Lexim rreth romanit “Jeta fillon të premten” me autoren rumune, Joana Parvuelsku, botuar nga Pegi
Diana Çuli
Joana Parvulesku ka lindur në Brasov të Rumanisë në vitin 1960. Studioi për letërsi në Bukuresht dhe menjëherë ra në sy në rrethet letrare. Ajo është mjaft aktive, jo vetëm në jetën akademike, por edhe në botime, përkthime nga frengjishtja dhe gjermanishtja, etj. Bashkëpunon me shumë gazeta rumune. Në vitin 2013 fitoi Çmimin Europian për Letërsinë me romanin për të cilin po shkruajmë dhe këto reshta : Jeta fillon të premten.
Jeta fillon të premten është një udhëtim i veçantë dhe unik në një botë dhe në një jetë tjetër, në atë të 100 vjetëve më parë, por që është dhe shumë e ngjashme me tonën në dukuritë e saj thelbësore.
Në rrethinat e Bukureshtit, në dëborë, gjendet pa ndjenja një djalë i ri. Nuk është i plagosur, vetëm i shastisur. Dyshojnë mos e kanë goditur. Ka veshur këpucë të çuditshme. Ai nuk arrin të nxjerrë veçse tinguj të pakuptueshëm.
Askush nuk e di kush është dhe të gjithë japin nga një mendje se kush mund të jetë. Por, pasi kërkohet me ngulm identiteti i personazhit kryesor, me shumë hamendje e përpjekje, pasi shpalosen edhe personazhe të tjerë, në fund lexuesi e kupton se ky personazh është vetë qyteti i Bukureshtit. Në roman përshkruhen 13 ditët e fundit të vitit 1873 duke kulmuar me tablonë e mrekullueshme të së ardhmes, të përfytyruar nga personazhe të ndryshëm.
Mund të themi, në të vërtetë, se jemi edhe ne vetë që po e jetojmë të ardhmen e të tjerëve. Këtë bën Dan Cretu, alias Dan Kretzu, gazetari i ditëve të sotme, i cili kthehet mbrapsht në kohë nëpërmjet një procesi misterioz – nuk na tregohet saktësisht se në ç’mënyrë, por episodi letrar është i mjaftueshëm për të na mundësuar të hedhim një sy në një periudhë të shkuar, pothuajse të harruar plotësisht, por ende mjaft e gjallë në zemrat tona.
Ioana Parvulesku është edhe historiane dhe e njeh me hollësi të kaluarën e Bukureshtit. Rindërtimi që ajo i bën qytetit elegant, ashtu siç ka qenë ai në shekullin e nëntëmbëdhjetë, është tepër i gjallë dhe tregon me imtësi jetën e përditshme të tij, përmes personazheve të veçantë. Dhe gjithçka zhvillohet në kohën e shkurtër të trembëdhjetë ditëve.
Kritika shkruan se « ky roman, i bazuar në njohuri të shëndosha histiorike dhe kulturore të kohës që përshkruan, i rrëfyer nga pikëpamje e personazhe të ndryshme, na ka lënë një shije të plotë e të këndshme, me imazhet që ndjekin njera tjetrën, si në një film.
Trilli i romanit shfaqet disi më ëndërrimtar se realiteti i ngurtë me të cilin jemi mësuar, e megjithatë përjetojmë të njëjtat ndjenja si personazhet, habinë, entuziazmin, kuriozitetin, pritshmërinë e lartë, frikën, humbjen dhe dashurinë (Scottish Revieë)
Romani ka dhe një strukturë origjinale. Të gjithë personazhet, edhe kur nuk janë të lidhur me njeri tjetrin, jetojnë paralel me njeri tjetrin. Parvulesku ka shkruar dhe shkruan mjaft non-fiction – për këtë arsye ka një ndjenjë të ndryshme mase në shtjellimin e subjektit dhe të narracionit; por, në libër gjejmë dhe atmosferë Krishtlindjesh Dikensiane, të përzier me lidhje dashurore, vetmi, mister dhe realitet të ashpër, të gjitha brenda kornizës historike.
Përse ky roman tërhoqi shumë vëmendjen, përse u përkthye menjëherë në një numër të madh gjuhësh? Ndoshta për pyetjet që ngrejnë personazhet e autores dhe fati i tyre? Cila është bota ku ne duam të jetojmë? E shkuara? E tashmja apo e ardhmja ? Do të jemi gjithnjë pre e ëndrrës, pa u përpjekur të ndryshojmë të tashmen, që është e ardhmja e të shkuarve të dikurshëm, pra ne jemi ëndrra e tyre ? Këtë kishin dashur ata ?
Të gjitha këto pyetje ekzistenciale, të shprehura përmes një mjeshtërie të habitshme artistike dhe tejet origjinale, siç thamë dhe më lart, na shtyn ta lexojmë jo vetëm me kureshtje, por edhe me reflektim.
Në shqip, romanin Jeta fillon të premten e ka sjellë shtëpia botuese PEGI, me përkthimin e shkëlqyer të Kopi Kyçykut, njohës i vjetër e i thellë i gjuhës rumune, por, për më tepër njohës dhe dashurues i shqipes dhe i mundësive të saj të pamata letrare.
*Artikulli është marrë nga gazeta “MAPO”
Porosite direkt te linku Këtu ose me një telefonatë te numri: 044508282