Lexim i romanit “Robinja” i Marcel Proust, pjesë e “Në kërkim të kohës së humbur”, i përkthyer nga Edit Dibra, dhe botuar nga “Fan Noli”
Diana Çuli
Shtëpia botuese Fan Noli, në vijim të veprave të klasikëve botërorë, që kjo shtëpi nuk resht së hedhuri në treg, ka botuar së fundmi romanin Robinja (La prisonnière) të shkrimtarit Marsel Proust. Përkthyesja, Edit Dibra, ka zgjedhur ta përkthejë titullin “E burgosura” me një fjalë shqipe më karakteristike dhe me përmbajtje më të theksuar, “Robinja”.
Në anglisht ky titull është përkthyer “The prisoner” ose “The Captive”, në italisht: “La prigioniera”. Pra, gjuhët kryesore europiane kanë zgjedhur përkthimin ad litteram. Ndoshta Robinjës sonë i përgjigjet The Captive i anglishtes. Sidoqoftë, Edit Dibra duhet përgëzuar për këtë përzgjedhje të kujdesshme, që vihet re më pas gjatë gjithë romanit, për skrupulozitetin dhe përgjegjësinë e saj jo vetëm në gjetjen virtuoze të fjalëve, por edhe në një përcjellje sintaksore shqipe të një niveli mjaft të përpunuar. Mos të harrojmë asnjëherë se kemi të bëjmë me një nga mjeshtrat më të vështirë të narracionit që ka patur Europa gjatë historisë së saj dhe vetë Franca, si një nga mbretëreshat e letërsisë.
Robinja është “kapitulli” i pestë i Në kërkim të kohës së humbur, i këtij romani pseudo-autobiografik, i rrëfyer së shumti në teknikën narrative të përroit të ndërgjegjes dhe i botuar në vitin 1925, pas vdekjes së autorit. Proust-i po punonte për të deri në kohët e fundit para se të ndërronte jetë. Dhe, siç vëren kritika, romanit i kanë mbetur pasaktësi, mungesa lëmimesh të frazës vende-vende, që shkrimtari padyshim do t’i kishte korrigjuar sikur të jetonte edhe një ose dy vjet të tjerë.
Personazhi i tij kryesor i ngjan, si dhe në romanet e tjerë, vetë Proust-it të tërhequr nga jeta sociale. I lindur në vitin e parë të Republikë së Tretë, Marseli i ri, si dhe narratori i tij, ishte një fëmijë delikat prej një familjeje borgjeze dhe mjaft i njohur në sallonet e kohës. Personazhi fton në shtëpi Albertinën, të cilën e mbyll brenda.
Vajza e re, me gjithë robërinë e detyruar nga i dashuri-padron i saj, zbulon një botë të çuditshme e me zakone të çuditshme. Xhelozia e tij merr përmasa të papërfytyrueshme, të sëmura, ai ndërton një mekanizëm të ndërlikuar kontrolli, aq më tepër që xhelozia nuk drejtohet vetëm te meshkujt, por edhe te gratë, duke dyshuar se Albertina është lezbike. Është shumë i ndërgjegjshëm se Albertina ndihet shpesh si e burgosur dhe sjellja e tij ndaj saj të kujton atë të Suanit te romani tjetër i Proust-it, Dashuria e Suanit.
Por, kjo dashuri e mundon, e sëmur, e bën fatkeq, veçanërisht kur i duket se nuk i kupton asfare mendimet e saj dhe se ajo ngjan si njeri i panjohur. Midis tyre shtohen grindjet, edhe të dhunshme. Nga ky moment, çdo gjest, çdo fjalë, çdo shikim, madje dhe çdo heshtje e të dashurës interpretohen prej tij si pohime të pabesisë së saj, të kaluar e të tashme, ose, aq më keq, si shenja të pamohueshme të fajësisë së saj. Edhe sikur ajo të vdesë ai nuk do të qetësohej nga tërbimi vetëshkatërrues i kësaj xhelozie, gjë që është përshkruar në mënyrë mjeshtërore në roman.
Prandaj dhe ky libër përcaktohet si një nga interpretimet letrare më të forta të ndjenjës së xhelozisë. E shkuara e saj, jeta e saj e dyfishtë, gënjeshtrat, dinakëritë e hiletë e vogla të saj, dashuria e saj për gratë, që sipas përfytyrimit të tij, i kanë dhuruar kënaqësi të ndryshme prej atyre që i jep ai, nuk e lënë asnjë çast të qetë unin-rrëfyes të Robinjës. Këto mendime e turbullojnë, e dërmojnë, e lajthisin fare; edhe kur e sheh të flejë, edhe në ato çaste zemra e tij copëtohet nga xhelozia.
Me gjithë stratagjemat e përpunuara deri në ekstrem që përdor për t’i nxjerrë asaj nga goja pohimet, nuk arrin kurrë asgjë dhe më shumë e më tepër shkallon nga xhelozia, derisa një ditë të bukur, zgjohet në mëngjes dhe gjen pusullën që Albertina i ka lënë, pasi është larguar me gjithë valixhe.
Ky roman, si e gjithë vepra e Proust-it shquhet për zhbirimet e hollësishme psikologjike, tablotë e jetës parisiane të kohës, përmes edhe vetëm bisedave nëpër sallonet, aftësi që pak shkrimtarë e kanë dhe askush nuk kishte arritur përpara tij.
Mbi të gjitha për atë kategori xhelozie që lind nga dëshira për të sunduar personin e dashur dhe që shndërrohet në një shfaqje psikotike të dëshirës për vetëshkatërrim, për cupio dissolvi, që na shpjegon shumë pamje të mungesës së ekuilibrit afektiv të xhelozit, si dhe për llojin e marrëdhënies me personin për të cilin ushqen këto ndjenja xheloze.
Në përfundim të këtyre pak fjalëve për një vepër të madhe, më mbetet vetëm të uroj edhe njëherë botuesin dhe përkthyesen për këtë ndërmarrje të realizuar me sukses.
Marrë nga gazeta MAPO
Librin mund ta porositni direkt te linku KETU, me nje mesazh në rrjetet sociale, ose me një telefonatë te numri: 044508282