Një lexim rreth librit “Arti i brishtë i not giving a f.ck” të autorit Mark Manson, përkthyer nga Bledar Kurti dhe hedhur në qarkullim nga botimet Minerva
Albert Gjoka
I dashur lexues! Qysh në krye të herës të kërkojmë ndjesë për fjalën e përdorur në titullin e shkrimit, por këtë zhargon e kemi huazuar mo-ta-mo nga libri i fundit që kemi vendosur të të rekomandojmë ty për lexim, i titulluar “Arti i brishtë i not giving e f.ck”, i autorit Mark Manson, hedhur në qarkullim së fundi nga botimet Minerva.
Librat e motivimit dhe zhvillimit personal tashmë e kanë fituar lexuesin e tyre edhe në Shqipëri, ku mes tyre spikasin ato të “mendimit pozitiv”. Leximi i tyre është kthyer në një “epidemi” sepse ato iu vijnë në ndihmë përpjekjeve të njerëzve për të ndryshuar perceptimin për veten dhe për botën përreth. Por, mes këtyre botimeve spikat ky libër, pasi të motivon krejt ndryshe nga librat e tjerë të këtij lloji.
Këtu mos prit të të thuhet se jeta është e bukur apo se duhet t’i gëzohesh asaj: Përkundrazi. Blogeristi e nis librin me fjalinë se jeta është e vështirë”. Pra, secili prej nesh para se të arrijë majën, duhet të prekë fundin. “Çdo gjë e rëndësishme në jetë fitohet duke përjetuar eksperienca negative”. Përmes një fjalori të ashpër, gati-gati me fjalorin e rrugës, përmes një analize të ftohtë, përmes një qasje krejt realiste ndaj mjedisit që jeton secili prej nesh, dhe përmes një filozofie tipike stoike, vjen përmbysja e madhe; ku fitorja e secilit prej nesh shfaqet përmes një rrugëtimi të gjatë sakrificash, vuajtjesh, mundimesh dhe gjëra të ngjashme. Pra, shtegu drejt pozitives domosdoshmërisht duhet të kalojë nga negativja.
Prandaj autori synon me këtë libër që ta shndërrojë “dhimbjen në një mjet, traumën në forcë dhe problemet e tua në probleme pak më të mira”.
“Mendoje këtë libër si një udhëzues për vuajtjen dhe si të vuash më mirë, më me kuptim dhe më shumë dhembshuri dhe përulje (f. 30)”, – paraprin Mark Manson.
Në këtë libër të vijnë leksione të thekura sesi të mos e “çash trapin” apo thënë më ndryshe, “ta çash trapin” për ato gjëra që e meritojnë shqetësimin tënd; sesi t’i presësh fetat e jetës sa më hollë, sesi të farkëtosh vlerat dhe bindjet e tua në mënyrë sa më të qëndrueshme, duke i pranuar pa brengë edhe gabimet, edhe dështimet, edhe refuzimet, edhe vdekjen, e cila do të vijnë një ditë natyrshëm si fundi i secilit prej nesh.
Autori kërkon t’i shpëtojë iluzionit që prodhon “të menduarit pozitiv” – sepse pas tij vjen edhe zhgënjimi, – në funksion të qëllimit final; pra arritjes së rezultatit pozitiv si një trofe që as ta fal kush, as ta dhuron e as bie nga qielli enkas për ty.
Këtu vjen edhe pranimi i gjendje normale të dhimbjes dhe mjerimit në evolucionin njerëzor. “Përjetimi i dhimbjes emocionale apo psikologjike mund të jetë i shëndetshëm ose i nevojshëm. Ashtu siç dhimbja e gishtit të këmbës na mëson të mos përplasemi me tavolinat apo e dështimit në mëson të mos përsëritim të njëjtat gabime në të ardhmen (f. 37). Sipas Manson, shërbejnë si thirrje drejt ndryshimit për mirë. “Të mohosh ndjenjat negative është të mohosh shumë mekanizma informimi të cilat e ndihmojnë një person të zgjidhë problemet e veta”(f. 43)
Ky libër mund të konsiderohet në vetvete si libri i vlerave të vuajtjes, i leksioneve që dalin prej saj, i shndërrimit të saj në të mirë, i prodhimit të bindjeve të mira përmes vlerave që farkëtohen nga këto sakrifica të përditshme njerëzore, përkundër asaj që mendojnë dhe veprojnë pozitivistët. “Mohimi i ndjenjave negative çon drejt përjetimit të emocioneve negative më të thella dhe më të zgjatura si dhe sjell mosfunksionim emocional. Pozitiviteti i vazhdueshëm është një fomë shmangie, jo një zgjidhje e vlefshme për problemet e jetës”(f. 94).
Autori i këtij bestsller-i propozon disa vlera të mira dhe të shëndetshme si sinqeriteti, risia, brishtësia, forca për të treguar kurajo në mbrojtje të vetes, ti dalësh zot vetes e të tjerëve, respekti për veten, kureshtja, bamirësia, përulësia, kreativiteti. Prandaj i kërkon secilit që të pranojë përgjegjësinë për çdo gjë që i ndodh në jetë, të pranosh injorancën tënde dhe të kultivosh dyshimin, të pranosh të metat dhe gabimet kur dështon, të përballesh me refuzimin dhe të shqyrtosh vdekshmërinë tënde, si një vlerë thelbësore, sepse “të jesh i vetëdijshëm për vdekjen është ndoshta e vetmja gjë që na ndihmon ti vendosim të gjitha vlerat e tjera në perspektivën e duhur (f. 100)”.
Libri nuk rrok teori të totalitetit, as të absolutes, apo nuk përdor aksioma, por krejt ndryshe sendërton edhe përkufizimet për vlerat njerëzore sepse “vlerat tona janë hipotezat tona”. “Veprimet tona janë eksperimente; ndenjat dhe mënyra e të menduarit që rezultojnë janë të dhënat”(f. 128).
Një tjetër qasje tejet interesante është edhe raporti që ne ndërtojmë me vetveten, me të shkuarën tonë, ku terapitë klasike të kujtimeve të ndrydhura nuk na e zgjidhin problemin si qenie egoiste. Secilit prej nesh i ndodh një përplasje e brendshme për shkak se e tashmja dhe e shkuara nuk janë në akord me njëra-tjetrën.
Kur të vërtetat na thuhen troç, mund të na djegin për momentin, na lënë shije të hidhur, por ato na shërbejnë si melhelm për shërim. Kur dikush ka kapur majën, mos i ki zili suksesin, por shko përtej buzëqeshjes: Zbulo se çfarë ka në muskulin e rrudhosur të fytyrës së tij.
“Përmirësimi në çdo gjë arrihet përmes mijëra dështimesh të vogla dhe madhësia e suksesit tënd varet sa herë ke dështuar” (f. 160) sepse nëse “dikush është më mirë sesa ti në diçka atëherë ka të ngjarë se ai ka dështuar më shumë. Nëse dikush është më keq se ty, ka të ngjarë se ai nuk i ka kaluar përvojat e dhimbshme të të mësuarit që ke kaluar ti”(f. 160).
Edhe dashuria njerëzore vjen me një këndvështrim tjetër; ku kufijt bashkohen pa qenë të ndarë, sepse edhe Romeo me Zhuljetën u nisën si komedi e dashurisë së përsosur prej Shekspirit, por të gjithë i lexojmë si tragjedi dhe i përvetësojmë si simbole të sakrificës ekstreme për të dashurin/ën. Dashuria nuk duhet të jetë si droga, euforike, nuk duhet të jetë një marrëdhënie e pashëndetshme, toksike, skllavëruese, por vlera jote e vetme është të lumturosh partnerin, apo vlera jote e vetme bëhet që partneri të të bëjë të lumtur”(f. 186). Dhe kjo bëhet duke pasur besim në çift. Por si ndërtohet besimi? Edhe këtu Marson ka qasje të përmbysur: Pa konflikte nuk mund të ketë besim. Konfliktet ekzistojnë për të na treguar se cili na gjendet pranë pa kushte dhe cili na gjendet pranë pa përfitime. “Pra, që “një marrëdhënie të jetë e shëndetshmee, të dy partnerët duhet të jenë të gatshëm dhe të aftë të thonë jo dhe ta pranojnë ‘jo-në. Pa këtë mohim, pa refuzimin rastësor, kufijtë thyhen dhe problemet dhe vlerat e njërit nisin të dominojnë ato të personit tjetër”(f.192).
Këtu nuk ka të bëjë me konceptin e ngushtë të besimit përkundër tradhëtisë, besimit ndaj seksit, etj. Besimi mund të rikthehet por nëse pjata thuhet disa herë, ka shumë pluhur, dhe pjesëzat nuk mund të ngjitet më siç ishin më parë.
Pjesa më e bukura në këtë libër ka të bëjë me vdekjen. Për autorin “vdekja është drita përmes së cilës matet hija e gjithë kuptimit të jetës. Pa vdekjen, çdo gjë do të dukej e parëndësishme, të gjithë përvojat do të dukeshin arbitrare dhe njësitë matërse dhe vlerat do të ishin zero” (f. 204). Vdekja fizike është vetëm njëra nga vdekjet e rëndomta në shoqërinë njerëzore, por kur vdes vetja jonë konceptuale (identiteti ynë) atëherë kemi vdekur realisht. Secili prej nesh e shpalos jetën e tij si një projekt pavdekshmërie – sepse këtu gjendet “i gjithë kuptimi i jetës sonë, përcaktohet nga një dëshirë e lindur për të mos vdekur”. Si një stoik, Manson e mban vdekjen në mendje që të jetojë.
Teksa ndodhemi në majën e një shkëmbi të lartë, tek kepi i Shpresë së Mirë, dhe këmbët tona janë vendosur në taban të vockël toke, vetëm pak centimtra larg honit të frikshëm që gremiset qindra metra poshtë drejt detit, të kap një dalldi tmerri, futesh në ethe, tronditesh. Fryka ndonjëherë bëhet mbytëse, por sa herë që më mbyt zbraz mendimet, e përqendroj vëmendjen poshtë rrëpirës, e detyroj veten të shoh fundin tim të mundshëm, e më pas thjeshtë të pranoj ekzistencën e tij. Kjo është terapia që propozon Mark Manson, një meditim i pakundgjendur, – tipik për një kulturë si kjo e jona, ku “përballja me realitetin e vdekjes sonë bëhet më e rëndësishme sepse synon që ti fshijë të gjitha vlerat e kota, të brishta dhe sipërfaqësore të jetës”. Këtu gjendet edhe thelbi i titullit të librit “Arti i brishtë i not giving a f.cuk”, përkthyer këndshëm dhe plot forcë nga shkrimtari Bledar Kurti. Ai i pari dhe të gjithë lexuesit, teksa ngulen në secilën prej faqeve të këtij libri, me siguri që do ta çajnë trapin shumë.
Edhe unë e di se ua kam çarë trapin pak si shumë, sidomos me fjalët e tepërta në këtë revieë, por kur të lexoni librin, ua jap me garanci se do ta çani trapin më pak me hallet dhe problemet e pafundme që të shfaq dhe të mbyt një vend si ky i yni.
Librin e gjeni tek linku KETU, ose mund ta porositni me një telefonatë tek: 044508282