“Tutori” i Ahmetit merret me politikë

tutoris

Oltion Kadaifçiu

Review rreth librit “Tutori”, i autores Mimoza Ahmeti, botuar nga Mapo Editions

Tutori, në një gjuhë si kjo e jona, gjatë 30 viteve të fundit, më shumë kujton trafikantë njerëzish që mbikëqyrin nëpër hije vajza që kushedi në ç’rrethana ofrojnë trupin në këmbim të parave, por nuk është gjithmonë ky rasti. Tutor i thonë edhe atij që mbikëqyr e orienton formimin intelektual a profesional të dikujt që po formohet ndjeshmërisht, intelektualisht a profesionalisht. E në këto kontekste është edhe përdorimi i termit prej Mimoza Ahmetit në romanin e saj me titull “Tutori”, botim i Mapos, më 2018-n.

“Tutori” flet për dy tutorë, që Ahmeti i veçon për ndikimin që ata kanë pasur nëpër jetimin e saj prej 1994-s deri më 2017-n, që duket se është viti kur përfundoi shkrimi i veprës, por rrëfenjat duket se furnizohen me ngjarje deri dikur nga viti 2001.

Një përfundim që mund ta hamendësojmë prej faktit se libri përfundon me rezultatin e zgjedhjeve, apo më mirë të themi alkimimin e tij në një vizion poetik të Ahmetit: “… një fëmijë me lakuriq në një palë brekë të zbehta që i vileshin, e thirri herën e tretë të plotë emrin tim, vetëm duke ndryshuar z-në x dhe, pas kësaj, u rrëzua e mezi u ngrit, pasi ende nuk dinte të ecte”.

E etiketuar si “autoreferenciale” nga Aurel Plasari në parathënien e librit, por që me pak rëndomtësi mund ta kategorizojmë edhe si autobiografike, Mimoza Ahmeti, një poete që e mbush fletën më vete, sjell prozën e saj në përzierjet e ngatërruara e përgjithshme e përveçme, ndjenjë e ngjarje, formë e ngjyrë, që e bëjnë të vështirë kritikën, pse njëkohësisht duhet të ngërthehesh edhe me krijimin, edhe më krijuesin. E kjo mund të konsiderohet blasfemike. Por, nga ana tjetër, romani na tregon se nuk kemi të bëjmë me atë krijues. Vetë autorja pyet: “E kush mund të të mbështesë në idenë se gjithësia varet nga ti?” Tutori?

Megjithëse ata nuk na prezantohen me emrat e plotë kur flasim për dy tutorët në fjalë kemi të bëjmë me Fjodorin, që fillimisht prezantohet si shkrimtari i shkëlqyer rus Fjodor Mihailoviç Dostojevski, por që pastaj transmigron në një djalë me pallto të zezë që i ka alergji ata që kanë një -viç nëpër emër, e sipas gjasave është vetë gjeneralisimoja ynë Edi Rama dhe Leo, apo më saktë Leo Strauss-in, hebreu austriak që jetoi në Amerikë e u mor me filozofi politike e u thellua në mendimin e grekëve të lashtë e organizimin shoqëror të tyre, librin e të cilit “Qyteti dhe Njeriu”, Ahmeti e ka përkthyer e është botuar prej “Dijes” në Prishtinë më 2002-in.

Fjodori na intrigon pse njerëz të vërtetë, ngjarje të vërteta e mbresa të gjalla infiltrohen nëpër të. Përroi që mban emrin e tij na sjell hije që me një kërkim të lehtë mund t’u vëmë emra dhe kjo është dëshira jonë nëpër lexime prozash (apo jo?). Martesat e protagonistes, dashuritë, flirtet, dyert, dhomat, prekjet, ‘97-ën me famë, transplatorin e kulturave, fizikanin, presidentin, i shtriri mbi sillën mbi tryezë që ha me bark. Kufijtë e reales, morales, shoqërores, familjares, që Ahmeti përshkon e që i shkulin tërësisë së saj copa nëpër të cilat mund ta njohim duke e krahasuar me veten.

Por, më shumë se përroi që mban emrin e tij e sjell te ne Mimozën, interesant për një publik që pluskon në fushatën elektorale pak dimensionale të këtij muaji, është ai vetë, shkëlqesia e tij kryeministri ynë. Ngjyrat e tij, fjalët e tij, mendimet e tij, mikeshat e tij, ambiciet dhe ëndrrat e tij.

… si të gjithë prijësit ballkanas që, ndërsa u gjykuan për diktatura nesër do të vlerësohen si viktima madhore të mbështetjes së Perëndimit”, mendon Ahmeti për të. Por më tej vazhdon: “Por nejse … Ç’më duhet mua kjo? Ma paguan dëmin? Jo. Sikter! Thoshte nëneja ime.”

Në anën tjetër, tutori Leo çon Ahmetin në angazhim shoqëror. Duket se është ai që ka ngjallur tek ajo besimin se angazhimi politik mund të kishte dobi. Dhe sërish është interesante për ne të hedhim sytë në atë se çfarë mund të përmbajë një mendim politiko-poetik që nxit angazhim. Ahmeti përfshihet në një dialog imagjinar me Strauss-in duke diskutuar politikën, qëllimet e mjetet e saj. Përfshirjen e vet.

Megjithëse plot të vërteta biografike lënda e romanit është e hedhur nëpër një re mbresash e përjetimesh që na bën kërkues për delikatesa gjuhësore. E kjo përmbys disi atë rregullin e zakonshëm të teksteve ku nëpër narrativë ti kërkon delikatesa poetike. Te “Tutori” është masa ajo që është poetike, kurse ajo që mund të gërmohet janë realitetet. E kjo e mvesh leximin me një tis të lehtë hutimi.

Aurel Plasari në hapjen e parathënies së librit tregon se ai nuk mundi ta heqë prej duarve pa i dal deri në fund, në mbarim të po asaj nate nuk e nisi leximin e librit. Por ai edhe vë disi në dyshim se kjo do të ishte e njëjta eksperiencë për secilin lexues.

Për të kënaqur sadopak kuriozitetin e tij unë do të thosha se ky nuk ishte aspak rasti për mua. Mua m’u desh ta marr e heq nga duart disa herë librin deri sa arrita në bindjen se e kam lexuar librin. Ndoshta kemi të bëjmë me lexues fort të ndryshëm, por gjithsesi proza e këtillë nuk është fort e varur nga kërshëria për suksesin e vet. Libri ka të mirën se mund ta shfletosh në vazhdimësi e të kalamendesh nëpër të.

Botuar në gazetën Liberale

Librin e gjeni tek linku

tutori

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *