Europa Lindore në sytë e Gabriel Garcia Marquez

gabriel-garcia-markuez
Gabriel Garcia Marquez ne moshe te re

Atëherë ai nuk kishte fituar ende një çmim Nobel. Nuk kishte shkruar “100 vjet vetmi”. Nuk ishte ende “El Gabo”. Atëherë ishte thjesht në kërkim të së vërtetës, për të përgatitur realizmin e tij magjik.

uka-erjonErjon Uka

Çfarë ka përtej Perdes së Hekurt? Kjo ishte një pyetje e mistershme, që ngacmonte imagjinatën e të gjithë intelektualëve dhe gazetarëve që jetonin mat’an botës. Kjo pyetje ngacmoi edhe gazetarin 30 vjeçar nga Kolumbia, i cili së bashku me kolegët nuk nguroi që nga Parisi të lëshohej përtej Berlinit Lindor, për të vizituar Varshavën, Pragën, Moskën, Budapestin.

Atëherë ai nuk kishte fituar ende një çmim Nobel. Nuk kishte shkruar “100 vjet vetmi”. Nuk ishte ende “El Gabo”. Atëherë ishte thjesht në kërkim të së vërtetës, për të përgatitur realizmin e tij magjik. Ishte gazetari Gabriel Garcia Marquez.

Udhëtimet e tij në Europën Lindore në vitin 1957 janë një testament shumëdimensional, vlera e të cilit është më e madhe sot, se atëherë. Të botuara në Bogota dhe Karakas, 10 reportazhet e gjata të Markezit japin një panoramë shumë reale të asaj çfarë ishte komunizmi. Përtej varfërisë, Markezi gjeti edhe fenomene të çuditshme sociale, që vinin sa nga skamja, aq edhe nga padija.

“Vendet”, – thoshte ai, – “ashtu si edhe gratë, duhet t’i njohësh kur sapo zgjohesh nga gjumi”. Dhe ai këtë bëri. Me instinktin e gazetarit kuptoi se ajo ç’ka autoritetet polake, çekosllovake apo sovjetike po i servirnin, ishte vetëm një fasadë e gjendjes reale. Ndaj nuk nguroi që të dilte fshehurazi nga hoteli, për të folur me njerëzit në rrugë e për të bërë eksperimente sociale, si ai i orës në Pragë.

Për Markezin, Praga ishte i vetmi ishull kapitalist në Lindje. Aty njerëzit silleshin si në perëndim. Koha për ta ishte shumë e çmuar dhe festat e natës zhvilloheshin si në Paris, Romë apo Londër.

“Çekët jo vetëm që kanë rroba të mira, po edhe vihet re një merak i dukshëm për t’u veshur mirë”, – tregon Markezi. Kjo gjë ishte e pamundur në Bashkimin Sovjetik apo në Poloni, ku të huajt e kishin të shkruar në ballë që vinin nga një vend tjetër dhe duhej të visheshe keq për të mos u vënë re.

Ndërsa në mjerimin e Polonisë dhe të Varshavës, ndriçimi i vetëm që vinte ishte një rreth intelektualësh që furnizonin shtypin polak. Kryesisht francezë: Markezi thotë se shumë nga artikujt e Sartrit, përpara se të botoheshin në Francë, ishin botuar në Poloni. Por përtej kësaj, Polonia ishte një vend i varfër, që jetonte mes së shkuarës së tmerrshme naziste dhe varfërisë aktuale komuniste. Vendi ishte i ndarë mes fesë dhe partisë, ndërsa qelitë e burgjeve ishin mbushur me priftërinj katolikë.

Dhe për Moskën thoshte: Fshati më i madh i botës. Ky është mendimi i Markezit për kryeqendrën e komunizmit botëror, ku megalomania dhe madhësia e objekteve arkitekturore vinte nga dëshira e hershme e rusëve për masën dhe vëllimin. Marrëdhënia e sovjetikëve me të vërtetën ishte e ndërlikuar. Mendimet e tyre ishin të paracaktuara në të përditshme “Pravda”, ndërsa shtypi perëndimor mungonte tërësisht. Fshatarët ishin bujarë, por edhe të hutuar.

Kush e di sa kohë kishin që nuk shihnin njerëz të huaj, e për këtë Markezi thotë se “ishte njësoj si të kishte hyrë në një shtet të çmendurish që edhe për entuziazmin dhe bujarinë e kishin humbur sensin e masës.”

Udhëtimet e Markezit janë një përpjekje për t’iu afruar së vërtetës, përtej asaj ç’ka raportohej nga propaganda komuniste, por edhe ajo perëndimore. E pikërisht në kohën e gazetarisë online, të lajmeve të rreme dhe mbylljes brenda ekraneve të pajisjeve teknologjike, mesazhet që na vijnë nga Markezi janë më të rëndësishme sot, se atëherë.

Ai kërkoi ta prekte të panjohurën, duke iu larguar të vërtetës së shtypur të gazetave dhe duke takuar njerëz, duke mbajtur shënime, duke shkelur me këmbët e veta çdo cep të paradoksit komunist. Kështu, ai arriti të jetë i besueshëm, real dhe objektiv. Ndaj reportazhet i rezistuan kohës, për të ardhur edhe në shqip, në librin me titull  “Udhëtim në Europën Lindore”.

udhetim-ne-europen-lindore

Librin “Udhëtim në Europën Lindore” mund ta porositni direkt te linku KETU

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *