Konradi…., një libër për të gjithë familjen

konradi

konradi

Një përshtypje rreth librit të Christine Nöstlinger: “Konradi ose Djali i kutisë së konservës“, përkthyer nga gjermanishtja nga Admira Poçi dhe botuar nga Poeteka

Klaus Podak
Konradi
vjen në shtëpi me postë, mbyllur në një pako. Zonja Berti Bartoloti nuk e ka porositur. Por meqë ajo është pak e hallakatur dhe i dashuron kuponat dhe fletëporositë dhe shpesh as që e di më, se ç’ka porositur, e mban Konradin, gjë që nuk është aspak e thjeshtë. Sepse Konradi është si një produkt gjysmë i gatshëm, i vogël e i rrudhur në një kuti konserve dhe së pari duhet sjellë në terezi me anë të një ushqimi të tretshëm, që ndodhet gjithashtu në pako. Për çudi, zonja Bartoloti ia del fare thjesht. Tani Konradi është i plotë. Një fëmijë i përsosur.

Sesi një superfëmijë kaq i mërzitshëm shndërrohet në një djalë mistrec krejt normal, i cili në fund duhet shpëtuar me shumë marifete nga familja që e ka porositur vërtet, e cila papritur del në skenë, tregohet në këtë libër sa gazmor aq edhe tërheqës të autores austriake për fëmijë Christine Nöstlinger.

Një libër për fëmijë? Natyrisht. Por jo vetëm për fëmijë. Fëmijët që e lexojnë do të gëzohen vjedhurazi për transformimin e Konradit në një krijesë të zakonshhme, të paparashikueshme, që ata e njohin shumë mirë. Sepse ai bëhet si ata, siç do të ishin ata, nëse do t’i lejonin, nëse edhe ata do të kishin të atillë prindër disi rrëmujëmëdhenj, por të këndshëm, siç na paraqiten nën shembullin e përsosur të Berti Bartolotit. Mikut të saj farmacistit Egon, i cili dëshiron të jetë babai i Konradit të vogël të përkryer, zonja Bartoloti i thotë e inatosur: ” Vazhdimisht të rriturit duan t’i gënjejnë fëmijët. Vazhdimisht u tregojnë: Pa shikoni, sa të pushtetshëm dhe sa të mprehtë, sa të zgjuar dhe sa të mirë jemi ne.”

Pra, me gjithë argëtimin që do të kenë lexuesit e rinj me këtë histori të treguar në mënyrë të shkëlqyer, ajo është edhe një vepër shumë edukative për të rriturit. Edhe ata duhet ta lexojnë. Ata do të kënaqen, ndonjëherë do të gëlltiten me vështirësi, ndoshta do të psherëtijnë, por në fund do ta kuptojnë, se Berti Bartoloti, që u bë nënë kundër vullnetit të saj, është, megjithëse e arsyeshme, po aq e hallakatur sa edhe ata, prindërit lexues të këtij libri, do të donin të ishin.

Konradi ose Djali i kutisë së konservës, botuar në vitin 1975, është me plot gojën një libër për të gjithë familjen. Christine Nöstlinger, lindur në vitin 1936 në Vjenë, ka fituar gjithçka mund të fitohej nga çmimet e letërsisë për të rinj. Edhe Konradi u fut në listën e librave çmuar me Çmimin Gjermanishtfolës të Librit për të Rinj.

Në të gjithë librat e Nöstlinger dëgjohet një këngë e lehtë, por e pagabueshme mbi dëshirën për anarki, për vetëvendosjen e fëmijëve. Ata mbartin rilindjen e jetës së përditshme, tregojnë, sesi është ajo dhe si mund të ishte.

Historitë e Nöstlinger janë vepra çlirimi. Ndaj dhe na bëjnë kaq mirë.

Përktheu: Admira Poçi

konradi-oki
Foto: Nga momenti i promovimit te librit ne mjediset e panairit Magjia e librit, ku ishte e pranishme përkthyesja e librit Admira Poçi

Artikulli origjinal në gjuhën gjermane është botuar në: DER STANDARD (https://derstandard.at/2192512/Christiane-Noestlinger-Konrad-oder-Das-Kind-aus-der-Konservenbuechse)
Falënderojmë redaksinë e DER STANDARD për lejen për ta përkthyer dhe botuar këtë tekst.

Librin e gjeni tek linku

konradi-ose-djali-konserves

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *