Një urë për vetveten

mimoza-ahmeti-1

Shënime për vëllimin poetik “Libri i lumturisë ose lulet e fjetura” të Mimoza Ahmetit

agim-baciAgim Baçi

Je vendosur ndonjëherë përballë vetes? Jo në pasqyrë, aty ku sheh lëvizjen e qepallave, mimikës, buzëve apo qafës që kërkon të të rrotullojë kokën në një tjetër drejtim. Thjesht të vendosesh përballë vetes, ku je ti dhe vetëm ti, e bota që rrotullohet përmes kujtesës dhe imagjinatës, përvojës dhe dëshirës për të kuptuar se nga vijmë e ku shkojmë…

Mimoza Ahmeti kërkon të lidhë një urë mes vetes dhe vetes, duke i folur trupit të saj, përvojës së saj, kohës së saj. Janë vargje që kanë kufi të vetëm kuptimin e fundmë se çfarë vlen të besojmë për të ecur përpara, për të kuptuar tundimet e pafundme por edhe fuqinë për të qenë zot i udhëtimit të gjithë lëvrimeve nën lëkurë. E në këtë udhëtim ajo na fton të besojmë se brenda njeriut ka ende shumë për të parë, shumë për të kërkuar, që ajo që është për njeriun të nisë rrugëtimin e jetës, të japë aromën e njeriut, të çelë për atë që dëshiron të jetojë. Beson ende se ka ngjyra që njeriu ende nuk i ka treguar se mund të rrojë në harmoni me veten dhe të tjerët.

LULET E FJETURA

Ka shumë lule të fjetura në njerëz

të zgjuar,

nën një diell të brendshëm

të një horizonti tëpafolshëm-

të gjalla lule, të ngrohta,

ermuese,

nën gjethet dhe lulet e shfaqshme

të diellit të zakonshëm.

Të kisha njërën syresh

të isha njëra prej tyre.

Një puthje që s’u formua.

Nëpër gjire njerëzish,

të çelura latentisht,

nën besime e zhvillime të padukshme,

pa u bërë çështje, pa u bërë zgjidhje

puliten kraharoreve

lulet e fjetura. ( Mimoza Ahmeti, “Libri i lumturisë ose lulet e fjetura”, Mapo Editions, 2016, f.20)

Përmes vargjeve kur vallëzojnë shpërfillja dhe lutja njëkohësisht, Ahmeti  sjell përballjen me rrugët e humbjes – rrugë që jo pak herë nisin të ndërtojnë fitoren. Nuk stepet ndaj së pathënës dhe këmbëngul se është mosbesimi vrasësi e jo humbja e kuptimit. Nuk e trondit dhimbja, por mosbesimi se ajo mund të kalojë. Dhe gjithkund sheh dashurinë, si e vetmja që na dallon në portret, duke qenë e jona dhe vetëm e jona – e vetmja forcë që i ka të gjitha urat të vetat për të hyrë brenda nesh e për të ndërtuar shtëpinë e saj, me dritaret e saj, me syrin magjik nga ku kërkon të shohë vetëm fytyrën që i sjell dritën e diellit.

“Ah, theqafja….

Botët i bashkon theqafja dhe

i ndan dashuria.

Hidhërimi është burimi

që rrjedh midis…  (Shkëputur nga poezia “Shërimi”, po aty, f. 69)

Pasioni i konkretes vihet përballë së Përhershmes, duke vënë përballë fuqinë dhe pafuqinë e njeriut përballë krijimit, të asaj që ka qenë përpara dhe do vijojë të jetë edhe pas nesh pavarësisht stinës, vendit, gjinisë, gjuhës, trishtimit apo dashurisë. Kërkon të përshkruajë qiellnajën e saj edhe pse e di se mishi dhe kockat kanë përditshmërinë e tyre. Dhe në këtë ftesë përmes vargjes Ahmeti na rrëfen se e ka një urë- të besojë se mundet, të besojë tek një fuqi që ia ka dhënë njeriut rrugëtimet dhe fuqinë për t’u ringritur pavarësisht gjithçkaje….

Shkrimi është marrë nga gazeta MAPO

Librin mund ta porositni direkt online te linku KËTU, me mesazh në rrjetet sociale të Bukinist apo me një telefonatë te: 35544508282.

libri-i-lumturise-ose-lulet-e-fjetura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *