, Jehuda Amichai.

Në librin unik të poetëve dhe poezisë së mirë këto gjëra kanë ndodhur, ndodhin e do të ndodhin. Poezia është një përftim, çlirim dhe emanencë nga e njëjta lëndë e mendjes dhe shpirtit poetik.  Antologjia “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme”, është një tjetër provë.

Shtatëdhjetë e gjashtë poetë, njëqind e njëzet e gjashtë poezi, përzgjedhur me kriterin e përlqyeshmërisë së përkthyesit, ku unë dalloj si një standard të shijes dhe preferencave të tij binomin e poezisë së dashurisë me atë  alegorike, të lidhura nga fibra e elegancës.

Kjo është për lexuesit e poezisë dhe për bibliotekën tonë dhurata e një eksplorimi të gjatë të  Rudolf Markut nëpër shenjat që kanë lënë në poezi rrotullimet e tokës rreth diellit që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Pse shtatëdhjetë e gjashtë? Pse njëqind e njëzet e gjashtë? Çdo hartues antologjie përballet me pyetje të tilla. Alen Boske, autori i antologjise me titullin provokativ “Njëqind poezitë më të bukura të botës”, që ka qarkulluar në Shqipëri në fund të viteve nëntëdhjetë në formë të fotokopjuar, thoshte vetem këtë që gjithkush mund të zgjedhë një antologji të veten dhe se përzgjedhja është në njëfarë mënyrë vetë përzgjedhësi. Më lejoni të huazoj prej tij flalinë përmbyllëse të kësaj paraqitjeje: “Ja gjenia njerëzore, nudo, por veshur me yje”

Shkrimi është publikuar në gazetën MAPO, datë 25 mars 2017

Në jeni të interesuar për antologjinë, mund ta porositni direkt te linku KETU, përmes Facebook.com/bukinist.al ose përmes numrit të telefonit: 044508282

rete-qe-shkasin-atje-tej-rete-e-mrekullueshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *