Një festival ndryshe për kulturën dhe librin shqip

hapja-1
Ne foto: Ceremonia e hapjes së Festivalit DiteNetet e Librit në mjediset e MHK

Leximtari            

Në kohën kur shumëkush ankohet për krizën e librit dhe të leximit, vjen një nismë e cila dha shenjën e qartë se kur të gjithë bëhen bashkë, gjërat ndryshojnë për mirë: Festivali 5-ditor DiteNetet e Librit, i organizuar nga Klik Ekspo Group, për herë të parë dha shembullin se ne duhet ta bëjmë të gjallë librin dhe kulturën në përgjithësi, si mënyrë jetese; duhet t’i ftojmë të gjithë dhe t’i bëjmë pjesë të komunikimit, si botuesin, autorin, përkthyesin, bibliotekarin, shitësin, por, mbi të gjitha, edhe komunitetin e madh të lexuesit, i cili i jep vlerë dhe kuptim tregut të ideve.

Ky panair nuk ishte shitore librash, por ishte një agorë kulturore, ku u mbështetën dhe u promovuan grupe të reja me ndikim në nxitjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në ditët tona: Klubet e librit, grupet e krijuesve, platformat online të shitjes së librit, nismat në fushën e bibliomanisë, individë dhe institucionet kulturore dhe arsimore, organizata dhe shtete të ndryshme të cilat mbështesin programet kulturore në Shqipëri.

Festivali i ideuar dhe organizuar nga kompania e sprovuar në organizimin e panaireve, Klik Ekspo Group, nën drejtimin e Elona Agollit, krijoi një tjetër pamje të re, shpresëdhënëse, për tregun kulturor në Shqipëri. Ky event mund të mos i ketë kënaqur pritjet e botuesve për të shitur më shumë libra nëpër tezga apo stenda, por sigurisht ka nxitur rritjen cilësore të komuniteteve të leximit, – të cilët janë konsumatorët më të mirë të industrisë së botimeve dhe marketingun e botimeve apo nismave që i japin shtytje industrive kulturore.

Për herë të parë, janë organizuar në një kohë rekord mbi 70 aktivitete brenda pesë ditëve, me autorë dhe përkthyes nga Shqipëria, Kosova apo Europa; janë bërë takime dhe promovime të shumta, u realizuan performanca në artet figurative, balet, teatër, u sollën përvojat më të mira në fushën e Bibliotekomanisë, ku spikati biblioteka e lëvizshme e Lezhës, si model i shkëlqyer ku libri mund të shkojë kudo, edhe në fshatin më të thellë të vendit.

Në këtë festival u promovua mënyra e porositjes së librit shqip online përmes platformave të tilla si Bukinist, ku me qindra e mijëra lexues morën asistencë për realizimin e porosive onlinë, bashkë me ofertat, kuponat dhe suprizat e tjera që u dhanë për të gjithë të pranishmit.

Shumëkush mund të ankohet për prani të paktë të vizitorëve nëpër stendat e Festivalit, por kjo iniciativë tregoi se çfarë duhet ndryshuar për të ftuar dhe nxitur më tej lexuesin dhe leximin në Shqipëri. Ky nuk ishte, dhe as duhet parë si një aktivitet alternativ me atë që organizojnë botuesit në muajin nëntor (sepse ajo është festa e tyre), por është një festival që ç’monopolizon tregun e botimeve, ku disa individë synojnë të urzurpojnë njëherësh edhe interesat e botuesve, edhe të autorëve apo përkthyesve, edhe të lexuesve me grupimet e tyre. Në çdo vend të botës së zhvilluar këto grupime kanë rrugëtimin e tyre të ndarë, dhe të gjithë bashkë kontribuojnë për librin dhe kulturën në përgjithësi.

Ky festival tregoi se nëse mblidhen të gjithë bashkë: botues, autorë, përkthyes, bibliotekarë, bibliofilë, grupe leximi, librashitës dhe agjentë të tjerë kulturorë, situata mund të ndryshojë shumë shpejt për mirë. Ata që duan të ruajnë status quo-n e kapsllëkut të industrisë së botimit dhe të leximit në Shqipëri, e shohin ndryshe këtë festival, prandaj rendin të kritikojnë pa arsye dhe pa fakte.

DiteNetet e Librit na dhanë një leksion se të gjithë bashkë duhet ta bëjmë leximin dhe botimin një mënyrë të jetuari; librin, muzikën, pikturën, teatrin apo baletin duhet ti bëjmë natyrshëm pjesë në jetën tonë, jo vetëm si vlera estetike por edhe si pjesë të realitetit tonë të përditshëm. Nëse ka prani arti mes nesh dhe flitet për librin dhe leximin, do të ketë më shumë lexues nesër, do të ketë një Shqipëri më të mirë. Lexuesi i trembet botuesit tregtar dhe matrapaz, prandaj ai kërkon botuesin që përzgjedh vlerat dhe me pasurinë mendore dhe shpirtërore që botohet ndikon në zhvillimin e shoqërisë. Fatmirësisht, të tillë ka plot në vendin tonë dhe duhen çmuar për punën që bëjnë.

Për herë të parë Festivali i Librit shpërndau çmime që ishin larg tradicionales pasi ishin bazuar ne perceptimin dhe qasjen me librin, nga mosha dhe profesione te ndryshme, parë kjo si një veçori që rrallëherë haset në evenimente të ngjashme. Në këtë festival u organizuan këto konkurse:

Konkursi për mediumin/portalin qe nxit leximin ku u shpall fitues i vendit të parë Libraria online e librit shqip, Bukinist.al; Eseja më e mirë “Skënderbeu, Heroi Im”: Kopertina më e mirë (ose Ilustruesi më i mirë i veprës letrare). Përfituesit e dy konkurseve, përveç kupës së Festivalit, u ofruan dhe Kurse Gjuhe Falas nga Qendra e Gjuhëve të Huaja “Univers”.

U vu re gjithashtu që kishte pak aplikime për Librin e Promovuar më mirë, e cila ishte një ftesë për vetë shtëpitë botuese për të thurur plane marketingu të mirëfillta për botimet e tyre të reja, pra një inkurajim për “Marketingun Editorial” që është ende në rritje e sipër në Shqipëri.

Në përfundim të procesit u cilësuan dy botime; të Shtëpise Botuese Fan Noli, “Madeleine Albright – Të fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, si dhe puna kërkimore “E vërteta për Nolin”, e Entela Komninos.

Ndërkohë që emra të rëndësishëm u çmuan dhe vlerësuan me Medalje Mirënjohjeje për punën e tyre kundrejt Librit: Klara Kodra, si studiuese dhe kritike Letrare; Krenar Hajderi  për karrierën e gjatë si përkthyes i veprave të rëndësishme botërore; Gaz Leka si krijuesi i kopertinave të rralla në letërsinë shqipe; Ardian Isufi si dekan i Fakultetit te Arteve Pamore për konceptin inovativ të perceptimit të veprës së artit përmes pikturës; Artur Sula si dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, për angazhimin e studentëve dhe pedagogëve në botën e librit, përkthimit, krijimtarisë; exhep Hoti, zëvendësministër i Kulturës i Kosovës, për vepreë letrare, studimet e Kadaresë, dhe krijimitarinë e tij në poezi; Abdullah Zenelin, si kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe President i Shtëpisë Botuese Buzuku dhe Çun Lajçi për veprën e tij artistike e letrare, përcjellë me atdhedashuri të veçantë.

Gjithmonë ka një herë të parë, prandaj këtij festivali mund ti qëmtosh edhe të meta, por jo kurrësesi dëshirën e mirë për të lënë një shenjë në promovimin dhe zhvillimin e kulturës. Përshembull, shkollat dhe universitetet mund të bënin më shumë. Si i tillë duhet lexuar sepse Festivali DiteNetet e Librit vitin tjetër do të jetë më i mirë, dhe më i vlertë për të gjithë, përfshirë edhe ata që e kritikojnë nën zë apo publikisht. Prandaj duhet ti urojmë rrugëtim të mbarë kësaj feste (jo-shitore) të librit shqip.

elona-1
Drejtuesja e Festivalit, Elona Agolli gjatë fjalës së hapjes
rexhep-hoti-me
Ne foto: Ministrja e Kultures, Mirela Kumbaro, drejtoresha e Festivalit Elona Agolli dhe zv.ministri i Kultures se Kosoves, Rexhep Hoti
klara-kodra
Studiuesja Klara Kodra duke marre Çmimin e karrieres
fan-noli
Botuesi i Fan Noli, Rexhep Hida duke marre Çmimin per botimin e vitit “Te fuqishmit dhe i plotfuqishmi”, i Madleine Allbright
entela-komnino
Entela Komnino fitues e cmimit per librin “Te pathenat e Fan Nolit”
bkinist-cmimi
Ne foto: Albert GJoka, duke marrë cmimin e pare per Bukinist si mediumi qe nxit leximin ne Shqiperi
cun-lajci
Ne foto: Aktori dhe poeti nga Kosova Cun Lajci duke interpretuar ne mjediset e Festivalit
ardina-isufi
Ne foto: Drejtuesja e Festivalit me drejtuesit e Akademise se Arteve ku jane edhe dy fituesit, piktori Gaz Leka dhe artisti Ardian Isufi
abdullah-zeneli
Ne foto: Abdullah Zeneli, president i Botimeve Buzuku në Prishtine

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *