Lexime rreth romanit “Dorëshkrimi i gjetur në Akra” të shkrimtarit Paulo Coelho (Botimet Toena, 2017)
Dr. Jorgji Kote
Himn për jetën dhe dashurinë! – Ky mendim të lind sapo mbaron së lexuari me një frymë librin e ri botuar nga “Toena” «Dorëshkrimi i gjetur në Akra» të shkrimtarit të famshëm brazilian Paulo Coelho. Në 178 faqe të këtij romani, shkrimtari i famshëm, i mbështetur në rrëfimet e Koptit, një athinas i mençur që kaloi pjesën më të madhe të jetës në Egjipt, na ka dhuruar dhe një manifest të vërtetë dhe frymëzues për jetën dhe dashurinë në kuptimin më të plotë të fjalës.
E fillon nga dija, e parë jo si e vërtetë absolute për jetën dhe vdekjen, por si diçka që të ndihmon të përballesh me vështirësitë e jetës së përditshme. Sepse, siç shprehet autori, “dija nuk përfaqëson erudicionin që fitohet nga librat, por urtësia që ka zënë strehë në zemrat e njerëzve vullnetmirë”. Prej këtej vjen dhe mençuria e vërtetë, që buron nga dashuria, hallet e jetës dhe bashkëjetesa me pashmangshmërinë e vdekjes.
Më tej kalohet natyrshëm te konceptet e dështimit, mposhtjes dhe suksesit, me shprehjen lapidar, “të mposhtur nuk janë humbësit, por ata që heqin dorë nga beteja”. Sepse “gjëma nuk është të biesh, por të mos ngrihesh e të mos vijosh më tej; të mposhturit e mëdhenj janë ata që nuk kanë arritur as të dështojnë”. Kjo është tejet inkurajuese, sidomos për të reja e të rinj, që dëshpërohen para kohe kur gjërat nuk u ecin sipas parashikimeve, e ca më tepër kur hasin në vështirësi.
Po aq e rëndësishme, sipas Coelho-s, është përvoja në beteja, bashkë me plagët ose vrajat. Këto të fundit sipas tij janë medalje që flasin më shumë se tehu i shpatës, që i ka shkaktuar ato dhe janë burim krenarie.
Një çështje tejet aktuale dhe e mprehtë, që sot e has në shumë diskutime dhe kundërshti, është se kush konsiderohet njeri i suksesshëm. Në libër jepet një shpjegim sa i thjeshtë aq dhe i vërtetë, se “suksesi është rezultat i asaj që ke mbjellë dhe je kujdesur me dashuri. Veçse suksesi nuk do parë kurrë si qëllim në vetvete, sepse kush ndjek vetëm suksesin nuk do ta arrijë, sepse triumfi nuk është synim, por pasojë; suksesi ka shfaqjen më të lartë kur mbush me dashuri jetën e njeriut dhe jo kur mbush arkat me florinj. Suksesi është të biesh çdo natë në shtrat me shpirtin e qetë”.
Këtë e dëshmojnë dhe të dhënat nga jeta e sotme. Në disa shtete, ndonëse indeksi i të ardhurave materiale është rritur dhjetëfish, indeksi i lumturisë ka ardhur në rënie. Më tej, në roman, nënvizohet se që të arrish te suksesi dhe mrekullia, kërkohet një jetë e plotë, e dobishme, në funksion të vetes dhe komunitetit, larg boshllëqeve dhe kotësive. Për sa i takon dobisë, ajo është kudo dhe vetëm duhet ta gjesh atë, sepse çdo veprim dhe njeri mund të bëhet i dobishëm.
Madje, edhe lehtësimi i brengës dhe i ankthit ndodhet brenda shpirtit tënd, ndryshe rrezikon “të vdesësh edhe duke ecur, duke fjetur dhe duke kërkuar gëzim… Njeriu bëhet i dobishëm, si atëherë kur zhvillon një betejë që mund të ndryshojë historinë, ashtu dhe duke përshëndetur një të panjohur në rrugë. Madje ka gjasa që me një veprim të pavetëdijshëm, me një buzëqeshje dhe fjalë të mirë të kesh shpëtuar dikë, që donte të vriste veten, derisa një buzëqeshje i dha shpresë dhe gëzim”.
Romani trajton me një sens pozitiv dhe optimist edhe vetminë, e parë si pjesë përbërëse e dashurisë. Në libër shkohet dhe më larg, kur pohohet se pa e provuar vetminë nuk mund t’i kuptosh virtytet dhe veset e tua, nuk mund të duash. Vetmia nuk është mungesa, por plotësimi i dashurisë. Vetëm se dashuria dhe vetmia bashkëjetojnë tek ata që kanë rrokur mrekullinë e jetës.
Krejt natyrshëm, pjesa qendrore e librit i kushtohet dashurisë në kuptimin më të gjerë të saj, duke përfshirë gëzimin e jetës, seksin, bukurinë, elegancën, mrekullinë etj. Ajo fillon me kërkimin dhe pranimin e kësaj ndjenje fisnike. Për ata që ankohen se dashuria nuk i begenis, sugjerohet që ta lejojnë dashurinë t’i avitet dhe t’ia dëgjojnë fjalën. Sepse ka njerëz që u troket, por mendojnë gabimisht se nuk janë gati t’ia hapin derën.
Tejet e rëndësishme është dhe ideja e shprehur në libër, se dashuria ushqehet nga kundërshtitë dhe mosmarrëveshjet, të cilat e lejojnë të mbetet përherë pranë nesh. Natyrisht, dashuria ka koston dhe dhimbjet e saj, veçse asnjë dështim në dashuri nuk ka pse të na privojë nga kjo ndjenjë ngazëlluese. Përfundimi emblematik është se, pavarësisht nga kjo kosto, më mirë të dashurosh dhe të humbësh, sesa të mos kesh ndier kurrë ndjenjën më të lartë dhe fisnike.
Në libër edhe seksi trajtohet si pjesë e pandarë dhe e rëndësishme e dashurisë, një akt hyjnor, që kërkon përkushtim dhe dedikim nga të dy partnerët, si një bashkim i trupave dhe i shpirtit, si një shfaqje e bukur e besimit reciprok.
Ndërsa eleganca shihet jo thjesht si akt mirësjelljeje, shijeje apo estetike, por si shfaqje e dukshme e shpirtit njerëzor. Sipas autorit, “eleganca nuk qëndron në teshat tona, por në frymën me të cilën i veshim ato; Eleganca nuk shfaqet në mënyrën se si mbajmë shpatën, por në bisedën që shmang luftën”. Duke qenë e kundërta e arrogancës, eleganca nuk imponohet, por dhurohet.
Veç sa u tha më sipër, autori shkon dhe më thellë në konceptin e dashurisë, te mënyra si të duam, si mënyrë për të mbijetuar dhe për të qenë sërish të suksesshëm. Të duash, sipas autorit, nuk përfshin vetëm dashurinë ndaj një njeriu tjetër. Të duash do të thotë të tregohesh i gatshëm për mrekullinë e rastit, për ngadhënjim dhe dështim, për çdo gjë që ndodh gjatë secilës ditë të jetës sonë mbi këtë tokë.
Faqe të bukura të kësaj dashurie janë edhe shoqëria, miqësia, besnikëria dhe fjala. Lidhur me këtë të fundit, nënvizohet se armët më të kobshme nuk janë heshta dhe katapulta, që copëtojnë njerëzit, por fjala që shemb muret pa derdhur asnjë pikë gjak e lë plagë, që nuk shërohen kurrë.
Shoqëria dhe miqësia e sinqertë bëhen bashkudhëtare të dashurisë njerëzore. Autori evokon njerëzit e urtë e të mençur, në të kaluarën dhe sot, kur na ftojnë që të shoqërohemi me njerëz, “që këndojnë dhe rrëfejnë histori, shijojnë jetën dhe kanë ngazëllim në sy, sepse ngazëllimi është ngjitës dhe arrin të gjejë zgjidhje atëherë kur logjika jep vetëm një shpjegim të gabimit. Çdo mëngjes harro ankthet dhe drojat, ngrihu dhe përpiqu të shpërndash dritë kudo përreth! Vetëm të verbrit nuk do të shohin vezullimin tënd, të tjerët do të mahniten”.
Dashuria për jetën ndriçohet sërish edhe kur jepet këshilla tjetër, pas një periudhe të rëndë, provo të nisësh jetën nga e para, sikur të ishte dita e parë e jetës, të provosh dhe bësh gjëra të dobishme që nuk i ke bërë më parë. Kur fjala “mirëdita” do të tingëllojë ndryshe, kur nuk do të ketë veç fjalë të ngrohta, por bekime, që të gjithë ta kuptojnë rëndësinë që ka të jesh gjallë, edhe kur na kanoset një tragjedi e kobshme, edhe kur vdekjen mund ta kemi pranë. Kjo ka të bëjë me pozitive thinking, një përqasje jete, që edhe pse nuk kushton asgjë, veç shpirtit të hapur, ende nuk po përqafohet sa duhet sidomos nga rinia, si alternativa më e mirë ndaj stresit, depresionit, humbjes së shpresës dhe negatives, që na shoqëron kudo.
Ndaj libri i ri i Coelho-s vlerësohet dhe si një himn madhështor për dashurinë sublime. Një botim dinjitoz, tejet i përshtatshëm për të gjitha moshat, sidomos për rininë, duke filluar nga nxënësit e shkollave dhe studentët. Veçanërisht në ditët tona, kur pozitivja, optimizmi dhe entuziazmi, edhe pse shembujt dhe modelet ekzistojnë, mbeten asete deficitare në shoqërinë e sotme të konsumit.
Për këtë ka meritën e vet edhe përkthyesi i librit, Erion Gjatolli për gjuhën e pasur, të thjeshtë e të larmishme, që i është përshtatur mjedisit të asaj periudhe me një aromë dhe tingëllim optimist, si vetë vepra.
Marrë nga gazeta MAPO, datë 3 qershor 2017
Porosite direkt te linku KETU.
Libri vjen edhe me një mesazh në rrjetet sociale të Bukinist, ose me një telefonatë te: 044508282