Reflektim mbi librat me poezi të Rita Petros, “Vrima” dhe “Kënga e turmës”
Dr. Mimoza Ahmeti
Metafora duhet të jetë një nga komditetet me të sofistikuatra që ka prodhuar në artikulimin e vet njeriu, për t´í shpëtuar kufizimit të gjuhës! Kënaqesia e shprehjes është ndjesia më e stërhollë e tij, kur është i mësuar sidomos me të. Po prapë, zhvillimi estetik i gjuhës, presupozon në një farë mënyre vazhdimin e saj, të estetizuar, por vazhdim!
Por ekonomizimi i kushteve emocionale dhe psiqike, nuk e favorizon gjithmonë shprehjen e tërthortë, metaforike. Dhe kemi befasime pastaj të një gjuhe tjetër, e cila na godet me drejtpërsëdrejtësinë e saj, si të ishte metafora vetë.
Paturpësia për t´í thënë gjërat ngadonjëherë haptas, duket për një perceptim të standartizuar, po aq figurative a ndoshta edhe më: shokuese, sesa gjuha figurative. Këto ishin disa përciatje fillimisht, duke lexuar poezinë e Rita Petros.
Por çfarë është prapa këtij fenomeni linguistik, aq më tepër kur bëhët fjalë për poezi?
Konfigurimi i kuptimeve pa gjuhë, është tashmë një fenomën i njohur nga shkenca. Një tru që një herë ka mësuar botën e ndarë nëpërmjet gjuhës, di të llogarisë ndarjet e saj dhe pjesëmarrjen e tij në përdorimin e ndarjeve edhe pa nevojën e fjalëve.
Te poema e parë e autores, që mban edhe titullin: “Poema e fundit për dashurinë”, ajo thotë:
“Pluskoj e pluskoj në errësirë
Pa kohë… pa dritë… pa kufi
Pa tingull… pa zë… pa mendim”
Humbja e gjuhës dhe e mendimit është break- downi i logjikës për të rinisur një shprehim tjetër. Kapërcimi i rrethit të gjuhës nga sjellja reaguese e trupit, jo vetëm është një fenomenn tashmë i vëzhguar, por është edhe një kusht për ndryshimin e kodeve dhe organizimit njerëzor dhe perceptimit si vetëperceptim; lëvizja e brendshme e këtij sistemizmi është vetë gjuha më në fund, ndryshimi i saj.
Duke marrë të drejtën të avancoj pak, do të kujtoj se jo më kot Hedegger pat theksuar që ndryshime të dukshme po ndodhnin në gjuhën e njerëzve të thjeshtë, të grupeve njerëzore, ndaj të cilave ndryshime shoqëria nuk po tregon vëmendjen e duhur, munitorim, nuk po i analizon dhe nuk po shikon çfarë po ndodh mbas këtij ndryshimi linguistik fenomenal, i cili do të sjellë një ditë një botë të papritur!
Po cila është pika e fundme e kuptimit? Kuptimi i kufinjve të tij? A është ky momenti logjik i ftillimit; rendi kufizues që ka bota e gjuhës ka thirrur të pakufishmen prej trupit! Por nëse nuk kemi gjuhë për të pakufishmen, ndjejmë se kemi trupin për këtë. Eshtë ai që refuzon bindjen linguistike të esencave natyrale kundrejt sociale, duke lëshuar gjeste, sjellje dhe formulime hapsinoromentale të papritura, që na befasojnë sikur ai të ishte një personalitet tjetër, i panjohur, brenda personalitetit tonë.
Sipas M. Pontit, kuptimi së pari njëson në formë të fshehtë në shenjat truporo-reale dhe vetëm rrjedhmërisht prej kësaj marin formë të jashtme duke u abstraguar prej origjinës. Logosi i botës së kulturuar, siç thotë ai, ka buruar nga “ nga rendi i eger i signifikimit karnal”, i egër në kuptimin: fillestar.
T´i japësh të drejtën trupit të flasë, duhet të jetë diçka mëse e mirë dhe e dobishme jo vetëm për të por për të gjithë, por jemi të strehuar nën frustrimin e normave, fjalive, sinorëve, dhe rrimë aty të mbrojtur nën gjuhë, për të ndjerë agoninë tonë; dhe rrethin e thyen i pari ai që që nuk mund të bëjë dot ndryshe, për arsye të presionit për të qenë ai që e thyen, i pari, por edhe prej mosarsyesh, prej ngjarjes, e cila ndoshta, pa të pyetur, si e vetmja mënyrë, edhe pse aksidentale, të shpëton jetën dhe bëhet ndihmë për të tjerët.
Origjina e këtij procesi është e padukshme. Ai ka filluar përpara ardhjes në botë, përpara shtatzanisë së nënës ndoshta:
“Befas ndihem rrethuar
Mes muresh të buta të mishta…
Ç’është kjo fuqi shtytëse
Që më shtyn jashtë?
Dhe kjo fuqi tërheqëse
Që prej këtej më nxjerr?
Ku po më çoni?
Lindja e një njeriu është vetëm fillimi i një procedimi të mbrojtur më përpara brenda së pashfaqshmes. Njeriu vjen në një botë ku asgjë nuk di a njeh dhe për më tepër është krejt i pafuqishëm, dhe kjo është e vetmja fuqi fillimisht që ai ka.
Ai vjen për të njohur kufinjtë dhe për t´i shtyrë ato më tutuje, duket se ky është misioni:
TANI JE NË DORËN TIME- është një kapitull që fillon që te gjinekologu, vazhdon te mamaja, babai, polici, zoti..:
“Tani je në dorën time!
Thotë BABI…
Kush ma ndaloi kolovajzën
Dhe këmbët m’i uli në tokë?
Unë t’i ula
Unë jam PROFESORI.
Tani je në dorën time!”
Përmes aksionit të marrjes së kulturës vijon M.Ponti, unë marr banim në jetë që nuk janë të miat. I ballafaqoj ato, i bëj të njihen me njëra tjetrën, i bëj baraz të mundshme në rendin e së vërtetës, duke e bërë veten time përgjegjës për to dhe krijoj një jetë universale, një Shenjë.
Por do të shkonim më tutje, duke lexuar poeten tonë, nëse banesa e vjetër që e jetojmë si tonën nuk i përgjigjet më jetës sonë, do të vazhdojmë të jemi banorët e saj të vdekur, pasi trupi që e krijoi atë prej themelimi, na detyron të jetojmë jetën e tij si tonën prej imitimi. Dhe sa gjatë mund të bindet trupi i gjallë të jetojë jetën e një të vdekuri, i cili e jetoi të tijën, prej fatit të themelimit të shenjës primare, që koinçidoi me të? A mos jemi fatkeqë ngaqë nuk jemi iniciues?
Ky është mesazhi i poezisë së Petros në librin e saj disi të përfolur për mungesë konvencioni etik.
“Para Zotit tim duart i kam të lira
Me pëllëmbët e hapura kah qielli…
Çdo gjë që po thua tani
Do përdoret kundër teje!
Ku?”
Shkrimi i historisë është i ndaluar për njeriun e zakonshëm, thotë autoja me ironi në vargjet e saj. Atë vetëm mund ta lexosh, por jo ta shkruash! Sigurisht, do të përgjigjesha, duke cituar modernët, por kjo nuk të ndaloi, ty Rita, të shkruash një projekt të trupit tënd, sepse “historia nuk mund të jetë një kërcënim në projektin individual të kuptimit, i cili varet si horizont nga jehona që gjen në ndërsubjektivitetin e përbashkët, por do të shtoja këtu, ka një relativitet në këtë përcaktim që nuk varet nga relativiteti.
“I flak tej rrobat dhe e lë trupin të ma rrahë stuhi e tij” thotë autorja në vargje.
Ontologjia e trupit, e mishit, e Rita Petros na ndihmon të kuptojmë Qenien si diçka që na jep duke i dhënë ne asaj, me mishin, gjakun dhe frymën tonë. Kështu imazhet që vijnë nga bota kalojnë prej trupi, dhe ato që i shfaq trupi ynë i dhurohen botës. Por trupi është në gjendje, trupi i femrës, të dhurojë edhe trup, vazhdimësi fizike, jo vetëm subjekt-trupi.
Shikuesi është i kapur në atë që shikon…shikimin që e ushtron…kështu shikuesi dhe e dukshmja mbajnë njeri tjetrin, dhe ky anonimitet i brendshëm i vetes sime, thotë Ponti, që quhet mish…e që Petro kërkon ta identifikojë, t´i japë personalitetin që në të vërtetë ai e ka dhe, bashkë me të, të riskojnë të dy njeri- tjetrin në prezantimin e vetes prej vetes, në botën e paprezantuar por të trashëguar!
Duke guxuar perceptimin prej trupit dhe duke trupëzuar atë perceptim në vargje me një shënim të ri simbolik për letërsinë shqipe autorja pohon se Liria dhe vullneti dhe natyra janë të pandara nga njera- tjetrën.
Herë herë liria duhet të përballet me nevojën. Por paradigma e nevojave tona është e përshkruar nga normat sociale; në të vërtetë disa herë më ka ardhur një pyetje paksa e çuditshme: A i njohim ne nevojat tona? Apo njohim nevojat që na i kanë njohur?
Zemra e turpëron arsyen- thotë Paskali. Por nevojat e shtyjnë njeriun të njohë veten në nivele gjithmonë e më fizike, duke u larguar nga fetishi i ideve dhe tabutë e mishit.
Trupi, ky medium i një procesimi magnetik magjik, pothuajse të panjohur për kulturën e perëndimit dhe tonën, mbetet memec nën suprinën e gjuhës, por mëse një herë ai ka marë sanksione prej saj kur e ka ciflosur apo thyer atë, sepse gjuha në esencën e saj është rend, ndërsa trupi është energji. Natyrisht mes tyre ka lidhje, por nuk mund të jenë limite.
Me kapitale ka shkruar Rita Petro për dashurinë, si e vetmja zonë ku njeriu shfaqet me të gjitha gjërat e tij: gjymtyrë, mish, organe, shpirt, tërheqje, bashkim, vuajtje, pajtim, barazim për vazhdim e ndryshim:
“KRAH PËR KRAH SHKOJMË ME TË DASHURIN DUKE SHKELUR LEHTAS MBI BARIN E BUTË… KUJDESEMI MOS SHTYPIM ASNJË MILINGONË APO KËRMILL ME GUASKËN NË SHPINË… AI KËPUT LULE E M’I RRETHON RRETH QAFËS… UNË KËPUS GJETHE E IA RRETHOJ RRETH KOKËS… AI PI UJË DHE MA DERDH BRENDA GOJËS… UNË KAFSHOJ NJË MOLLË DHE KAFSHATËN IA FUT NË GOJË…
AI MË PËRQAFON E MË DRITHËRON ATY TE BURIMI… FUTET BRENDA MEJE AQ BUKUR E BËHEMI NJË… LËVIZIN NË SINFONI TRUPAT NË BARIN E BUTË NË KËRKIM TË ORGAZMËS…
SPERMA ËSHTË LËNGU KIMIKISHT MË I PASTËR – THOTË AI
MË I PASTËR SE BURIMI? – E PYES UNË
PO, DHE ME E NGROHTË SE DEL PREJ TRUPI.
SA SHUME SPERME QË LËSHON SHATËRVANI YT…DHE AJO NUK KA TË MBARUAR… CILI VALLË ËSHTË SEKRETI I BURIMIT TËND QË NUK SHTERR?
KRYQËZOHEMI NË LËNDINË MBI NJËRI-TJETRIN… RRIMË ASHTU GJATË… NJËRI ME SYTË NGA QIELLI E TJETRI ME SYTË NGA BARI DHE PASTAJ NDËRROJMË POZICIONET… NJË RE E BARDHË RRËSHKET NË QIELLIN E KALTËR… NJË NUSEPASHKË KERCEN MBI FIJET E LARTA TË BARIT… KUR VJEN NATA HËNA NA DERDH MBI TRUPAT LAKURIQ DRITËN E ARGJENDTË… DHE PËRSËI DASHUROHEMI DERI NË ORGAZMË… BULKTHI SHOQËRON PSHERËTIMAT TONA NË EKSTAZË… FLEMË MBI KRAHËT E NJËRI-TJETRIT DHE SHOHIM TË NJËJTËN ËNDËRR… LUNDROJMË NË TË NJËJTIN DREJTIM LUMI MBI TË NJËJTËN BARKË… VETËM SE TI ME LOPATËN E DJATHTË UNË ME TË MAJTËN… LUNDROJMË TË ARRIJMË TE BURIMI I PËRJETËSISË DHE AH, Ç’LUMTURI… JEMI PIKËRISHT ATY…
Të gjitha botërat që kanë qenë, janë dhe vijnë, mbahen në mish njeriu! Ato jetojnë vetëm në kohënt tani. Bota simbolike është e vdekur pa njeriun. Dhe trupi është baza e sensit, provuesi, pohuesi i tij.
I këndoj trupit, thosh Wollt Witman. Për Rita Petron historia stampohet jo në libra, por në mish.
Marrë nga gazeta MAPO, datë 6 maj 2017