Lexim i romanit “Mëkati fillestar” i Virgjil Muçit, i botuar nga Pegi
Agim Baçi
Shan Përkeqi, Kokërr B…. Emra të tillë që në fillim paralajmërojnë për një version që kërkon të fshihet pas të pathënave dhe paralajmërohet se rruga nuk do të jetë as e mbrojtur nga e vërteta e as ka për qëllim anën e saj. Virgjil Muçi ka ardhur përmes “leximit të palexuar” të legjendave, duke dhënë një version krejt ndryshe nga ai që kemi dëgjuar nga gjyshërit, mësuesit, apo filmat. Që në fillim ai shprehet se është burri i një ish- gruaje që e ka sërish grua.
Pra ai është me diçka që e ka patur, e ka humbur, dhe e ka rigjetur. Si rrugëtimi drejt legjendave, mes habisë, dyshimit dhe pastaj dorëzimit në to. Sepse legjendat janë aty edhe kur nuk je ti, edhe kur ti vendos që të kërkosh të gjesh origjinën, edhe kur kërkon të rrëmosh për të gjetur se mos ka diçka që ecën kundër kohës.
Virgjil Muçi kërkon të sjellë një anë tjetër të së “panjohurës”. Duke e nisur trillin e tij romanor nën stofin e shkrimtarit dhe gazetarit Ernest K., ai na fton përballë faktit se si një legjendë e re është drejt thurjes.
Por ajo që po kërkohet të thurë rapsodi i mirëpaguar, Kokërr B., është krejt ndryshe me atë çfarë ka ndodhur realisht. I gjendur në mes të një transformimi natyrshëm autori na vë përballë një pyetje: A mos të tilla, kaq “tokësore” kanë qenë edhe historitë e ardhura tek ne si legjenda fantastike? Mos vallë edhe pas tyre nuk qëndrojnë as diva, as krahë fluturues, a goditje gjigantësh, por veçse histori si të kujtdo?
Ngjarja që ka të bëjë me instinktin, me epshin, vjen e kthehet në legjendën e radhës, ku bien një e nga një motivet reale, për t’u zëvendësuar nga “motivet e larta”, që më pas kthehen në frymëzuese.
Dhe prania e rrëfimtarit në thurjen e një legjende, është trokitja më pas tek ato dyer të pahapura të legjendave të mëparshme, që vijojnë e vijojnë të këndohen, pa dyshuar kurrë se ka diçka të pathënë për to. Dhe “roja” e kujtesës dhe krenarisë duket sikur lëkundet përmes një pyetjeje: “A nuk është dashuria një fuqi e pashtershme, që ka ftuar mjaft njerëz në çmendurira?”.
Rrëfimi pas përballjes me realitetin më pas rrëshqet në Baladën e Murimit dhe Udhëtimin e Konstandinit me Doruntinën. Një tradhti e më të voglës nuse dhe një pasion për të nga ndërtuesi i murit, dhe një incest i aluduar mes Konstandinit dhe Doruntinës, zënë vendin e vargjeve epike. Heronjtë zbresin nga olimpi dhe veshin kostumin e së mundshmes.
Dhe brenda së mundshmes rron qetësisht mëkati. Ai, “mëkati fillestar”, që nis nga pafuqia e njeriut përballë dashurisë, e që më pas merr pas vetes jo vetëm vetveten. Fundja, njeriu mëkatar është më afër së kuptueshmes, së përditshmes, së mundshmes. Fundja njeriu mëkatar është edhe më afër asaj që librat e shenjtë përshkruajnë për të dhe pafuqinë e tij për të qenë krejt i pastër, krejt i mbrojtur nga gabimi.
Dhe Muçi vendos t’i zbresë nga froni i së padiskutueshmes figurat që janë në krye të frymëzimit. Jo për t’i shpërfillur, as për t’i rrëzuar. Ai kërkon të lidhë njeriun me fantazinë e tij, e njëkohësisht edhe me mëkatin e tij. “Shoqëria shpreh vetveten nëpërmjet gjërave që ka arritur të transformojë dhe të shpërfytyrojë realitetin. Ja përse me përfaqësimet me formën e një miti figura të ndryshme bëhen qenie që janë në gjendje të shprehin ndjenja njerëzore“, shprehet sociologu Emile Durkheim, duke përshkruar kështu dhe metamorfozën që merr e zakonshmja drejt të pazakonshmes në baladat dhe mitet.
“…Tekefundit isha paguar të zbuloja shkaktarin e shkatërrimit të mureve dhe jo ndoca dashuriçka që, një mendje më thoshte, nuk qenë as të parat, as të fundit. Nuk kisha pikën e dyshimit se shembja e mureve lidhej me dashurinë që gurgdhendësi kishte për gruan e vëllait të vogël. Duke qenë se ustallarët vinin nga një vend i largët, ai miku, i shtyrë nga dëshira për ta zgjatur sa më shumë qëndrimin, ngrihej natën si lugati dhe tinëz shkonte e u vinte dërrmën mureve që ai vetë me shokë kishin ngritur një a dy ditë më parë. Dhe kjo punë, me sa mora vesh, kishte ndonjë muaj a më shumë që shkonte kështu rrokapjekthi. Tani rrethi qe mbyllur plotësisht. Nuk mbetej veçse të shkoja e t’u shpalosja punëdhënësve të mi çfarë kisha zbuluar. Atë të vërtetë drithëruese që kish për të plagosur përjetë shpirtra dhe marrë jetë njerëzish. Mos qe më njerëzore të gënjeja, ose, të paktën, të thoja një gjysmë të vërtetë, se si e si të shpëtoja një jetë njeriu?…” (Virgjil Muçi, “Mëkati fillestar”, f. 117, Pegi 2016)
Një trill që vjen dhe vë një teleskop tjetër mbi gjithë murin letrar të gruas që sakrifikohet për të mbajtur gjallë urën ku kalon njeriu. Por a nuk kalon në këtë udhë edhe njeriu i dashuruar? Pikëpyetjet vijnë dhe bëhen edhe më të forta përballë një versioni incesti, dhënë përmes përshkrimeve nga vetë Konstandini e Doruntina, duke futur kështu në një udhë të përditshmërisë atë që na vjen nga kohët.
Zbritja e baladave tek “leximi përmes mëkateve” vjen përmes një leksiku të pasur e të veçantë, që duket se i përshtatet gjuhës përmes së cilëve baladat kanë zënë shtratin e tyre prej kohësh. Virgjil Muçi sjell një letërsi plot ngjyra, ku gjithçka rrjedh si një burim mes brigjesh të thepisura mendimesh e hamendjesh. Nuk është e lehtë të kalosh nga shtrati i përhershëm ku janë përkundur të tilla histori, në shtratin ku ngrihen e ikin hije plot dyshime. Por ja që letërsia mundet. Sepse letërsia ndez gjithnjë qiriun e saj për t’u endur në kërkim të njeriut, pa ia fshehur mëkatin, edhe në mos qoftë fillestar…
Shkrimi është botuar në gazetën MAPO, datë 15 korrik 2017
Porosite KETU nëse jeni i interesuar për ta lexuar këtë libër.
Bukinist.al i sjell librat te ju edhe me një mesazh në rrjetet sociale apo telefonatë te: 044508282