Nje liber qe duhet lexuar

Review për librin “Fati i perëndimit” i autorëve Jacque Attali dhe Pierre – Henry Salfati, botuar nga Minerva

materee

civiciAdrian Civici

Libri “Fati i perëndimit” i autorëve Jacque Attali – një nga personalitetet bashkëkohore më të spikatura dhe influente në nivel ndërkombëtar, dhe Pierre – Henry Salfati – një nga njohësit më të shquar t ë historisë së antikitetit, vecanërisht historisë së judaizmit -, i cilësuar ndryshe edhe si “psikoanaliza e civilizimit perëndimor” është një sfidë e admirueshme intelektuale, akademike, filozofike, historike, politike e sociale për të shpjeguar “rrënjët” e këtij civilizimi, “ndërtimin” historik, dhe mbi të gjitha, “fatin” që e pret të ardhmen e tij.

Në thelbin e tij, Perëndimi është një koncept historik, gjeografik e kulturor. Është historik sepse ai nuk u krijua spontanisht nga një apo disa gjenerata, por evoloi përgjatë 30 shekujve; është gjeografik sepse u zhvillua në disa rajone të përcaktuara të botës; është kulturor sepse shpreh një mënyrë jetese specifike me karakteristika të qarta e të dallueshme nga civilizimet e tjera.

Civilizimi perëndimor apo thjesht “perëndimi”, në këndvështrimin klasik historik, nënkupton një hapësirë kulturore që rezulton nga bota hebraike, civilizimi grek, civilizimi romak dhe kultura e krishterë perëndimore. Mbas një periudhe të errët gjatë periudhës së Mesjetës, civilizimi perëndimor arriti pjekurinë e tij, fillimisht me periudhën e Rilindjes dhe më vonë me lëvizjen kulturore, filozofike, letrare dhe intelektuale të shek.XVII-XVIII-të të njohur me emrin “Les Lumières” ose shekulli i ndricimit, gjatë së cilës ndodhi “clirimi” nga influenca e kishës dhe dogmës. Apogjeu i “Perendimit” ishin revolucionet industriale të shek. XIX – XX-të, përhapja dhe kolonizimi i një pjese të rëndësishme të botës, revolucionet politike të shek.XX-të që konsoliduan laicitetin dhe demokracinë liberale parlamentare.

Ky libër realizon një udhëtim 3 mijë vjecar historik, politik, social, filozofik e religjoz, nga zanafilla e “Perëndimit” deri në ditët e sotme, për tu mbyllur me pyetjet dhe pikëpyetjet : “A i njohim sa duhet rrënjët e formimit të tij?”, “cili është fati dhe e ardhmja e tij?”, “cilët janë rreziqet që cënojnë vazhdimësinë dhe ekzistencën e tij në të sotmen e në të ardhmen?”, “drejt cilave sfidave kalon e ardhmja e perëndimit?”, “si ta shpjegojmë dhe përballojmë faktin, se ndërkohë që ky civilizim po bëhet gjithnjë e më shumë planetar, kaq shumë i admiruar dhe dëshiruar nga shumë popuj e rajone të botës, “toka mëmë” po vuan probleme të shumta që shkojnë deri në vënien në pikëpyetje të vazhdimësisë së tij?”, etj.

Jacque Attali dhe Pierre – Henry Salfati e analizojnë dhe shpjegojnë këtë “lindje” dhe evolucion 3 mijë vjecar nën një optikë të vecantë e origjinale duke mbrojtur tezën se “themelet e perëndimit janë hebreo-greke”, është takimi i profetëve hebrenj me filozofët grekë, se judaizmi dhe helenizmi kanë dialoguar reciprokisht për të “prodhuar” një mënyrë të menduari e vepruari origjinale, thelbësore, koherente që mishëron “nevojën e simbiozës ndërmjet besimit dhe arsyes, pa pranuar dominimin e njërës mbi tjetrën”.

“Homo occidentalis” u ndërtua si një njeri i lirë, si zotëruesi i një bote në shërbim të tij, si pjesë e një shoqërie demokratike religjoze dhe laike, si mbrojtës i flaktë i lirisë së mendimit dhe veprimit, pronës private dhe tregut të lirë.

Në këtë analizë, e vecanta e këtij libri qëndron në faktin se autorët analizojnë dhe argumentojnë faktin se “gjithë rrugët dhe zhvillimet e perëndimit u konturuan në matricën hebreo-greke”, se kjo “origjinë e dyfishtë themeluese” është shumë pak apo aspak e njohur deri më sot, se “nëse civilizimi perëndimor pranon origjinë e tij greke, ai neglizhon apo anashkalon kontributin e judaizmit, duke preferuar ti referohet vetëm krishterimit.

Për Jacque Attali dhe Pierre – Henry Salfati, megjithëse a priori këto civilizime duken thelbësisht të ndryshme, në thelb ato janë shumë të lidhura me njëra-tjerën në një dialog historik të vazhdueshëm përgjatë shumë shekujve. “Ato konvergojnë rrotull një ideje që themeloi Perëndimin: Unikalitetin. Të Zotit. Të Njeriut. Të tjetrit. Zanafilla. Monoteizmi. Shkenca. Besimi dhe Arsyeja”.

Fati i Perëndimit” lindi dhe u zhvillua falë dialogut ndërmjet mendimit hebre dhe atij grek, i cili ndërtoi një sistem specifik vlerash, një utopi sociale karakteristike, ngriti në piedestal individin, lirinë e veprimit dhe mendimit, privilegjoi arsyen, shkencën dhe zbulimin, akumulimin e dijes, përmirësimin e botës materiale, rëndësinë për Tjetrin, për respektin dhe mirëqënien e tij. Autorët nënvizojnë veçanërisht konkluzionin se “është meritë e këtij dialogu fillimi i mbretërisë së arsyes, e pandashme nga mbretëria e lirisë: nuk mund të arsyetosh pa qënë i lirë. Nuk mund të jesh i lirë pa arsyetuar”.

Autorët japin shembuj të shumtë historikë, bëjnë analiza filozofike, fetare, kulturore e psikologjike për të arritur në konkluzioni se “Kjo mbretëri e arsyes nuk do të egzistonte pa lirinë individuale, që në thelbin e saj supozon bashkëjetesën me tregun dhe demokracinë.

Udhërrëfyesi i lirisë u bë projekti i cmendur i shmangies së fundit, i sfidës ndaj vdekjes. Perëndimi lindi pikërisht këtu, duke u bërë trashëgimtari i këtij udhërrëfyesi. Në këtë lindje u gatua dhe u shkrua edhe fati i tij i ardhshëm”.

Përmbajtja e këtij libri është pa asnjë dyshim një thesar i vërtetë i ngjarjeve, fakteve dhe analizave më të rëndësishme historike 3 mijë vjecare në disa nga rajonet më aktive e kontribuese në historinë e botës, të tilla si Lindja e Mesme, Mesdheu, Magrebi, Afrika, Europa; ndërthurjen e civilizimeve dhe kulturave të ndryshme të tilla si:  Asiriane, Babilonase, Perse, Greke, Hebreje, Romake, Arabe, etj; idetë dhe rolin e filozofëve të shquar si Aristoteli, Platoni, Sokrati, etj; historinë e lindjes dhe zhvillimit të Judaizmit, Krishterimit, Islamit; rolin e legjendave, miteve apo librave të shenjtë si Torahu, Bibla, Kurani në formimin e psikologjisë dhe etikës perëndimore; evolucioni i ideve dhe përpjekjeve të njerëzimit në këto zona të botës për të shpjeguar Zanafillën e botës, egzistencën e Zotit, fuqinë e arsyes hyjnore dhe asaj njerëzore, raportet e besimit me arsyen dhe shkencën, e kishave me universitetet, luftën për arsyen dhe lirinë kundrejt dogmës dhe fatit të paracaktuar, etj.

Një nga pjesët më interesante dhe mbresëlënëse të librit janë konkluzionet e tij, në të cilat shtrohen dhe ju jepet përgjigje një sërë pyetjeve fondamentale mbi kërcënimet dhe të ardhmen e Perëndimit: A e meriton mbijetesën më shumë se të tjerët civilizimi Perëndimor? A mund të flitet akoma për një “civilizim” perëndimor ndërkohë që në emër të tij janë bërë mjaft krime e barbari? A i ka qëndruar besnik rrënjëve dhe origjinës së tij ky civilizim? Versioni i sotëm planetar i këtij civilizimi ka akoma ndonjë lloj lidhje me dialogun e disa filozofëve dhe rabinëve në Mesdhé 25 shekuj më parë? Rrugëtimi i tij nëpërmjet botës romake, pastaj nëpërmjet mbretërimit të Kishës, pastaj nëpërmjet mbretërimit të Iluminizmit, a ka bërë të mundur mbijetesën e disa prej elementeve domethënës të zanafillës së tij? A mund ta ngremë në piedestal mendimin hebreo-grek si origjina e botës së sotme, si mendimi që na nxorri nga pasiguritë kërcënuese dhe fatalizmi , që na farkëtoi vullnetin për të kontrolluar botën dhe natyrën?

Të gjithë këtyre pyetjeve, ky libër u jep një përgjigje pohuese. Koncepti thelbësor me të cilin autorët konkludojnë rrugëtimin e gjatë të librit është domosdoshmëria që Perëndimi ti rrikthehet altruizmit dhe arsyes duke nxjerrë në ballë kombinimin e tyre drejt një altruizmi të arsyeshëm, si alternativë ndaj individualizmit dhe egoizmit të verbër, vecanërisht kundrejt gjeneratave të ardhshme.

Artikulli eshte marre nga fjala.al

Librin “Fati i perëndimit” të autorëve Jacque Attali dhe Pierre – Henry Salfati e gjeni tek Bukinist.al, tek LINKU:

fati-i-perendimit-athine-jerusalem

TË DHËNAT RRETH LIBRIT

Titulli: Fati i Perendimit: Athine, Jerusalem

Autorët: Jacque Attali dhe Pierre – Henry Salfati

Faqe: 256

ISBN: 9789928265241

Përkthyesi: Adrian Civici

Shtëpia Botuese: Minerva

Viti i botimit: 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *