Bukinist, ja 5 rekomandimet e muajit shkurt 2019

rekomandimet

Në vijim të premtimit që ju kemi dhënë ju, të dashur lexues, ndjekës dhe miq, edhe këtë muaj ne si Bukinist kemi përgatitur pesë rekomandimet tona: Janë autorë shqiptarë dhe të huaj, libra në fushën e prozës së shkurtër, romanit, por edhe të non-fiction-it. Për hartimin e listës ne kemi marrë në konsideratë edhe faktin se këto janë libra që janë hedhur në qarkullim së fundi nga shtëpitë botuese në Shqipëri dhe Kosovë.

rekomandimet-ok

Prandaj, le ta nisim listën tonë të rekomandimeve për muajin shkurt, si më poshtë:

  1. “Hesht të lutem!” të Raymond Carver

Botuesi: Toena. Përktheu: Diana Çuli

hesht-te-lutem.jpg

Raymond Carver është një zbulim për lexuesin shqiptar, ndonëse ai është konsideruar si një prej mjeshtrave të “short story”-it të letërsisë amerikane dhe botërore të shekullit të XX. Ai vjen me librin e dytë me tregime në shqip, “Hesht të lutëm” brenda një kohe të shkurtër kohe, pas botimit të librit të parë “Për çfarë flasim, kur flasim për dashurinë”.

Carver konsiderohet si mjeshtër i tregimit. Ai depërton në realitetin e përditshëm, në jetën e zakonshme të njerëzve të thjeshtë, dhe rrëfen dramën dhe tragjedinë e tyre, pa sforcime. Të ndjell me mister dhe të trondit me ndryshimet e befasishme të historisë. Teksa lexon tregimet e tij, duket sikur i bën një ushtrim të mirë trurit me lojërat që sendërton për lexuesit. Por, njëherësh, ai është i hollë, ironik dhe therës në fillin rrëfimtar.

Prandaj e rekomandojmë për të gjithë ata që duan të lexojnë prozën e shkurtër dhe të njohin majat e tregimit botëror të ditëve tona.

  1. “Triologjia e Shkodrës” e Gazmend Krasniqit.

Botuesi: Marin Barleti.

trilogjia-e-shkodres

Ky autori është ndër rrëfimtarët që ka eksperimentuar vazhdimisht në prozë, derisa vjen në këtë përpjekje të fundit të tij, me një poetikë të mirëfilltë postmoderniste. Brenda këtij libri janë grupuar tre romane: “Tiranë – Vjenë – Tiranë”, “Romani i dashurisë” dhe “Romani i lumturisë”: Janë tre mënyra të ndryshme të shkrimit të romanit, të cilat kanë një bosht në historitë që sjellin Shkodrën, me personazhet dhe ngjarjet e saj. Në të parin ndërtohet një roman mbi jetën e poetit të njohur Frederik Rreshja, përmes alter egos së tij, personazhit, Marin Barini. Edhe në dy romanet e tjera ekspertimenton në aspektin narrativ përmes strukturave rrëfimtare të regjistrimit në të dytin dhe në të tretin përmes letrave dhe tregimeve.

Leximi i tyre përbën një sfidë për lexuesin që është pak i ambjentuar me letërsinë postmoderniste shqiptare por këto tri pjesë të kësaj triologjie krijojnë tek lexuesi një ndjesi të pazakontë, për shkak të autorit/rrëfimtarit enciklopedik, teknikave narrative, botës së hollë shpirtërore, mendimit filozofik që përcjell dhe fuqisë reflektuese për ngjarje dhe fenomene.

  1. “Dialoge Borges – Sabato” përgatitur nga Orlando Barone.

Përktheu: Orjela Stafasani. Botimet OM Prishtinë

dialoge-borges-sabato

Ky është një paratekst i shkëlqyer për të gjithë ata që do të duhet ta kenë më të lehtë për të komunikuar me veprat e këtyre mjeshtrave të mëdhenj të letërsisë botërore të shekullit të XX. Në bisedat e tyre ata lëshojnë sekrete për çdo gjë: për jetën, vdekjen, dashurinë, letërsinë dhe për shumë gjëra të tjera. Biseda mes briltantësh vjen e natyrshme, ku ata shpalosin botën e madhe ideore dhe shpirtërore, aftësinë e tyre si shkrimtarë dhe si lexues. Për këto arsye e rekomandojmë këtë libër, sidomos tek ata lexues që kanë lexuar qoftë edhe një vepër të Borgesit apo të Sabatos.

  1. “Ne VS atyre dështimi i globalizmit” nga Ian Bremmer.

Botuesi. Minerva. Përktheu: Bledar Lami.

ne-vs-atyre-deshtimi-i-globalizmit

Për të gjithë ata që duan të kuptojnë botën e ditëve tona, ky është një libër që iu vjen në ndihmë në mënyrë të kënaqshme: Bremmer skanon gjendjen ekonomike, politike dhe sociale të shumë prej shteteve të fuqishme, aktorëve kryesorë të politikave globale, duke i vendosur në optikën e globalizmit dhe pengesave që kanë dalë në ditët tona përmes politikave proteksioniste, të cilat janë nxitur nga nacionalizmi. Ky autor përpunon një madh të dhënash, i analizon ato me gjakftohtësi dhe na jep një panoramë të qartë të botës në përplasjen e madhe “Ne” dhe “Ata”. Ky libër është botuar në SHBA në vitin e kaluar dhe pas pak muajsh vjen edhe në shqip, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati në tregjet amerikane dhe europiane ky libër, i cili është vlerësuar si një manual i shkëlqyer gjeopolitik.

Shefja e FMN-së, Christine Lagarde shprehet”: “Ian Bremmer është provokues, kundërshtues dhe gjithmonë inteligjent mbi gjendjen e botës sonë të cilën e njeh kaq mirë!”

  1. “Vetëvrasja e Europës” nga Dougllas Murray

Botuesi: Botart. Përkthyesi: Ivana Tomço

vetevrasja-e-europes

Ky libër është konsideruar si një ndër botimet më provokuese për çështjet e dala pas deklarimeve se “multikulturalizmit” i ka ardhur fundi. Shtimi i lëvizjeve të popullatave për shkak të krizave politike, ekonomike, ushtarake nga Lindja drejt Perëndimit, dhe ndryshimi i formacioneve të popullatave në Europë e ka vendosur kontinentin e vjetër në një sprovë të madhe: Ai nuk po njeh më as rrënjët e veta dhe as të sotmen e saj. Këtu e sheh krizën thelbësore Murray; tek fakti se europianët e sotëm janë shumë larg me historinë e tyre, e cila tashmë mbushet dhe trysnohet nga kulturat e reja që sjellin emigrantët.

Dougllas Murray provokon dhe ngre shumë çështje mbi identitetin, – dhe mënyrën e ndërveprimit të njerëzve të kulturave dhe besimeve të ndryshme. Këto ndryshime dimanime brenda shoqërisë por edhe individit na prekin thelbësisht edhe ne, prandaj ky është një libër që do të duhet të gjejë lexues të shumë edhe në Shqipëri, qoftë për shkak të tematikeve që ngre rreth identitetit, islamit dhe Europës sot, qoftë edhe për mënyrën sesi e sheh të ardhmen politike të Bashkimit Europian, pjesë e të cilit duan të jemi edhe ne si shqiptarë në një të ardhme sa më të afërt.

Këto janë pesë rekomandimet tona. Takohemi muajin tjetër.

Dr. Albert Gjoka

Menaxher i Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *