Murtaja, frika nga pafuqia e parashikimit të së nesërmes

virusi

virusi

Reflektim mbi romanin MurtajaAlbert Kamysë, përkthyer nga Bashkim Shehu dhe hedhur në qarkullim nga Botimet Fan Noli

agim-baciAgim Baçi

Disa herë e kisha rimarrë në dorë romanin “Murtaja”Kamysë. Shumëkush mund ta ketë lexuar disa kohë më parë, ashtu si dhe unë, si “roman i pamundur”, më shumë si një roman politik, që parashikonte si epidemi efektin e ideologjive dhe totalitarizmave, që do t’i rrokte njerëzit të cilët më pas do të gjendeshin në veprime krejt të pamenduara dhe të mbështetura në instinkt për shkak të frikës.

Kamy kishte bindjen se frika më e madhe e një të papriture është sëmundja psikologjike, që fsheh shenjat e përshtatjes së madhe dhe të pakapërcyeshme, duke i bërë njerëzit të heqin dorë lehtësisht nga Liria. Shumë vite më vonë, këtë shqetësim të Kamysë e trajtoi si filozofi dekani i Shkencave të Pasigurisë në Universitetin e Massachusetts, Nassim Taleb, në librin e tij “Mjellma e zezë- Ndikimi i më të pamundurës”. Sipas Talebit, epidemitë apo edhe të gjitha ngjarjet e papritura kanë të përbashkët parashikueshmërinë e ulët dhe njëkohësisht ndikimin e madh të tyre.

Madje, Taleb shprehej se pafuqia e shoqërive për të parashikuar ndodhitë e rralla është njëkohësisht edhe pafuqi për të parashikuar kursin e historisë.

Në fakt, ashtu si Kamy te “Murtaja”, edhe Taleb, nënkuptojnë një të përbashkët: Njeriu ka frikë se nuk do jetë më në gjendje të mendojë si më parë, të programojë si më parë. Shumë punë që sot duket sikur bëhen nga shtëpitë, nga interneti, kanë nxjerrë në pah një marrëdhënie tjetër shoqërore.

Ndërkohë që marrëdhëniet familjare, apo ideja për tjetrin, është tashmë në një proces të ri të menduarit, pasi kemi të bëjmë me një realitet pothuajse katrahurë, ku është rrëzuar shumica e planeve të përditshme.

Padyshim, që kushdo që nuk e mendon se shumë gjëra do të ndryshojnë pasi të përfundojë kjo betejë, duket se ende nuk është zgjuar nga ideja se njeriu i parashikon thuajse shumicën e gjërave.

Dhe, ashtu siç kanë sjellë ndryshime shumë ngjarje të paparashikuara në jetën njerëzore, ashtu edhe kjo sfidë e të qëndruarit larg të tjerëve, me togfjalëshin aspak miqësor “distancim social” do të sjellë jo pak reagime. Çështja është edhe më delikate kur gjendemi përballë pyetjeve të tilla si: A jemi ne të rriturit aq të zotë sa t’u shpjegojmë fëmijëve se e papritura ka edhe shumë gjëra të mira për të na mësuar?

Televizionet dhe rrjetet sociale janë mbushur vetëm me diskutime rreth sëmundjes dhe mbizotërojnë rregullat që në përgjithësi zbatohen pa u debatuar, pa u diskutuar, për shkak se frika nga vdekja i ka rrëzuar arsyet e tjera. Madje, teksa lexon një pasazh nga “Murtaja”, për një personazh që është shëruar nga sëmundja dhe sheh pjesën tjetër të banorëve që kanë frikë se mos preken,  të duket se je thuajse në çdo cep të hartës së globit sot.

Dhe, në fakt, ai e di vërtet mirë se ç’thotë – shkruante Tarui. – Ai di t’i gjykojë saktë kontradiktat e banorëve të Oranit, të cilët, nga njëra anë, e ndjejnë thellë nevojën për ngrohtësi që i afron me njëri-tjetrin, nga ana tjetër, i druhen pak ngrohtësisë, nxitur disi nga alergjia që kanë tradicionalisht ndaj kontakteve. Është e qartë sot se sa pak mund t’i zësh besë fqinjit, ai të ngjit murtajën pikërisht kur ti je i pavëmendshëm; pastaj mbaje me shëndet. Nëse të ka ndodhur ndonjëherë të jesh i gjendur në pozitat e Kotarit, i cili doli nëpër qytet për të gjetur shokë, mirëpo nga frika ndaj policisë i bëhej sikur të gjithë ishin të gatshëm ta denonconin, atëherë e kupton se çfarë ndjejnë bashkëqytetarët tanë.

Duhet të jemi të ndjeshëm ndaj emocioneve të disave që jetojnë me idenë se, në mos një ditë një ditë, murtaja do t’i hedhë dorën në sup, madje do të jetë e gatshme të kryejë këtë përqafim pikërisht atëherë kur ata janë të gëzuar se ndjehen fare mirë me shëndet. Kotari, duket, se nuk e çan kokën fare për këtë lloj fatkeqësie. Meqë diçka të ngjashme me këtë ai e ka shijuar përpara të tjerëve, kam idenë se ai nuk mund të ndihej njëlloj si këta barbarinë me të cilin të trondit kjo gjendje e rëndë pasigurie. Pra, duke përfunduar, sikurse të gjithë ne që ende nuk kemi vdekur nga murtaja, ai ndien se çdo ditë e re mund të jetë dita e kobshme për lirinë dhe jetën e tij.

pandemia

Por, meqë jeta e tij ka qenë një kob më vete, ai e sheh si normale që rradhën ta kenë të tjerët të provojnë se çfarë është kobi. Le të jemi të saktë, tani që ka nisur t’ju djegë të gjithëve, atij i duket sikur e ndjen më pak djegien. Këtë e ka gabim, madje ndoshta prandaj edhe është më pak i kuptueshëm se të tjerët. Por, tekefundit, ndoshta prandaj edhe e meriton më shumë se të tjerët që të përpiqemi ta kuptojmë. (“Murtaja”, Alber Kamy)

Ndërkohë, shumëkush është pothuajse krejtësisht i zënë me atë që po i tregohet nëpër televizione dhe rrjete sociale se çfarë po bëhet nga autoritetet për të shpëtuar qytetarët, ndërsa nuk thuhet ajo që duhet t’i përkasë gjithkujt; se çfarë nuk po bëhet. Dëshira për të jetuar, për të dalë sa më shpejt nga ky vetëveçim dhe  frika e parashikimit për nesër që ka mbetur pezull, e ka kthyer këtë situatë në pjesë të ankthit. Shumë prej atyre që i është rrëzuar përditshmëria, jeta me plan, sot kanë frikë se ajo që po ndodh do t’i presë gjunjët për të besuar se mund t’ia rinisin aty ku e lanë. Dhe në këtë frikë, pakkush përveç vetvetes dhe besimit mund t’i ndihmojë.

Kamy dhe Taleb, njëri romancier e tjetri filozof, kanë parashikuar thuajse me të njëjtin shqetësim, – njëri përmes aftësisë për të përshkruar dhe tjetri për të analizuar, atë çka sot ne, në mënyrë të paparashikuar, po e shohim para syve. Leximi i “Murtajës” sot, për këdo që e ka lexuar një herë apo ka dëgjuar për të, do ta kalonte çështjen nga një përjetim i personazheve për tmerrin e murtajës në frikën psikologjike për të nesërmen.  Por njëkohësisht, është fati të lexojmë atë shprehjen e urtë spanjolle që thotë se: “Nëse do të bësh Zotin të qeshë, tregoi planet e tua”.

Shkrimi është botuar tek Panorama

Librin Murtaja e gjeni tek linku:

Telefono tek: 044508282, ose dërgo mail: info@bukinist.al

murtaja

TË DHËNAT E LIBRIT

Titulli: Murtaja

Autori: Albert Kamy

Përkthyesi: Bashkim Shehu

Botuesi: Fan Noli

Fletët 304

ISBN 9789928251893

Viti i botimit: 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *