Rekomandimet; 5 librat për lexim gjatë muajit janar

rekomandimet
rekomandimet
Ne foto: Librat e rekomanduar për lexim nga Bukinist

Platforma online e librit shqip do të sjellë çdo muaj rekomandimet për lexuesit; Duke nisur që nga muaji janar, ne kemi përzgjedhur pesë libra të cilat janë hedhur në qarkullim gjatë muajve të fundit nga shtëpitë botuese shqiptare: “Dita e mbetur” e nobelistit japonezo-anglez, Kazuo Ishiguro, “Kur sunduesit grinden” e Ismail Kadaresë, “Gurët e vetmisë” të Tom Kuka (Enkel Demi), “Ciklopi” i Brajan Sukaj dhe “Magazina e komunizmit shqiptar” nga Elektra Çapaliku.

“Dita e mbetur” nga Kazuo Ishiguro

dita-e-mbetur

Ngjarjet e këtij romani rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili për më shumë se tridhjetë vjet ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Evropës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij.

Nëpërmjet asaj që tregon, por sidomos, nëpërmjet asaj që nuk përmendet, dalin në pah, pak e nga pak, dilemat e jetës së tij. Në veçanti, në roman dalin në pah ndjenjat e papranuara dhe të papërjetuara për zonjën Kenton, guvernanten, e cila, ndryshe nga Stivensi, është e ndërgjegjshme për pasojat dramatike që vetëmohimi i tij do të ketë mbi jetët e të dyve.

“Dita e mbetur” fitoi çmimin Man Booker Prize në 1989. Mbetet një prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli.

“Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare

kur-sunduesit-grinden

Në këtë libër bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik mes Stalinit dhe shkrimtarit rus Boris Pasternaikut, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse.

Në një vështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku. Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të.

Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur, që vuajtën nën komunizmin bolshevik. E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj.

“Gurët e vetmisë” nga Tom Kuka (Pseudonim)

guret-e-vetmise

Në një vend diku mes kufijsh, një grusht njerëzish përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut.

E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet herë pas here bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë.

Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had.

Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe. Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall.

Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E, megjithatë, kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhëtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehen këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot.

“Ciklopi” nga Brajan Sukaj

ciklopi

Ky roman është shpallur fitues i çmimit të Panairit të Librit “Tirana 2018” nga juria e ngritur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Romani rrok historinë e një lindje të pazakontë të një gruaje, e cila pasi sheh që fëmija i saj ishte një “monster” me një sy, vendos ta mbajë në jetë. Ardhja në jetë e ciklopit njëherësh kthehet në fatalitet për banorët e qytetit, të cilëve iu ndodhin fatkeqësi të ndryshme, si përmbytje, djegie dhe shkatërrim të shtëpive të tyre. Ata fajësojnë ciklopin për këtë gjë, prandaj akuzonin të ëmën për vjedhje dhe kërkojnë nga kadiu që ta dënojë me vdekje. Por, ai refuzon të ndëshkojë nënën e ciklopit. Në fund, nëna dhe foshnja monster arrijnë të mbijetojnë në një mjedis kur çdo gjë ishte shkrumbuar dhe kthyer në myshk ngjyrë jeshile.

Ky roman është një thriller, zhanër pak i lëvruar nga autorët shqiptarë, dhe autori ka arritur që të fitojë besimin jo vetëm të lexuesve por edhe të ekspertëve duke u shpallur si libri më i mirë i vitit 2018 në Panairin e vitit të shkuar.

“Magazina e komunizmit shqiptar” nga Elektra Çapaliku

magazina-e-komunizmit-shqiptar

Kemi të bëjmë me një koleksion me rreth 500 imazhe të përzgjedhura dhe të grupuara në kapituj, si: Triska e tullona; Mobilje; Elektroshtëpiake; Paisje ngrohje dhe gatimi; Ndriçues; Telefona, aparate fotografikë dhe orë; Enë kuzhine; Kafe e takëme kafeje; Cigare dhe takëme duhani; Ujë dhe lëngje të tjera; Ushqime; Pije alkoolike; Veshje; Shtresa dhe mbulesa; Lavanteri; Lojëra; Artikuj shkollorë; Paisje zyre; Biçikleta e motoçikleta; Lekë si dhe objekte të tjera të ndryshme. Në libër përveç objekteve të paraqitura, gjenden edhe një numër aktesh të botuara në gazetat zyrtare, foto private si dhe faksimile dokumentesh.

Libri na vjen si një arkivë pamore, një katalog i koleksioneve të dyqaneve socialiste, duke pasur si qëllim të ofrojë një histori alternative të komunizmit shqiptar, nëpërmjet kulturës pamore të objekteve të përditshmërisë, historisë së penetrimit të projektit komunist në jetën private e urbane dhe përpjekjes për një unifikim total të shijes së shqiptarëve.

Albumi “Magazina e komunizmit shqiptar” është frut i një pune të gjatë kërkimore në terren dhe në nivele të tjera, si: biblioteka, internet e media sociale, për grumbullimin, sistemimin dhe interpretimin e objekteve, që kanë shoqëruar jetën e njeriut shqiptar në periudhën e komunizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *