Tre ide utopike për të ndryshuar për mirë edhe realitetin shqiptar

utopia-ok
utopia-ok
Foto ilustruese

Një review për librin Utopia për realistët i Rutger Bregman, botuar nga Minerva

Albert Gjoka

Ëndrrat dhe idetë janë forcë madhore për ta ndryshuar botën; Në kohën e Zhyl Vernit ishte e paimagjinueshme për ta menduar se një ditë do të udhëtonim me nëndetëse apo avionë, por në botën e sotme ato janë mjete mëse normale për të udhëtuar anembanë botës. Futuristët e çdo kohe i kanë dhënë shtytje njerëzimit për të ecur përpara: I tillë është edhe Rutger Bregman, futuristi i ditëve tona, i cili në librin “Utopia për realistët” vjen me tre propozime/ide konkrete: T’u japim njerëzve të ardhura bazë për të jetuar, të hapim kufijtë dhe ta bëjmë javën e punës me 15 orë. Këto janë tre propozime, sigurisht, jo marksiste, e kanë tronditur sipërmarrjet dhe institutionet në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja apo Britania në momentin që janë hedhur në qarkullim, por shumëkush ka filluar të mendojë dhe të reflektojnë seriozisht rreth këtyre tezave. Këtu janë tri ide utopike për të ndryshuar për mirë realitetin që jetojmë: T’iu japësh para njerëzve që kanë nevojë, t’iu japësh liri lëvizje dhe të mos punojnë më shumë se 15 orë përgjatë 7 ditëve të javës. Bregman thotë se njerëzit motivohen më shumë dhe bëhen më të vlefshëm kur iu jep para; e shtrijnë hapësirën e tyre të veprimit kur janë në një botë pa kufij dhe kanë më shumë efikasitet kur punojnë më pak se 8 orë në ditë. Ai jep shembuj konkretë nga disa projekt-idera dhe procese që kanë ndodhur në disa vende të botës, duke i argumentuar me vlerë këto propozime. Vetëm ekzistenca e kufijve i kushton botës mbi 650 miliardë dollarë, – muret/telat e të cilëve shkaktojnë mijëra viktima çdo vit dhe miliarda dollarë kosto për programet e ndihmës për vendet në zhvillim.

Tashmë, këto teza janë marrë seriozisht nga bota akademike, sipërmarrja private, organizatat, forumet dhe institucionet ndërkombëtare. Prandaj, ky libër vjen në shqip edhe si një mundësi potenciale për nxitje debati për ata që bëjnë politika, për qeverisjen apo për biznesin privat.

Shumëkujt, që nuk e kanë lexuar këtë libër, do t’i duken paksa të çuditshme këto teza, teksa sjell ndërmend tregun e punës në një vend si Shqipëria, i cili dominohet nga ngjyra gri dhe zi, me paga qesharake, me kushte larg standardeve europiane, pa apo me gjasme-kontrata,  apo me orare të tejzgjatura pune. Pikërisht, edhe për këto arsye, kriza e këtij tregu është kthyer me kohë në krizën e ekonomisë në përgjithësi. Njëherësh, kur merr në konsideratë lëmoshën që fal shteti në formën e asistencës sociale për individët në nevojë, për dikë do të duken të tepërta këto ide. Por, barra e detyrimeve të shtetit ndaj qytetarit në të ardhmen e afërt do të rritet nëse nuk do ta nxjerrë nga kthetrat e mjerimit.

Fatmirësisht, tani jemi në një botë me kufij gjysmë të hapur, dhe falë liberalizimit të vizave në zonën Shengen, shumë familje shqiptare ndihen më të qeta ekonomikisht dhe psikologjisht për mundësitë që ofrohen edhe jashtë Shqipërisë.

Edhe vetë autori i këtij libri e pranon se idetë e parashtruara në këtë libër janë të guxishme, pra janë donkishoteske, prandaj ai thotë se “Nëse duam të ndryshojmë botën, duhet të jemi jorealistë, të paarsyeshëm dhe të pamundur. Mos harro: edhe ata që bënë thirrje për asgjësimin e skllavërisë, për të drejtën e votës së gruas dhe për martesat e së njëjtës gjini, u quajtën të çmendur me kartelë. Derisa historia tregoi që ata kishin plotësisht të drejtë”. Në fund të fundit, më mirë Don Kishot sesa Hamlet!?

Rutger Bregman nuk është as socialist e as komunist, siç mund të mendojë shumëkush, teksa lexon tezat e tij, por ai është një neo-liberalist, i cili fshikullon me argumente kahet ekstreme të politikës dhe jep ide të qarta sesi mund të ndryshojmë për mirë botën, mbështetur mbi një traditë të gjatë liberale. Mendimi i tij nuk është i artikuluar me stofin e akademikut apo politikanit të regjur, por vjen i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm për lexuesit e të gjitha moshave dhe profesioneve. Këtu ide shtrohen për diskutim në botën e vobekët të ideve që artikulohen në hapësirën publike për mënyrën sesi duhet ta ndërtojmë të ardhmen ne shqiptarët.

Njëherësh ky botim mund të shërbejë si një guidë e shkëlqyer për ata që duan të merren me politikë, janë aktivë dhe e mendojnë politikën si një zeje të fisme sociale, sepse këtu mund të mësojnë sesi bëhet ndryshimi i një realiteti.

Ky libër ka vlerë të shtuar në një realitet si ky i yni, teksa kërkesat tona drejtuar atyre që na udhëheqin janë krejtësisht minimaliste, dhe idetë që merren këtu shërbejnë që secili prej nesh të ketë më shumë respekt për veten, të angazhohet më shumë për një komunitet dhe shoqëri më humane.

Nëse do të ecësh përpara, duhet ta ngresh kokën, të ëndërrosh dhe t’ua nisësh sfidave për të cilat t’i beson se realiteti do të jetë më mirë sesa çka qenë deri më sot.

Për të gjitha këto arsye, “Utopia për realistët” duhet të jetë pjesë e leximit për ata që e kanë parë gabim botën tonë deri më tani, dhe që janë në kërkim të një shtegu të ri ndryshimi për vetveten dhe shoqërinë në të cilën jetojnë.

Librin e gjeni tek linku KETU ose telefononi tek: 044508282

utopia-per-realistet-si-mund-te-ndertojme-boten-ideale

TË DHËNAT E LIBRIT

TITULLI: Utopia për realistët: Si mund të ndërtojmë botën ideale

AUTORI: Rutger Bregman

ÇMIMI: 1500 lekë

PËRKTHYESI: Bledar Kurti

BOTUESI: Minerva

VITI I BOTIMIT: 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *