Te mesosh gjithçka rreth Jeff-it dhe Amazon-es

kyce
Jef Bezos

Review rreth librit “Të shesësh gjithçka: Jeff Bezos dhe epoka e Amazon” i autorit Brad Stone, i hedhur në qarkullim nga Botimet Minerva, nën përkthimin e Maniela Sotës

albert-gjoka-175x300Albert Gjoka

Mundësia për tu njohur me kompaninë më të fuqishme të botës në këtë moment dhe drejtuesin e saj Jeff Bezos, qoftë duke lexuar një artikull, e aq më mirë duke e zbuluar përmes një libri, është tejet grishëse për këdo, sidomos për ata që janë të pasionuar pas sipërmarrjes apo teknologjisë. Prandaj, edhe ardhja në shqip e librit “Të shesësh gjithçka: Jeff Bezos dhe epoka e Amazon” i autorit Brad Stone është një dritare e shkëlqyer drejt kësaj bote të madhe biznesi dhe inovacioni të vazhdueshëm. Ky libër është botuar fillimisht në vitin 2013 dhe më pas, i ribotuar në vitin 2018, ndërsa vjen në shqip nga Botimet Minerva, me përkthimin e Maniela Sotës. Kjo biografi e dyfishtë për Amazon dhe themeluesin e saj është shpallur nga Financial Times dhe Goldman Sachs si libri më i mirë i biznesit në vitin 2013.

Amazon ka bërë shumë rrugë gjatë këtyre dekadave por, ky botim mbetet një nga librat më të mirë që është bërë gjigandin absolut të ekonomisë botërore. Autori ka eksploruar njëherësh edhe jetën e Amazonës, edhe ecurinë si sipërmarrës të Bezos-it, përmes realizimit të 12 intervista të detajtuara me të, qindra intervistave dhe bisedave me punonjës, ish-punonjës, të afërm, miq, partnerë dhe kundërshtarë të Amazon-ës, mijëra artikuj, kërkime dhe studime që janë shkruar për kompaninë numër Një në botë nga gazeta, revista, mediat të specializuara, qendra kërkimore apo universitete në mbarë botën.

Gjithçka nisi me një ëndërr që kishte themeluesi i saj, për të ndërtuar një kompani të madhe: Prandaj, nuk u mendua dy herë për të lënë një rrogë të mirë dhe rehatinë që i jepte Wall Street asokohe, në vitin 1994 për të nisur një rrugëtim të gjatë. Qysh në krye të herës themeluesi kishte menduar për të ndërtuar një kompani misionare: Sipas Bezos-it, misionarët ndjekin objektivat fisnike dhe përpiqen që të ndërtojnë një botë më të mirë, ndërsa mercenarët kërkojnë para dhe pushtet dhe janë të gatshëm që të shkelin këdo që i del përpara. Amazon është një sipërmarrje edhe misionare, edhe mercenare, por bazat orientuese shkojnë tek e para.

Teksa sheh historinë rreth 25 vjeçare të kësaj kompanie, me shkëlqimin e furishëm dhe me rëniet e frikshme gati buzë greminave, – kupton se çelësi i suksesit mbetet tek menaxhimi i situatave kaotike dhe tek vendimet që janë marrë në momentet më kritike të Amazonit. Padyshim, ideatori dhe themeluesi i saj konsiderohet si mjeshtri i menaxhimit të kaosit.

amazni
Jeff Bezos ne foto, ne fillimet e para te Amazon.com

Që nga dita e parë dhe deri më sot, Amazon-a ka qenë dhe mbetet një nga kompanitë që e ka vendosur fokusin e saj tek klienti. Kjo nuk është një fjalë goje, e as një strategji në letër. Ky është një aksion dhe filozofi pune në çdo sekond të jetës së kompanisë. Pakënaqësia apo vonesa ndaj një klienti të vetëm është shumë më e rëndësishme në përditshmëri se çdo gjë tjetër edhe për vetë  drejtuesin e saj. Parimi amazonian për të ofruar çmime të ulëta dhe shërbime të shkëlqyera e ka justifikuar këtë përpjekje titanike për të bërë dyqanin më të madh të shitjeve online në botë. Dhe jo vetëm aq. Njëherësh, ofrimi i shërbimeve të diferencuara sipas llojeve të klientëve ka qenë ndër strategjitë më efikase të kësaj kompanie.

Madje, klienti është shumë më i rëndësishëm sesa edhe furnitori, duke e detyruar gjithmonë këtë të fundit ti përshtatet filozofisë së Amazonës; pra, që të ofrojë produkte me çmime sa më të ulëta dhe të përmirësojë shërbimet për të arritur kënaqësinë maksimale konsumatori. Amazon ka qenë gjithmonë gati që t’i sakrifikojë partnerët e tij, vetëm e vetëm që t’u mbetet besnik premtimeve ndaj klientit. Ai është sjellë ndaj tyre siç sillet një geopard ndaj gizelës, dhe në raste të caktuara ka marrë vendime drastike duke vetëofruar edhe produkte për konsumatorin.

Kohët ndryshojnë dhe shpeshherë edhe kompanitë dalin jashtë rrjedhave të tregut, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrësesi me Amazon-ën gjatë këtyre 25 viteve: Pa frikë, kjo është kompania që i është përshtatur më së miri ndryshimeve teknologjike dhe rregullave të tregut, duke i mbijetuar krizave të mëdha si falimentimi i biznesve dot-com-e në vitet 2000 apo krizës globale të vitit 2008. Këtu çdokush mund të mësojë shumë sesi është sjellë gjigandi botërorë i retail-it online ndaj konkurrentëve. Gjithçka i ngjan lojës së shahut ky Jeffi shquhet për gjakftohtësi në çdo lëvizje që hedh kur vjen puna për tu përballur me kundërshtarët. Konkurrenti në treg ose blihet ose asgjësohet. Amazon i ka fituar deri më tani të gjitha betejat. Dhe këtu, shfaqet një luftë e vërtetë dhe e vazhdueshme. Beteja ndaj tregut kërkon mekanizma “spiunimi” të çmimeve, të konkurrentëve dhe taktika efikase në luftën për tregje. Gara nuk është vetëm me kundërshtarët, por edhe vetë brenda kompanisë Amazon, dhe ky është një ndër rastet e rralla në botë sesi e koncepton zhvillimin një sipërmarrje.

E pazakontë është edhe vetë kultura e punës brenda Amazon-ës, e cila ndërtohet mbi bazën e konfliktit; Idetë dhe perspektivat përplasen, ndonjëherë edhe në mënyrë të dhunshme. Por, në momentin që gjërat vendosen, të gjithë duhet të zbatojnë planet dhe strategjitë e saj.

Gjithsesi, kush ka punuar në këtë kompani, qoftë edhe një ditë të vetme, ka mësuar shumë. Kjo për arsyen e thjeshtë se Amazon-a është sot sipërmarrja më inovatore në botë. Këtu teknologjia është në shërbim të efikasitetit; Ajo materializohet në ndihmë të proceseve dhe shërbimeve, më mirë dhe më shpejt se në asnjë kompani tjetër.

Amazon konsiderohet si mishërimi dhe imazhi identik i themeluesit të saj. Është shembëlltyra e tij: Të mendosh si shefi-Jeffi; Të bësh jeffizma; Të ndjekësh shembullin e Jeffit dhe të veprosh si ai. Një gjë e tillë është e vështirë për tu zbatuar prandaj për të punësuarit në këtë kompani sjell një prishje të standardeve normale të mënyrës sesi punohet në një sipërmarrje; cënon ekuilibrin mes punës dhe jetës për punonjësit, prandaj shumë kush nuk i përshtatet ritmit të Amazon-ës.

bezos-1

Jeff Bezos jo më kot e nisi biznesin e tij me librin. Ai jo vetëm di ta shesë, por edhe ka mësuar shumë prej tij; Pasioni dhe kultura e leximit, përdorimi i librit si një mjet për t’u zhvilluar ai dhe sipërmarrja e tij – janë shembuj të shkëlqyer sesi mund të ndërtosh sipërmarrje globale duke ndjekur idetë dhe njohuritë më të mira që merren përmes librave. Ky është një model sesi lideri e përdor leximin për të përmirësuar mënyrën e të menduarit, të vepruarit, të menaxhuarit dhe për të qenë përherë kreativ dhe energjik.

Këto janë vetëm disa nga reflektimet që të vijnë natyrshëm teksa lexon materialin eksplorues të Brand Stone mbi Jeff Bezos dhe Amazon-ën: Për këtë arsye, shumëkush ka se ç’të mësojë përmes këtij libri për Amazon-ën dhe mendjen brilante të tij, – sidomos sipërmarrja shqiptare e cila ndodhet nën trysninë e përditshme të futjes së teknologjive bashkëkohore, dhe të konkurrencës së ashpër, pa rregulla. Cdokush mund të mësojë nga mjeshtri që di të shesë gjithçka dhe libri “Të shesësh gjithçka” është një mënyrë të të blerë shumëçka për këdo që ka ambicjen për të ecur përpara.

Librin “Të shesësh gjithçka” e gjeni tek LINKU:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *