Shokët e verës, ja 8 libra të rinj për fëmijën tuaj gjatë pushimeve

vogelushet

Bukinist sjell një listë me tetë tituj të rinj për lexuesit e vegjël që janë hedhur në qarkullim nga shtëpitë botuese gjatë dy muajve të fundit; kjo përzgjedhje është bërë duke marrë në konsideratë ditën plot aventura, shëtitjet në natyrë dhe pasionet e të vegjëlve në natyrë. Edhe librat janë një arratisje e bukur për vogëlushët që ngujohen para TV-së apo telefonave inteligjentë.

Njëherësh, kemi bërë kujdes që të përzgjedhim edhe mesazhet që përcjellin secili prej këtyre libra dhe ndikimi në edukimin e tyre. Nxitja e aventurës, liria e përzgjedhjes, zhvillimi i fantazisë, mbajtja e marrëdhënieve njerëzore dhe familjare, shkëputja nga lojërat e dëmshme, shëtitja në natyrë, etj., vijnë natyrshëm në kuptimet e thella që përcjellin këto libra, shumica e të cilave janë me ngjyra, të shoqëruara me ilustrime, me kapakë të trashë, etj., të përshtatshëm për përdorimin nga lexuesit e vegjël.

Le të fillojmë me përzgjedhjen si më poshtë:

  1. Shkolla nëntëvjeçare nga James Patterson. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Bota Shqiptare. Përkthyesi: Anila Duka. Çmimi 1000 lekë.

shkolla-nentevjecare

Djalë trazavaç si Rafe Khatchadorian është e vështirë të gjesh: Është nga ata që i ka bërë mal prapësitë e shtëpisë dhe shkollës, dhe që ka refuzuar që të zbatojë të gjitha rregullat e sjelljes.

Me shokun e tij më të mirë Leonardo Silent, Rafe përpiqet të thyejë çdo rregull në Kodin e Sjelljes së shkollës së tij.

Çamçakëzat në klasë – 5.000 pikë!

Vrapim në korridor -10.000 pikë!

Aktivizimi i alarmit të zjarrit – 50.000 pikë!

Por kur loja e Rafit fillon të kapë majat, ai do të duhet të vendosë nëse fitimi është gjithçka që ka rëndësi, apo nëse duhet të bëhet gati të përballet me rregullat, kundërshtarët dhe të vërtetat që ai ka shmangur deri në atë moment.

Autori i famshëm, James Patterson, ofron një histori vërtet të çuditshme dhe çuditërisht të mrekullueshme të një fëmije plot imagjinatë dhe të një tipi, që nuk do ta harrosh kaq shpejt.

  1. Ronja, vajza e kaçakut nga Astrid Lindgren. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese IDK. Përkthyesi: Virgjil Muçi. Çmimi 700 lekë.

ronja-vajza-e-kacakut

‘Ronja, vajza e kaçakut’ konsiderohet një ndër veprat e saj më të njohura, autore suedeze e mëse 100 librave, e cila konsiderohet një ndër shkrimtaret më të famshme e më të dashura për fëmijët e gjithë botës.

Ronja, e bija e Matiasit, kapos së kaçakëve, jeton në një kështjellë në mes të pyllit, ku i duhet të ruhet vazhdimisht nga burravegjlit-e-përhimë dhe harpitë e egra. Një ditë prej ditësh ajo zë miqësi me Birkun, djalin e armikut më të egër të të atit. Kjo i sjell asaj mjaft telashe, aq sa për të ruajtur shoqërinë, të dy ata janë të shtrënguar t’ia mbathin nga shtëpia…

Po tani, të mbetur befas fare vetëm në mes të pyllit, a do të jenë në gjendje të kujdesen për veten, aq më shumë që dhe dimri po afron? A thua babai do ta pranojë ndonjëherë miqësinë e saj me Birkun dhe a do ta lerë të kthehet prapë në shtëpi?…

  1. Skellig nga David Almondi. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Dituria. Përkthyesi:        Erblina Kërçishta. Çmimi 700 lekë.

skellig

I konsideruar një kryevepër, i ngjashëm me librin “Princi i vogël”, ky libër sjell “Skellig” është botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Më 2010, David Almondi fitoi çmimin Hans Christian Andersen për kontributin disavjeçar në letërsinë për fëmijë:

Familja e Majkëllit ka vetëm pak ditë që është shpërngulur në shtëpinë e re, kur brenda në një garazh të vjetër e të shkatërruar djaloshi zbulon diçka magjike: një krijesë, edhe burrë edhe zog, që me sa duket ka nevojë për ndihmën e tij. Quhet Skellig dhe i pëlqen shumë ushqimi kinez dhe birra e zezë.

Nuk do ta marrim vesh kurrë se çfarë është, janë ca mistere në këtë histori. Por e rëndësishme për Majkëllin dhe motrën e tij të sapolindur, që është në spital, pezull mes jetës dhe vdekjes, është që Skelligu ekziston.

Majkëlli është një fëmijë si gjithë të tjerët. Shkon në shkollë, luan futboll dhe ka shokë me nofka si Liki dhe Kuti. Por jeta e tij bëhet e jashtëzakonshme, falë Skelligut dhe Minës, vajzës fqinje të çuditshme e kokëfortë, me “ca sy që duket se mund të depërtojnë brenda teje”, së cilës i pëlqen një shkrimtar si Ëilliam Blake dhe nuk e ndjek shkollën, sepse nuk do “të mbyllet në kafaz”.

Majkëlli e Mina i vënë veshin heshtjes më shumë se zhurmës, aty ku jeton bukuria misterioze e jetës. Ata pyesin veten nëse njerëzit i kanë pasur dhe pastaj humbur krahët dhe nëse një ditë do t’u rriten. Është një pyetje me peshë. Që lidhet me thelbin e njeriut: Si është dhe si do të jetë. Një libër magjik, që të prek, të mallëngjen. Siç thotë Mina: “Edhe mund të tronditesh nga prania e kaq shumë bukurive mbi tokë…”

  1. Në gjurmët e tulipanit të zi nga Tea Stilton. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Pegi. Çmimi 1000 lekë.

ne-gjurmet-e-tulipanit-te-zi

Sportive, e vrullshme dhe joshëse, Tea Stiltoni është e dërguara e posaçme e Jehonës së Brejtësit, gazetës më të famshme të drejtuar nga i vëllai, Jeronim Stiltoni. Librat e Teas rrëfejnë miqësinë dhe aventurat e një grupi prej pesë hulumtuesesh fare të reja: Tea Sisters!

  1. Ditari i Gregut 4 – ditë qeni nga Jeff Kinney. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Ideart. Përkthyesi Artan Miraka. Çmimi 700 lekë.

ditari-i-gregut-4-dite-qeni

Natyra shpërthen me bukuritë e saj gjatë verës, por Gregu rri i ngujuar brenda, para lojërave me kompjuter. Të gjithë janë të shqetësuar, pasi ai nuk është si gjithë fëmijët e tjerë që luan me shokët jashtë. Në këtë libër, aq të dashur për fëmijët, vijnë debatet në familjen Heffley dhe zgjidhjet që fitojnë në debatet mes tyre dhe Gregut…..

Janë pushimet veror, moti është i mrekullueshëm, dhe të gjithë fëmijët po argëtohen jashtë. Po Greg Heffley, ku është? Ai gjendet brenda shtëpisë së tij, duke luajtur video-games, i “vetëburgosur”  brenda katër mureve.

Gregi, i vetëshpallur si një “njeri i izoluar”, është duke jetuar larg fantazive të ditëve verore: pa përgjegjësi dhe pa rregulla. Por, nëna e Greg ka një vizion të ndryshëm për një verë ideale … të mbushur me aktivitete në natyrë dhe shëtitje familjare.

Vizioni i kujt do të fitojë? Apo do të ketë një alternativë tjetër për familjen Heffley që të ndryshohet gjithçka

  1. Çadra e purpurt nga Alki Zei. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Dituria. Përkthyesi: Kleo Lati. Çmimi 600 lekë.

cadra-e-purpurt

Letro është një vogëlushe që i pëlqen të lexojë libra, të shkojë në teatër dhe ti ngjajë Antigonës së Sofokliut. Ajo zë miqësi me shokun e saj francez, Benuain, dhe bashkë, falë fantazisë, kanë ide, thurin plane dhe bëjnë lodra fantastike. Mes tyre është edhe çadra e purpurtë. Për të mësuar më shumë rreth saj, ju ftojmë të lexoni librin, të cilin e ka shkruar Alki Zei, shkrimtarja më e madhe greke e letërsisë për fëmijë

  1. “A di të fërshëllesh Johana?” nga Ulf Stark. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Dituria. Përkthyesi: Sokol Demaku. Çmimi 500 lekë.

a-di-te-fershellesh-johana

Na ishte një herë një djalë i vogël, që nuk kishte gjysh! Kurse shoku i tij e kishte gjyshin dhe ishte i lumtur…. “A di të fërshëllesh Johana?”, një libër-xhevahir i vogël, për fëmijët nga 7 vjeç e tutje, e gjeni në platformën tonë.

  1. Vëllai im është superhero nga David Solomons. Librin e gjeni te linku KËTU

Shtëpia Botuese Bota Shqiptare. Përkthyesi: Nikolla Langore. Çmimi 1000 lekë.

vellai-im-eshte-superhero

David Solomons është një zë rrëfimtar meteorik në letërsinë ëpr fëmijë. Edhe ky libër është tejet ngacmues, i lezetçëm, plot humor dhe e mbush zemrën e lexuesit të vogël me një botë të tërë aventurash

Luka ndodhej në shtëpinë mbi pemë, bashkë me vëllain e madh, Zakun, por i bëhej çiçi.

Kur u kthye, vëllait të padenjë, që nuk kishte lexuar kurrë në jetën e tij asnjë libër me vizatime, i qenë dhënë superfuqi, me detyrën për të shpëtuar jo një, po dy universe.

Luka u TËRBUA!

Zakut as që i PËLQENIN librat me vizatime!

Por ja që duheshin shpëtuar botët dhe DIKUSH duhej të sigurohej se Zaku do ta bënte siç duhej atë punë. Sidomos kur ai nuk vishte as pelerinë…

summer reading
summer reading

Lexim të mbarë vogëlushë!

Përgatiti: Albert GJOKA, menaxher i projektit Bukinist.al

Bukinist.al i sjell librat te ju edhe me një mesazh në rrjetet sociale apo telefonatë te: 044508282

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *