Lexim mbi sfidën e shqipërimit të vëllimit poetik “Rastet” të nobelistit, Eugenio Montale, përkthyer nga Mimoza Hysa
Ben ANDONI
Një përgjigje e thjeshtë që të vjen në mëndje është kjo: Pasi është një stilist i jashtëzakonshëm i gjuhës së madhe të fqinjëve latinë dhe sfidues i detajit, por dhe një apogje i shkollave letrare poetike të shekullit XX. Në fakt, para “Rasteve” sjellë nga PEGI, janë botuar cikle të tëra të poezisë së Montales në revistat letrare “Mehr Licht”, “Aleph”, “Poeteka”, si dhe rregullisht në suplementin “Milosao”.
Sa përmend Montalen, të vinë në mëndje një grup i njohur poetësh italianë, ushqyes të shumë poetëve shqiptarë. Hermetikët. Giuseppe Ungaretti dhe Salvatore Quasimodo, përveç tij, njihen si themeluesit e shkollës poetike të njohur si hermeticisëm, që përbën një variant italian të lëvizjes simboliste franceze. Ai që e mohonte përkatësinë e saj ishte vetë Montale që jo vetëm e mohoi çdo lloj anëtarësimi në një grup të tillë, por ajo që shpalosi në esenë e tij “Të flasim për hermetizëm” e mohonte krejtësisht këtë fakt. Madje ai shkonte edhe më shumë duke thënë se: “as nuk ekziston një grup shkrimtarësh në Itali që të kenë një objektiv jo-komunikativ si objektivin e tyre “.
Përballja me Montalen në Shqipëri është e kahershme, ajo fillon nga dekadat e para të 1900, kohë kur autorja Hysa në rolin edhe të studiueses e përball me mendimin poetike të katër poetëve shqiptarë Koliqi, Poradeci, Migjeni dhe At Gjergj Fishta. “Mënyra sesi këta poetë vendosen përballë realitetit, sesi teksti i tyre qëndron në raport me prirjet e kohën, është një nga pikat ku mund të vërejmë dallimet mes tyre dhe poezisë montaliane”.
Në fakt, nuk e shikojmë shumë të lidhur me ta. Krejt ndryshe nga autorët shqiptarë, të ndikuar nga një kolazh autorësh që ende mbeten të pazbuluar nga kritika shqiptare, Montales, vetë, i duhej të përballte presioni e D’Anuncios një autori të famshëm të kohës së tij, që ishte në një farë mënyre gur miliar për letërsinë italiane.
Megjithatë, paçka asaj që i referohet, arriti të botojë vetëm pesë vëllime me poezi, krejt ndryshe nga autorët që i janë dedikuar kësaj gjinie. Por, ato vëllime patën një forcë të tillë, që e tejkaluan atë si autor, dhe kjo pak a shumë mund të gjykohet edhe nga ajo që u përshkrua në motivacionin për të kur Akademia Suedeze i akordoi poetit dhe Çmimin Nobel për Letërsinë 1975.
Në vlerësimin e jurisë ata e quanin atë “një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohës në Perëndim”. Italia, realisht, fitoi fuqinë e munguar me çmimin Nobel të tijin dhe kjo falë autorit që sipas Jonathan Galassi përbënte “një nga ndjeshmëritë e mëdha artistike të kohës sonë”.
Mimoza Hysa ka qenë shumë e kujdesshme sa i përket ruajtjes së regjistrit të tij, por njëherazi edhe zgjidhjes së disa detyrave të përkthimit, ngelë nga punimet e shumta mbi të. Që nga leksiku i kujdesshëm në shqip, por më shumë zgjidhja e figuracioneve na e tregojnë punën e Hysës tejet të lodhshme, por në fund frytdhënëse dhe të lavdërueshme.
Në të gjallë, Montale arriti të bëhej i vetëdijshëm për fuqinë e poezisë së tij, por më shumë atë mesazh të madh që priste letërsia italiane me një tradite shumë të madhe qindra vjeçare, në gjinitë e ndryshme letrare.
Sfida e Montales dhe e bashkëkohësve të vet, rrekej për të kaluar Gabriele D ‘Annunzio, stili shumë i stolisur i të cilit dukej se ishte bërë mënyra e vetme legjitime e shkrimit, me të cilën shpërfaqeshin asokohe poetët italianë. Shkëputjen e vet, Montale arriti ta bëjë duke iu drejtuar direkt ndjeshmërisë së tij përmes përvojës së madhe të jetës së vet dhe duket se gjuha poetike, që e kishte jo vetëm dhunti, por që kishte punuar aq shumë, e lejoi atë në këtë eksperiment jo të lehtë.
Fati i madh është se Montale ka qenë dhe eseist dhe duhet përmendur e vlerësuar sërish se përkthyesja e njohur e italishtes në shqip Mimoza Hysa, na e ka shpalosur me shumë gjëra që e lidhnin me poezinë e vet dhe që ai vetë i shprehu në këto esse. Anipse, mu këtu gjenden edhe vështirësitë e panumërta, sa i përket detyrave që has në përkthimin e tij. Kur e mbaron vëllimin e kupton se autorja na e solli me një aparat përshkrues duke e bërë poezinë e tij te “’Rastet’, tejet komunikatave”.
Në një ese do të thotë se: “Doja që fjalët e mia të vinin më afër se ato të poetëve të tjerë që kisha lexuar,” vinte në dukje Montale.
Dhe, në perceptimin e tij ai mundohet që çdo detaj ta vendosë në funksion të përcjellës së kësaj ndjeshmërie. Ndërkohë që është shumë dyshues sesa mund të shërbejë poezia e përkthyer. Përkthyesja është në dijeni të kësaj sfide.
Dhe, lexuesi e ndjen sepse disa herë është tejet i ftohtë në shqip, duke pasur parasysh se botohet në kohë dhe hapësirë tjetër.
Duhet të jesh i kujdesshëm ta ndjekësh autorin tonë. Përshembull te “Vargje të vjetra” përshkruhet rrugëzimi i një fluture nate, në një mjedis ku poeti është gati të bisedojë me të ëmën…Lëvizjet e saj marrin përmasë dhe forcë të jashtëzakonshme… Pastaj flutura u kthye brenda zhguallit/që mbështillte llambën, zbriti/mi gazetat në tavolinë, u shkund/si e çmëndur duke flatruar letrat-/e mbeti përgjithmonë/
Një poezi lirike e këndshme është Gurore Vjeshte…do të kthehet mbi ngricë do të kthehet/mirësia e një dore,/ do ta kaptojë qiellin e largët/banda e shndritshme që na grabit./
Përkthyesja është munduar që të japë jo thjesht një përshkrim teknik të poezive që në fakt të ndijnë shumë lexuesin për zbërthimin e poezisë dhe për të futur realisht në kohën kur janë bërë, por ndërkohë të shpjegon poetin si individ, të lidhur me poezinë e që duhet t’i kuptohen kontekstet.
Mbase mund të zgjateshim më shumë, por është e tepërt, kur botimi i këndshëm i PEGI-t me përkthyesen të grishin ta lexosh dhe ta vlerësosh vetë përballjen e tyre. Ja si shprehej ai për poezinë e vet: “…më dukej sikur isha duke jetuar nën një kavanoz, por unë ndjeva se isha afër diçkaje thelbësore. Një vello delikate, një fije, mezi më ndante nga prekja e fundit apo shprehja absolute që do të kishte kuptuar shprishjen e asaj vello… apo fundin e iluzionit të botës si përfaqësim, por kjo mbeti një synim i paarritshëm ashtu si dëshira ime për t’u afruar mbeti një njësi e ngulur muzikore, instiktive…”.
Joseph Brodsky do të shkruante në një revistë të Nju Jorkut se “zëri i një njeriu që flet shpesh e që e pëshpërit veten është karakteristika më e spikatur e poezisë së Montale.”
Shumë nga poezitë e Montale janë disi të pakuptueshëm për lexuesit më të rastësishëm, ashtu si kuptimi i fjalëve të dikujt që flet me vetveten është e vështirë për një tjetër të kuptojë, do të thotë një kritik, që e shfajëson vështirësinë e tij.
Ndaj ardhja e Montales në shqip prej Hysës duhet konsideruar një ogur i mirë edhe për familjen e pakët të përkthyesve shqiptarë, që tashmë po synojnë të pamundurën…me sfidues si vetë Montale.
Marrë nga Gazeta Shqiptare, datë 15.05.2017
Porosite librin te linku KETU.