Molepsje estetike

promovimi-angron-tuga
Ne foto: Agron Tufa dhe botuesi Bujar Hudhri gjate paraqitjes se romanit “Merkuna e zeze” ne panairin e librit Tirana 2017

Shënime rreth librit “Mërkuna e zezë” i Agron Tufës, botuar nga “Onufri”, i shpallur romani shqip më i mirë i vitit 2017 nga Bukinist

balil-gjiniBalil Gjini

Brenda një qerthulli të mbyllur dëbore, e cila  është e aftë që përmes vizllimeve pasqyrore të ndjellë mirazhe, haluçinacione, ëndrra, gjumë, zhvillohen ngjarjet e librit të mbramë të Agron Tufës, i cili ka vetinë të të molepsë me frymën e vet artistike dhe të të shkaktojë ndjesi emocionale të allasojta: ëndje estetike, mornica tmerri, drithërima mistike. Ngjarjet janë  kundruar prej një adoleshenti, i cili, pasi i ka marrë hua  dylbitë fëminisë, gjesti i parë që ka bërë është fshirja e avujve nostalgjikë nga xhami i saj. Kësisoj bota të qaset pranë e qiqëruar, e kthjellët, thëllimtare.

Figura e këtij adoleshenti është mjaft interesante dhe meriton vëmëndje psikanaliste më të gjera; çdo fëmije, ballafaqeza një bote të huaj e armiqësore,  i duhet që sefte të shkallmojë autoritetin e babait,  vetiu pastaj dhe të Zotit.  Në kapërcyellin e kësaj moshe, vëren Tournier, fëmija shikon sesi pushi imcak, i shndërrohet në një kaçube mashkulloriteti agresiv; fëmija i Tufës ndihet i mbledhur gurguc e kruspull  në formën e një fetusi, a thua ishte çosa herë më mirë andej prej nga ka dalë, sesa në këtë botë dredharake, ku, për të mbijetuar, i duhet të mbledhë grushtet dhe të bëhet brutal. Figura e këtij adoleshenti shfaqet dhe tek librat e tjerë.

Librat e tjerë: Tabula rasa = “Fabula rasa”: E premtja e zezë = “Mërkuna e zezë”. Qoftë dhe tek këta tituj shihet si duke cënuar njësitë e ngurtësuara leksikore, duke bërë një shartesë me kalemin e një fjale të vetme në trungun e tyre, Tufa e ka i shndërruar këta dy përrenj të thatë leksikorë në rrjedha të bollshme kuptimore.

Gjithë materia lëndore e librit është bërë shtëllunga-shtëllunga dhe është vendosur për t’ u tjerrur në tri furka: furka e parë është ajo e natyrës që end indiferente (a thua?!) flokët e borës, furka e dytë është ajo e magjisë, endur nga Shartimja dhe Nafaka (vini re çfarë emrash!) dhe furka e tretë është ajo e autorit që thurr e end tekstin letrar. Ka dhe një tjetër më të madhe, që nënkuptohet, ajo e Zotit, i cili në të madh të vet, end vetë fijet e jetës së personazheve. Fijet e këtyre furkave tiliksen e kokolepsen me njera-tjetrën, këputen, bëhen nyje të pazgjidhshme.

Por mund të shestojmë dhe një përfytyrim tjetër: vetë autori është duke transformuar argjilën verbale (në këtë rast shtëllungën verbale) në një lloj tërkuze, me anë të së cilës i lypset të zbresë medoemos në tabanin zanafillor të pusit të së shkuarës, aty ku mushtullia e modeleve të sotme mpaken e rrudhen derisa mbetet arketipi fillestar. Kësisoj Shartimja (e shartuar me djallin, e me kë tjetër?!) mund të jetë dhe mëmëzotja e  Hekatës, Çirçes, amazonave, pra mund ta ketë stërmbesë zonjën Makbeth; ajo s’ është tjetër pos një antiPenelopë, nëse besojmë ende se Penelopa ishte një grua që thurrte në avlëmënd dhe jo një merimangë që thurrte rrjetën  e kurtheve për mëtonjësit.

Kjo zbritje në tabanin zanafillor ka bërë që drama të ngjizet e të mbartet nga njerëzit e një familjeje të vetme, kurse autori, ndërsa në librat e tjerë ka ndërkallur brenda shtatit  të rrëfimit poezinë, këtë herë ka pëlqyer një formë më arkaike: këngën dhe bejten. Dhe shihni çfarë ngjet: këta elementë arkaikë, të kombinuar me elementët e tjerë, e kthejnë fytyrën e librit  nga e ardhmja dhe  e bëjnë më modern (!). Pikërisht ky ambiguitet është njëra  nga risitë që Tufa i sjell letërsisë.

Proçedimi artistik nis në periferitë e fabulës: janë disa detaje imtësore ngjyer me të zezë: mushama, dele, dhi, detaje që sa vijnë e dendësohen, gjersa më së fundi kthehen në një stuhi klithmash, ankthesh, pandehmash, dihatjesh, dallga e të cilave bëhet thërrmokla e bogda tek  shkëmbi i beftë i fjalisë së fundit, i cili është ngritur me vetëdije angllëç aty, bash për të treguar se letërsia s’ është tjetër përpos një trill, një lojë; prej nga buron dhe nënteksti tjetër: shkrimtari është një peshkatar dinak që e ka ngulur grepin jo kund tjetër, por mu tek nofulla e lexuesit për ta branisur aty ku do vetë.

Ndërsa në  librat  e tjerë të këtij autori, ligjërimi artistik është një lumë që humbet hera-herës në zallishte për t’ u shfaqur befas më tej, këtë herë ky ligjërim është i rrjedhshëm, i prajtë e vizllues dhe brenda tij mund të shihen fare qashtër dhëmbët e bardhë të zajeve të metaforave. Mjeshtër i gjuhës qysh kahershëm, i bindur se gjithçka ngafulet dhe shënjohet bash në kodin gjenetik të saj, Tufa këtë herë ka punuar me fjalën ngadalshëm, duke e skatitur, gdhëndur, e rrumbullakosur me një stil barok të ëmbël.  Është e qartë: ndërsa ndihet në garë me shkrimtarët e tjerë postmodernistë, hasetin e ka me realistët e mëdhenj: Çehovin, Thekerin, Gogolin. Dhe, duke i shtyrë gjer  in extremus  sinoret e përcaktur prej tyre, duke zotëruar ato energji të brenshme e misterioze që fsheh fjala, ia ka dalë mbanë të na qasë m’ u para syve një botë të allasojtë. Është një nga rastet ku mund të kqyret se si fleta e një letre të bardhë tëhuajzohet në një shirit të zi filmik.

Peizazhi ku vendoset fabula është ndërtuar  bardh e zi (dëbora e bardhë, delet e zeza, magjia e zezë etj), i cili, po të sendërgjohet vizualisht është një rreth i madh i bardhë, brenda të cilit është mbushur me kongjill një rreth i zi.  Është një simbolikë me nëntekste të shumta polisemantike, por edhe i aftë të lindë simbole të tjera, si: jeta-vdekja, dita-nata, e mira-e keqja, mermeri-ruba e zisë.  Substanca filozofike me të cilën janë mbrujtur simbole të tilla nuk është një masë magme e ngrirë njëherë e përgjithmonë, përkundrazi, llava e saj lëviz, ngre avuj dhe ti mund të shikosh se si këto simbole mund të kthehen në diabole. Së mbrami kemi peizashin e përfytyruar bardhëekuq, jo real, por si gjasë: dëbora, gjaku (si dhe gjithë nëntekstet që burojnë prej kësaj simbolike: zjarri, flakët, jeta). Në të dyja rastet Tufa i merr hua grafikës ngjyrat e saj: bardhë e zi, bardhë e kuq (!), duke dhënë një kombinim të hatashëm estetik. Kjo grafikë është më e rëndësishme në vetvete, sesa në fuksion të fabulës, dhe s’ do ishte çudi sikur në vend të gjakut të personazheve të shihnim mbi dëborë, pse jo, lëngun e kuq të një karrote.

Pavarërisht këtyre që thamë librat e Tufës të shkaktojnë habi estetike. Nga fabula? Narracioni rrjedhës? Personazhet e tjetërfartë? Gjuha gurgulluese? Nga ajo fantazi harlisëse që, ndërsa degët i frushullijnë  herë me një mister drithërues,  e herë me një vrazhdësi cullake, një rrënjë e saj vjen e ngafulet mu në humusin e zi të diktaturës për t’ u shëndoshur e ardhangur estetikisht?  E vështirë ta thuash, sepse është një formulë që bën përzierjen e masës së elementëve të veçantë, një formulë që ka diçka nga fryma e shenjtë, magjitë e lashta, kabala, dhe çdo përzierje arbitrare s’ do të bënte gjë tjetër veçse do të na i shpërthente epruvetën eksperimentale në dorë, ashtu siç iu shpërthehet magjistarëve tek pëziejnë squfurin..

Milan Kundera, duke folur për Estetika të Hegelit, thotë se ai ka përshkruar çdo detaj, rast pas rasti, centimetër pas centimetri, aq bukur sa Estetika të jep përshtypjen e një vepre ku kanë bashkëpunuar një shqiponjë dhe qindra merimanga heroike që e endnin pëlhurën për të mbulur çdo skutë. A thua dhe librin e Agron Tufës e kanë endur gjallesa të tilla?…

Librin mund ta porositni tek linku Ketu

Telefononi tek: 044508282, ose dergoni e-mail tek: info@bukinist.al

merkuna-e-zeze

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *