Pse duhet ta lexojnë vogëlushët “Shpata në shkëmb”?

stilton
Ne foto: Jeronim Stilton

Përshtypje rreth librit “Shpata në shkëmb” të Jeronim Stilton, botuar nga Shtëpia Botuese Pegi

Me “Shpata në shkëmb” Jeronim Stilton çel të ashtuquajturin “Cikli arturian”, ose “Ciklin breton” të rrëfimeve, që bazohet në një seri tregimesh dhe legjendash, të mbledhura duke filluar nga shekulli XII, të cilat kanë si protagonistë Arturin dhe Kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët. Bëmat e tyre, në mbrojtje të më të dobtëve dhe përpjekjet e pareshtura për ngadhënjimin e drejtësisë zhvillohen në Britani, në mbretërinë legjendare të Kamelotit.

Bëmat dhe trimëritë e Arturit dhe Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët nuk janë të panjohura për lexuesin e vogël, por në këtë cikël rrëfimesh ai do të thellohet më tej në botën magjike të Merlinit, magjistarit më të fuqishëm të botës, i cili mjeshtërisht përshkruan aventurat e kalorësve trima, magjistarëve, kështjellave të magjepsura dhe pyjeve misterioze.

Historitë e Merlinit i njohin vogëlushët me historitë fantastike që të çojnë në botën e Kamelotit, në zbulimin e personazheve të mrekullueshme të Arturit, Gjinevrës dhe Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët.

Magjistari Merlin e nis rrëfimin që me lindjen e Arturit, kalitjen e djaloshit dhe mësimin e rregullave të kalorësisë, takimin e parë të Arturit me Eskaliburin, shpatën e ngulur në shkëmb që vetëm kalorësi më bujar, më i ndershëm dhe guximtar do të ishte në gjendje ta shkulte nga shkëmbi. Vetëm ai ia doli ta shkulte shpatën fuqiplotë, duke u shpallur mbret i Britanisë.

Aventurat e Arturit, njohja me Gjinevrën dhe trimëritë e tij në mbrojtje të mbretërisë së Kamelotit, i mbështetur nga Kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët, do t’i tërheqin së tepërmi lexuesit e vegjël, duke u shërbyer si mësim që falë këmbënguljes, guximit dhe mençurisë gjithçka mund të arrihet dhe se e mira do të ngadhënjejë gjithnjë mbi të keqen, sado tinëzare dhe e fuqishme qoftë.

shpata-ne-shkemb

Librin e gjeni tek Bukinist. Ai vjen aty ku jeni ju, pa kosto transporti. Porosit online tek LINKU, ose telefononi tek: 044508282

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *