Një femër midis jetës dhe vdekjes

linda-b
linda-b
Foto ilustruese

Përshtypje për romanin “E penguara – Requiem për Linda.B” të Ismail Kadaresë

wilson-1Era METAJ

Nuk  dyshoj se Ismail Kadare është një  shkrimtar heretik. Nuk është e mjaftueshme ta quash atë Jevtushenko shqiptar; ai është thjesht një rebel. Dallimi midis një rebeli dhe një heretiku është se i pari shpreh zemërimin e tij në mënyrë spazmodike, i cili mund të përmblidhet pas pak, ndërsa heretiku është i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij; ka një vijë të veprimit dhe një strategji që buron nga  parimet.

Te romani ‘E Penguara’ autori shtron një problem të dhimbshëm, tragjik: Ai tregon se si pengohej jeta e njeriut në një sistem ekonomiko-shoqëror, si dhunohej ajo barbarisht  duke e kthyer në metologji, kur një tokë udhëhiqet nga partia – shtet. E Penguara, – kjo është metonimia e jetës. Kaq mundësi kishte për të ecur: kudo do të ‘pengoheshe’ nga lufta e klasës, nga ideologjia komuniste. Ky është problem.

Ndryshe nga veprat e tjera, ky roman mbart që në titull një kundërshtim. Është një përkushtim i dhimbshëm, disi funebër, melodia e të cilit ngrihet ngadalë, drejt shqiptimit trishtueshëm të vdekjes. Këtu nuk kemi ikjen nga jeta, por pengimin e Linda.B  e cila vdes e penguar për të mos jetuar; dhe, atëherë fillojnë hetimet….

Titulli ‘E Penguara’ shndërrohet në një gjendje ekzistencialiste, nga e cila nuk ikën dot. Nuk ikën dot as qenia femërore që është strehuar që në titull te ky roman. Ajo quhet Linda. B dhe gjithçka është një requiem për të; një harmoni që lidhet me një muzikë të vetme; zbulimin e ngadaltë të pengimit me rrëfimin  e pamundshëm të jetës së saj, të penguar. Vetëm kështu mund të quhet një jetë vajzërore ‘e mbërthyer’  si një akt kryqëzimi, në rrjetën e pakuptimtë të internimit.

Teksa u kushton këtyre jetëve këtë roman I. Kadare përulet, për të gjithë në një homazh të fundit brenda letërsisë, vajzave shqiptare që lindën, u rritën, u vajzëruan në internim. Sa rëefime të tilla kemi dëgjuar në këto vite paskomuniste? Harta e Shqipërisë komuniste ushqen parreshtur hapësira internimesh, ku jeta e një vajze pengohej të ishte njerëzisht jetë. Të jetoje, të njerëzoje me një ‘pengesë’, kjo është çështja.

Prej kësaj zone të errët vjen e rrëfimi i pengimit të maturantes Linda.B, e vetëquajtura kështu si zonjusha B e Migjenit. Është një vajzë e penguar egërsisht, thellësisht në trup, në mendje, në shpirt. Për t’i ikur këtij pengimi, qoftë edhe për pak, asaj i duhet të gjeje qoftë edhe një formulë mitike, me shpirtin që ikën prej trupit, përmes një trupi tjetër zëvendësues, drejt trupit e shpirtit të një tjetri, drejt njeriut të trishtuar.

Në përpunimin e kësaj formule, kufijtë mes jetës dhe ikjes së saj ndryshojnë, Linda. B do të flirtoje me vdekjen duke i uruar vetes të sëmuret nga kanceri, por aspak për të vdekur. Mundësi e një vdekjeje të pakthyeshme do t’i jepte atë pak liri për të ikur për pak muaj, e sëmurë me kancer, drejt kryeqytetit të ndaluar drejt dashurisë, jetës.

Ky roman zë fill me një vetëvrasje. Linda.B  nuk ka qenë asnjëherë në liri. Ajo është ndaluar në emër të jetës, dashurisë, lirisë, sepse liria e saj është miti më i madh i njerëzimit, e penguara, e hetuar deri në vetëvrasjen e saj. Sa më intime shfaqet nga dosja në dosje, nga hetimi në hetim, aq më politike bëhet ajo, politike pikërisht prej thelbit intim, prej dashurisë, dëshirimit, takimeve, shëtitjeve, përkëdheljeve, fjalëve e xhesteve që s’u dëshmuan dot kurrë.

Ndoshta sepse nuk ndodhen, sepse nuk munden. Vetëm një antiketim, një zhvendosje e përkundert faktesh dhe kohesh njerëzore do t’ia mundësojnë kuptimin e ekzistencës.

Thelbi stukturor etik i këtij romani dhe i kësaj zhvendoseje jetësh i është besuar një miti tjetër; – ndoshta më të errëtit të njerëzimit, – mitit që ngjau të jetë ngjizur në një çast pezullimi midis jetës dhe vdekjes, ikjes e kthimit, dashurisë e pamundësisë: Orfeut, i cili është miti i tij, i paktit të pakthyeshëm me vdekjen për të sjell sërish në jetë Euridikën e bukur. Përballë enigmës së tij, poetët e shkrimtarët duan të nxjerrin pak kumt hyjnor për njerëzit.

Në rikthimin e tij të fundit, te ky roman tërësisht orfik, Kadare kthen drejt së tashmes një Orfe të shumëfishtë. Duke kërkuar zonjushën Linda.B, personazhi Rudina Stefa dhe ne të gjithë, lexues të priviligjuar në lirinë tonë të pjesëshme, shndërrohet në Orfe për të parë qoftë edhe për një çast të vetëm gjurmën e jetëve vajzërore që mbeten peng i pengimeve të parakohshme dhe i urrejtjes se çdo diktature.

Ky errësim njerëzor është ferri ku ecën Orfeu, ecën dramatugia Rudina Stefa, ecën për ne të gjithë Ismail Kadare. Me qindra Linda. B na tregojnë jetët e vdekjeve. Zonjushë Linda është Euridika e përmallshme e R. STELËS.

cmimet-3

Autorja e përshtypjes është nxënëse e klasës së XI tek shkolla private Wodroow Wilson. Kjo ese u vlerësua si më e mira në konkursin #jamliber – Ismail Kadare, organizuar nga platforma online e librit shqip, Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *