Disa përgjigje për antikapitalistët

ludwig-von-mises

Lexim mbi librin “Mentaliteti antikapitalist” nga Ludwig von Mises, botimet UET Press, përkthyer nga Prof. Dr. Adrian Civici

uka-erjonErjon Uka

Ndryshe nga shumë klasikë të mendimit ekonomik, Mises në librin “Mentaliteti antikapitalist” i ardhur së fundmi në shqip nga UET Press, nuk mbyllet në kutinë e tij të ideve për të thënë vetëm të vërtetat e njëanshme, i shurdhër ndaj asaj se ç’ndodh përreth. Ai zbret në vijën e parë të sulmit, në llogore, duke marrë një për një kritikat që i bëjnë kapitalizmit e duke dhënë përgjigje për secilën prej tyre.

Asociacioni i parë që bën Mises është se kapitalizmi ecën paralelisht me natyrën njerëzore. Tipari më karakteristik i njeriut është se ai, nëpërmjet reflektimeve dhe objektivave të menduara dhe arsyetuara qartë, nuk rresht kurrë përpjekjet për përmirësimin e mirëqenies së tij, shkruan ai dhe përtej çdo kritike, të gjithë bien dakord se kapitalizmi është, deri më sot, i vetmi sistem që ka arritur brenda një kohe të shkurtër të nxjerrë miliona njerëz nga skamja. A ia ka arritur plotësisht? Sigurisht që jo. Por çdo aludim se natyra na ofron gjithçka për të përmbushur nevojat tona e për të jetuar të lumtur pa çarë kokën mbi gjetjen e formulave për mirëqenien e shoqërisë, është i gabuar. Kjo sepse natyra nuk është bujare, burimet janë të kufizuara kundrejt rritjes eksponenciale të popullsisë dhe përballë njeriut gjithnjë ekzistojnë rreziqe që në sekondë mund të zhbëjnë gjithë sa është ndërtuar. Prandaj kapitalizmi, siç e pranon edhe Mises pa dorashka, është sistemi i prodhimit në masë të të mirave materiale për të plotësuar nevojat njerëzore.

Sistemi kapitalist ka mundësuar që shtresa tërësisht të margjinalizuara të vihen në qendër të vëmendjes, si për shembull konsumatori. Politika e çdo sipërmarrjeje përmblidhet në fjalinë e famshme se “Konsumatori është mbret”. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu, pasi për shekuj me radhë njerëzve u është dashur të gëlltisin çorbën që iu është servirur. Sot janë kapitalistët ata që humbasin paratë dhe kapitalet e tyre nëse nuk arrijnë të investojnë në degët dhe sektorët që kënaqin nevojat e blerësve. E thënë në disa fjali kjo duket diçka fort e thjeshtë, por është një proces që ka kërkuar shekuj të tërë mendim dhe veprim.

Ndër kritikat më të ashpra që i bëhet sot kapitalizmit është se po kthehet në tiranin e kohëve moderne, ku nëpërmjet teknikave okulte të tregut manipulon konsumatorët. Ndaj kësaj edhe Mises ka kritikat e tij që i shpreh më së miri duke vënë në dukje dallimin mes aristokratëve dhe kapitalistëve, e madje duke kërkuar shembjen e këtyre blloqeve të palegjitimuara nga tregu. Pasuria e një aristokrati nuk është fenomen i tregut; ajo nuk ka si origjinë plotësimin e nevojave të konsumatorëve dhe nuk mund të anulohet apo modifikohet nga asnjë lloj veprimi nga ana e konsumatorëve. Ajo e ka origjinën nga përvetësimet, zotërimet me forcë, trashëgimitë apo filantropitë e mbretërve dhe feudalëve”, shkruan Ludwig von Mises.

Por pse intelektualët e urrejnë kapitalizmin? Sepse në bazën e tij ndodhet konkurrenca, e cila sjell nga një moment në tjetrin diçka apo dikë më cilësor në treg, duke lëkundur pozitat ekzistuese të një klase sunduese (në politikë, në biznes, në art, në botën akademike etj). Intelektualët e pëlqejnë statusin që kanë dhe përpiqen ta ruajnë pavarësisht çdo gjëje, ndërkohë që konkurrenca ushtron një presion të vazhdueshëm duke i detyruar ose të jenë cilësorë, ose të hapin krahun. E pikërisht për këtë shtresë, Mises shkruan se Të revoltuarve me padrejtësitë e sistemit të tregut të lirë, mund t’u jepet vetëm një këshillë: nëse ju dëshironi të zotëroni një pasuri, tentoni të kënaqni publikun duke i ofruar atij diçka të vlefshme dhe me një çmim të leverdishëm nga ato mallra apo shërbime që ai preferon.

Ai argumenton se fitimi nuk është “djall”, por kurorëzim i një përpjekjeje për të qenë të suksesshëm dhe humbja nuk është fatkeqësi, por është ndëshkimi për ata që janë dembelë apo që mbështeten vetëm në metoda të vjetruara dhe jo eficiente veprimi, ndërsa i shumëkritikuari “kapital” nuk favorizon vetëm pak duar, por i jep një hov të gjithë shoqërisë. Për shembull, çfarë ka ndryshuar nga zanati i berberit në 200 vjet? Në thelb asgjë, por berberi sot paguhet shumë më tepër për të njëjtin funksion vetëm për shkak të rritjes së përgjithshme të mirëqenies që vjen si pasojë e kapitalit.

Analizat dhe mbi të gjitha këshillat e Mises në këtë libër nuk janë vetëm për antikapitalistët, por janë edhe për vetë aktorët e sistemit të tregut të lirë, pasi ai vazhdimisht vë theksin në ofrimin e produkteve të vlefshme për konsumatorin dhe jo thjesht produkte që japin iluzionin sikur janë të dobishme. Në ditët e sotme të globalizimit, duhet të kuptojmë se kapitalizmi është sistemi që ballafaqon prodhuesin me konsumatorin. Nëse një prodhues humbet varësinë nga preferencat e konsumatorit, kujdes! Nuk jemi më në kapitalizëm. Dhe ky është një paralajmërim që Mises e ka bërë për ne që 60 vite më parë…

Librin e gjeni tek linku Këtu, ose telefononi tek: 044508282. Libri vjen tek ju pa kosto transporti

mentaliteti-antikapitalist

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *