Platformë online e librit “Bukinist”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Onufri” dhe gjimnazin “Aleks Buda” në Tiranë shpallën sot fituesit e konkursit me përshtypje #JamLiber – #IsmailKadare, organizuar me rastin e 82-vjetorit të shkrimtarit tonë të shquar. Nxënësit morën pjesë me përshtypjet e tyre, duke përzgjedhur një prej veprave që iu ka pëlqyer më shumë nga ky autor.
Në garë morën pjesë 15 përshtypje, ku në fund, u përzgjodhën 4 prej përshtypjeve më të mira, bazuar mbi mënyrën e analizës së veprës, raportin individual të lexuesit me tekstin dhe sintezën e nxjerrë pas leximit.
Në vendin e parë u shpall nxënësi Theodhor Disha me përshtypjen për romanin “Pallati i ëndrrave”
Në vendin e dytë u shpall nxënësja Alikda Myftari me përshtypjen e shkruar për romanin “Darka e gabuar”
Në vendin e tretë u shpall nxënësja Erilda Balla me përshtypjen e shkruar për romanin “E penguara, Requiem për Linda B.”
Çmimin “Mik i Bukinist” e mori Ani Sala me përshtypjen e shkruar për romanin “Prilli i thyer”
Ky aktivitet i Bukinist është pjesë e fushatave për nxitjen e leximit tek të rinjtë dhe ndarjen e përvojës së leximit me të tjerët. Bukinist dhe Shtëpia Botuese “Onufri” po vazhdojnë me aktivitete të tilla edhe në gjimnaze të tjera të kryeqytetit.
Tek blogu i Bukinist gjeni edhe përshtypjet e nxënësve fitues.
Në foto: Momente nga ndarja e çmimeve në mjediset e gjimnazit “Aleks Buda” në Tiranë