Ministria e Kulturës, platforma Bukinist.al, Akademia e Çmimeve Kult, Instituti Pashko dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë janë çdo vit çmime në fushën e libri: Mënyrat e përzgjedhjes dhe debatet rreth tyre; fituesit e vitit të kaluar.
Në Shqipëri jepen shumë çmime letrare brenda një viti kalendarik për veprën më të mirë të shkruar nga autorët shqiptarë. Në këtë artikull ne kemi përzgjedhur 5 trofetë që kanë marrë shkrimtarët tanë gjatë vitit 2018.
Çmimet janë dhënë në forma dhe mënyra të ndryshme: Konkretisht, platforma online e librit shqip, Bukinist.al i shpall fituesit përmes një procesi ku i fton lexuesit të votojnë online përgjatë dy muajve për libra të botuara gjatë vitit paraardhës, pasi ka përzgjedhur 7 libra më të mirë në 6 kategori të ndryshme, ku njëri prej tyre është për romanin më të mirë të vitit.
Ministria e Kulturës zgjedh një juri profesioniste nga fusha të ndryshme të studimit, gazetarisë kulturorës, përkthimit, etj., e cila përgjatë tre muajve analizon të gjithë librat e botuara një vit më parë dhe në fund shpall dy fitues: autorin më të mirë të letërsisë shqipe dhe përkthyesin.
Çmimi “Kadare” që jep Instituti Pashko i dedikohet letërsisë së pabotuar ende. Një juri profesionistësh në fushën e letërsisë analizon veprat në dorëshkrim dhe shpall vetëm një fitues.
Çmimi i dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Panairin e Librit jepet për veprat e botuara gjatë vitit ku zhvillohet eventi më i madh mbarëkombëtar në fushën e botimeve. Organizatorët ftojnë shtëpitë botuese dhe autorët që të paraqesin veprat për konkurrim deri dy javë para se të nisë Panairi. Juria jep disa çmime, ku mes të tjerave edhe për prozën më të mirë të vitit.
Çmimet Kult jepen nga Akademia e Çmimeve Kult dhe përfshijnë shumë fusha, ku ka një çmim edhe për veprën artistike më të mirë të vitit. Edhe këtu juria, – sipas fushave përkatëse, – nis aktivitetetin shqyrtues dhe seleksionues prej disa muaj, shoqëruar edhe me votim online dhe në muajin nëntor shpall fituesin edhe në fushën e letërsisë shqipe për botimet e një viti më parë. Fillimisht shpallet një short listë dhe mes tyre dalin fituesit përmes votimit në jurinë përkatëse.
Dhënia e çmimeve në letërsinë shqipe ka ngjallur debate gjithmonë dhe është shoqëruar me kontestime, përfshirë edhe vitin e fundit; Shpeshherë janë në diskutim cilësia e veprave të përzgjedhura, autoriteti i jurive, mënyra e seleksionimit, standardet mbi të cilat ngrihen çmimet etj.
Përtej faktit se shpallja e fituesit përbën në thelb një përzgjedhje subjektive, çmimet letrare në vetvetje duhet të shërbenin si modele letrare për sistemin në përgjithësi dhe duhet të ndikonin në tregun e shitjes së librit. Kjo e fundit është ende shumë larg, sepse letërsia shqipe përbën ende një treg tej mase të varfër dhe ka një lexues të pakët në numër. Ndërsa çështja e parë, kjo ka të bëjë me autoritetin e jurisë, kohën e mjaftueshme ose jo për shqyrtimin sa më serioz të veprave në konkurrim dhe standardeve mbi të cilat jepen çmimet.
Për tregun e librit në Shqipëri është e rëndësishme të rritet lexuesi dhe çmimet janë një shtytës pozitiv në këtë drejtim. Prandaj, ne kemi përzgjedhur pesë veprat që kanë fituar çmime gjatë vitit të kaluar dhe po ua rekomandojmë për lexim!
“Mërkuna e zezë” nga Agron Tufa, botuar nga Onufri në vitin 2017
Çmimi është shpallur përmes një votimi online në periudhën 25 janar – 23 prill 2018
“Sonatë për gruan e një tjetri” nga Henrik S.G, botuar nga “Dudaj” në vitin 2017
Çmimi për autorin më të mirë është dhënë nga juria e përbërë: Parid Teferiçi, kryetar, dhe anëtarët: Agim Baçi (kandidat për doktor shkencash), Dr. Olimbi Velaj, Dr. Albert Gjoka dhe Alma Mile (gazetare dhe kandidate për Doktor Shkencash në fushën e studimeve letrare).
“Piramida e shpirtrave” nga Virgjil Muçi, botuar nga Mapo Edition në vitin 2018
Çmimi i dhënë nga Instituti Pashko (Universiteti Europian i Tiranës, me jurinë e cila përbëhet nga: Kim Mehmeti, kryetar dhe anëtarët: Genciana Abazi, Eni Vasili, Ledia Dushi, Agim Baçi
“Ati” nga Ardian – Christian Kyçyku, botuar nga Poeteka në vitin 2018
Çmimi për librin artistik të vitit jepet nga një juri, për anëtarët e së cilës nuk ka të dhëna të bëra publike në faqen e Akademisë së Çmimeve Kult. Po ashtu, ka edhe votim online. Akademia e Çmimeve Kult jep çmime në shumë fusha të kulturës çdo vit
“Ciklopi” nga Brajan Sukaj, botuar nga Ombra GVG në vitin 2018
Çmimet jepet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në një nga ditët e zhvillimit të Panairit të Librit Tirana 2018. Juria përbëhet nga profesionistë të përzgjedhur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Këtë radhë kryetar ishte Prof. Dr. Lili Sula.
Burimi: Leximtari