Virusi korona – Holokausti, dhe leximi si terapi kuptimi

kerkim kuptimi
Ne foto: Libri “Ne kerkim te kuptimit” i Viktor E. Frankel

 

Reflektim pas leximit të librit Në kërkim të kuptimitViktor E. Frankl, përkthyer nga Blendi Lami, dhe hedhur në qarkullim nga Botimet Minerva

albert-gjoka-175x300Albert Gjoka

Gjatë këtyre javëve, teksa ndodhemi të izoluar brenda katër mureve të shtëpive tona, jemi të bombarduar parreshtur nga lajme dhe ndjesi negative: Çdo ditë numërojmë të infektuarit dhe viktimat e korona-virusit dhe përpiqemi që të bëjmë njëfarë bilanci nëse e sotmja ishte më e zezë apo më e mirë sesa e djeshmja: Edhe kur shifrat zbresin, ato rikthehen sërish, duke na zbehur shpresat se e nesërmja mund të jetë më optimiste. Pandemia bëhet më e zezë për shkak të info-demisë që jo vetë intoksikon mendjet tona.

Prandaj, secili prej nesh sot ka nevojë më shumë se kurrë për më shumë fakte të argumentuara, mendime të qarta prej specialistëve apo këshilla që të heqin sadopak blozën që po kapërthen të menduarin tonë. Në këto kohë duhet ta ushqejmë mendjen me një libër apo film të mirë, me një gjest të veçantë, me një sjellje motivuese; pra me një motiv që na nxjerr nga “zbrazëtia ekzistenciale” që na vorbullon situata në të cilën ndodhemi.

Në morinë e gjithë këtyre trazimeve e nisa leximin e librit “Në kërkim të kuptimit”, të psikiatrit austriak Viktor E. Frankl, përkthyer në shqip nga Blendi Lami dhe hedhur në qarkullim nga Botimet Minerva.

Por, para se të nis të them disa fjalë për këtë libër, dua të ndalem paksa tek gjendja pandemike në të cilën ndodhemi prej disa javësh ne dhe mbarë bota.

Izolimi në shtëpi

Pakkush e kishte menduar se do të ndodheshim në një situatë të tillë, ku do të strukeshim brenda në shtëpi nga frika se do të infektoheshim nga një virus-vrasës kaq i padukshëm. Jo se gjëra të tilla nuk kanë ndodhur në të kaluarën, por ne po ndihemi të pazotë për ta njohur dhe për tu përballur me këtë epidemi të këtyre përmasave. Ngujimi, i shoqëruar me numrin e personave të infektuar apo të viktimave që rriten dita-ditës shkaktoi fillimisht një tronditje, të shoqëruar me shumë të panjohura: Çfarë po ndodh? A është e rrezikuar jeta ime dhe e anëtarëve të familjes time? Po me punën time çfarë do të bëhet? A do të tërheq më paratë e mia nga banka? A do ta marr rrogën në fund të muajit? Po muajin tjetër?

Mendja ndodhet përballë shumë pyetjeve dhe çështjeve për të cilat e ka të vështirë që të marrësh përgjigje tani për tani: Me gjasë, as pas disa javësh apo muajsh!

Teksa del në rrugë gjatë orareve të leje-daljes, dhe sheh që njerëzve, – të përngjashmit e tu, – jo vetëm që nuk ju shtërngon dot duart, nuk i përqafon apo nuk i gostit me një kafe, – por ata të shohin si “zombi”, rrezik-vdekje, gjë që të trondit në kufijtë e përtej arsyes. Tragjikja shtohet kur sheh shtete që tërhiqen në hallet e tyre, teksa shtete të tjera të fuqishme si Italia, Spanja, Franca apo SHBA, nuk kanë më fuqi për të ndalur kosën e vdekjes që merr çdo ditë qindra e mijëra jetë njerëzish çdo ditë.

Tashmë, kemi kaluar disa javë në karantinë dhe kemi hyrë në një fazë të re topitjeje, ku shifrat e të vdekurve nuk na bëjnë edhe aq përshtypje: E pazakonta kthehet në normalitet, ndërsa mblidhemi gjithnjë e më shumë nën lëkurën tonë: Le të bëhet ç’të bëhet! Mjafton që të shpëtoj unë dhe të dashurit e mi!….

Çdo ditë e më tepër që kalon në këtë mjedis vetëm sa na brishtëson vullnetin për jetën, megjithë përpjekjet e “engjëjve” të bardha për të mbajtur në jetë personat e infektuar apo paketat e ndihmës së qeverisë dhe aktet e bamirësisë së organizatave dhe sipërmarrjeve private. Dita kur do ti kthehemi jetës normale na duket gjithnjë e më e largët, teksa brenda nesh rritet “boshllëku ekzistencial”. Këto gjëra mendova para se të filloja librin, për të cilin do të flas më poshtë.

quarantine

Kampet e përqendrimit

Në kërkim të kuptimit” i neurologut dhe psikiatrit autriak Viktor E. Frankl (1905-1997) konsiderohet si një ndër librat më me ndikim në jetët njerëzore gjatë shekullit të XX. Fuqia e tij ndikuese e kapërcen shifrën prej 12 milionë kopjesh të shitura deri më tani dhe dhjetëra e dhjetëra botimesh në gjuhë të ndryshme të botës. Autori, i cili ka përjetuar tragjikisht Holokaustin, sjell në këtë libër dy linja njëherësh: Historinë në kampet shfrarosëse naziste në njërën anë, dhe skicimin e logoterapisë, një terapi, e cila iu vjen në ndihmë pacientëve për të përftuar “kuptimin e jetës së tij dhe për t’i orientuar ata drejt këtij kuptimi”.

Pas teorive të Frojdit dhe Adlerit, teoria e Frankl shënoi shkollën e tretë vjeneze në fushën e psikoterapisë, ku sipas “logoterapisë përpjekja për të gjetur kuptimin në jetë është forca kryesore motivuese e njeriut”. Nëse emrat e mëdhenj të shkencës dhe psikologjisë, si edhe ato që përmendën më lart, i kanë bërë zbulimet dhe teoritë e tyre përmes studimeve apo kërkimeve klinike, Viktor Frankl e ka shpikur këtë disiplinë përmes përvojave dramatike që ai ka kaluar vetë në katër burgjet naziste. Ai ishte jo vetëm një i burgosur, apo dëshmitarë, por edhe një vëzhgues i jashtëzakonshëm i qenies në kushtet kur jeta kishte humbur të gjitha kuptimet. “Jeta në një kamp përqendrimi e zhveshi shpirtin njerëzor dhe ekspozoi thellësitë e tij”.

Pjesa e parë e librit sjell dëshminë rrënqethëse të të mbijetuarit të Holokausti, që nga “periudha pas mbërritjes (në kamp), periudha e ambientimit me rutinën e kampit dhe periudha pas lirimit”. Në këto tre momente, shfaqen tri simptoma (të ngjashme me ato që po na ndodhin edhe ne në këtë periudhë pandemie), të përjetuara dhe të dëshmuara edhe si psikiatër nga Viktor Frankl: “Simptoma që karakterizon fazën e parë është tronditja” (f.9), ku hap pas hapi duhet të ambjentohesh me këtë “llahtar të jashtëzakonshëm”.

Apatia, topitja e emocioneve dhe ndjenjave, për të cilat njeriu nuk shqetësohet më, ishte simptomë e zhvilluar gjatë fazës së dytë të reagimeve psikologjike të të burgosurit, një simptomë që e bënte të pandjeshme ndaj rrahjeve të përditshme (f.25). Apatia shfaqej si një mekanizëm vetëmbrojtës i nevojshëm për çdo të burgosur që kishte vullnet për të jetuar. Jeta dhe vdekja nuk kanë kufij në një vend ku nga momenti në moment pritet të shkosh në dhomat e gazit apo në krematoriun, ku mundësia për të dalë të gjallë nga ato burgje ishte më pak se 5% dhe ku gjëja më e vështirë ishte për t’i dhënë kuptim ekzistencës tënde në ato kushte.

Faza e tretë ka të bëjë me psikologjinë e të burgosurit pas çlirimit të tij: Këtu ndodh “deformimi moral” për shkak të çlirimit të papritur të tensionit mendor dhe dy përvojave të tjera: Hidhërimit dhe zhgënjimit pas kthimit në jetën e mëparshme” (f.99).

Fjalët nuk e përcjellin dramën e madhe të kësaj historie, të cilën autori e kapërcen për të sendërtuar teorinë e tij të logoterapisë, e cila shërbeu për më shumë se gjysmë shekulli si model për trajtimet e pacientëve me probleme me shëndetin mendor. “Jam dëshmitar i aftësisë së paparashikueshme të njeriut për të sfiduar dhe për të mposhtur edhe kushtet më të vështira që mund të imagjinohet”(f.138). Mbi përvojat dhe studimet e tij, Frankl nxori konceptin e optimizmit tragjik, ku shtrohet pyetja sesi mund ta ruajë jeta kuptimin e saj potencial, pavarësisht aspekteve të saj tragjike: Logoterapia synon që vështirësitë e pacientëve t’i shndërrojë në arritje, duke e gjetur kuptimin përmes vuajtjes. Historia e këtij libri dhe parashtrimi i teorisë së terapisë së kuptimit është një lexim me fuqi terapeutike edhe në kohën në të cilën po jetojmë, e cila mbetet e pazakontë për secilin prej nesh.

aushvic

Në kërkim të kuptimit

Sigurisht, jeta jonë brenda në shtëpi është ekstremisht larg me atë në kampet e përqendrimit: Nuk mungon drita, as buka, e as uji, nuk ka tortura, e shumë e shumë sakrilegje të tjera, por ajo që na përbashkon është se jeta rrezikon në çdo çast:  Një pakujdesi apo neglizhencë mund të marrë befas një jetë njeriu: Edhe ditët apo javët e një të moshuari apo sëmuri kronik kushtojnë shtrenjtë për ata dhe të dashurit e tyre, prandaj secili prej nesh duhet t’i japë kuptim jo vetëm jetës së vet, por edhe jetës së tjetrit në këto ditë. Izolimi është një vuajtje modeste që ka kuptim për të tashmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët: Kujdesi po ashtu.

Dhe teksa ndodhemi brenda në shtëpitë tona, sot duhet ti japim kuptim jetës tonë, duke filluar që nga gjërat më të thjeshta: Të ndajmë dashuri pa kushte me anëtarët e familjes tonë, të kujtojmë dhe urojmë miqtë në distancë përmes një mesazhi apo telefonate, të shprehim pareshtur mirënjohje për mjekët, infermierët, sanitarët, policët, ushtarët që janë rojtarët e shëndetit tonë, të mbjellim një lule, të bëjmë një pikturë, të luajmë një pjesë muzikore, të këndojmë një këngë, të ndajmë një meme motivuese apo varg të ndjerë në rrjetet sociale, të thurim një triko, të lexojmë një libër, t’i bëjmë pazarin fqinjit tonë në pamundësi, të ndajmë me të tjerët një copëz bukë nga sofra jonë siç e kemi bërë gjithmonë, etj. Dhe nëse këto nuk mjaftojnë, të vazhdojmë t’i bëjmë sërish edhe nesër, edhe pasnesër, edhe pas një jave, derisa të firohet kjo flamë e keqe. A nuk bënë kështu në kushtet e mbijetesës ekstreme edhe të dënuarit e Holokaustit. “Bota është e sëmurë, dhe do të përkeqësohet nëse secili prej nesh nuk do të japë më të mirën”(f.173). Specia jonë njerëzore ka mbijetuar që në zanafillë dhe deri më sot falë bashkëjetesës dhe bashkëpunimit; Ne jemi qenie sociale dhe këtë raport duhet ta ruajmë, qoftë edhe virtualisht.

Prandaj, ky është një nga ato libra që na bën një logoterapi teksa e lexojmë në çdo faqe të tij, ba bën të reflektojmë thellësisht dhe na ndryshon realitetin tonë për mirë; të keni më shumë vullnet për të jetuar për veten dhe të tjerët, t’i japim më shumë kuptim jetës në këto kohë të vështira, të jemi më të fortë moralisht kur ti rikthehemi normalitetit dhe së bashku të përgatisim një të ardhme të afërt më të mirë.

Librin “Në kërkim të kuptimit” e gjeni tek LINKU:

Për ta porositur, dërgoni email: info@bukinist.al ose telefononi: 044508282

ne-kerkim-te-kuptimit 

TË DHËNAT RRETH LIBRIT

Titulli: Në kërkim të kuptimit

Autori: Viktor E. Frankl

Përkthyesi: Blendi Lami

Shtëpia Botuese: Minerva     

Faqet:         174

ISBN 9789928265210

Viti i botimit: 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *