Mesimi qe duhet te marrim edhe nga kjo murtaje

murtaja

murtaja

Lexim rreth romanit “Murtaja” të Albert Kamysë, përkthyer në shqip nga Bashkim Shehu dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Fan Noli”

Marsela Aliaj*

Murtaja” është vepër që flet për murtajën që e përlau Oranin, qytet bregdetar i Algjerisë, i banuar nga algjerianë dhe francezë. Vepra shtron një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me natyrën e fatit dhe me situatën njerëzore. Të gjitha personazhet, që nga mjekët dhe turistët, e deri te ikanakët, mundësojnë për ta kuptuar ndikimin e murtajës ndaj popullsisë. Historia e këtij libri lidhet edhe me situatën aktuale që ka pushtuar dhe gjunjëzuar të gjithë botën.

Libri i Kamysë nuk na ndihmon në luftën praktike kundër coronavirusit. Leximi i tij na ndihmon në një rrafsh tjetër: Në të kuptuarit e dimensionit tragjik të ekzistencës njerëzore, dimension që ka të bëjë me brishtësinë e kësaj ekzistence përballë të keqes radikale që na godet papritur, por edhe në të kuptuarit e domosdoshmërisë së rezistencës kundër saj.

Kamy mendon se njeriu duhet të revoltohet kundër të keqës, sepse revolta është në natyrën e tij; Kjo ide shfaqet në pothuajse të gjitha veprat e Kamysë, gjë që i ka shtyrë shumë studiues të konstatojnë se ai është një mendimtar pesimist që nuk lë shteg për shpresën njerëzore.

Në fakt, Kamy mendon diçka tjetër dhe pikërisht evidentimin e iluzioneve mbi të cilat mbështeten premtimet e mëdha për çlirimin final të jetës njerëzore nga e keqja, por ky evidentim nuk duhet kuptuar si dorëzim final para saj.

Vetë Kamy shkruan: “Ne nuk pranojmë të dëshpërojmë njerëzimin. Pa pasur ambicie të paarsyeshme për të shpëtuar njerëzit, ne ende dëshirojmë t’u shërbejmë atyre! ”

Heroi i “Murtajës”, doktori Bernard Rië, është mishërim i kësaj devize filozofike të Kamysë. Ai, pa u trembur fare, lufton me epideminë në rrugët dhe shtëpitë e qytetit të zhytur në murtajë e të izoluar nga bota, edhe pse e di se qëndresa e tij mund të jetë krejtësisht e kotë. Ai lufton i nxitur jo nga ndonjë thirrje mesianike tokësore apo qiellore, sepse ai është një hero i zhveshur nga tiparet mesianike të cilat iluminizmi ia vishte profesionit të tij, por vetëm dhe vetëm i nxitur nga njerëzorja e tij, e mishëruar në detyrën e tij prej mjeku, e të cilën ai vetë e përcakton si ndershmëri.

Kjo ndershmëri ka konotacion kantian: Dinjiteti ynë kërkon që të luftojmë edhe për dinjitetin e të tjerëve!  Është pikërisht ndershmëria e tij jo-mesianike e cila arrin t’i bindë edhe të tjerët që të bashkohen në betejën e tij kundër të keqës, madje edhe predikuesit fetarë që një ditë e kuptojnë se lutjet e tyre kundër epidemisë nuk kanë asnjë vlerë dhe se interpretimi i epidemisë si ndëshkim nga Zoti, humbet çdo kuptim përballë vuajtjeve të foshnjave që vdesin mizorisht nga murtaja.

Dhe, njëri prej tyre, një ditë, i thotë doktor Rië-s:  “Është i kuptueshëm dënimi i një Don Zhuani, i cili, për shkak të shthurjes së tij morale, meritonte të fundosej në ferr, por vuajtja e fëmijës nuk mund të kuptohet”. Kjo do të thotë se ne e kemi moralisht të pamundur që vuajtjet e qenieve të pafajshme, siç janë foshnjat, t’i kontekstualizojmë dhe t’i përligjim në një skemë të shlyerjes së mëkateve. Tek “Murtaja”, Kamy-ja na rikujton argumentin e njohur mbi papajtueshmërinë midis ekzistencës të së keqes dhe gjithëfuqishmërisë e gjithëmirësisë së Zotit: Ose njëra, ose tjetra! Të dyja nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht.

Pasi ka shkaktuar mijëra viktima, një ditë murtaja jep shenja të tërheqjes; numri i të vdekurve bie papritmas, derisa në fund epidemia zhduket krejtësisht. Ajo largohet, ashtu sikurse erdhi; në mënyrë të papritur. Qytetin e pushton hareja e çlirimit prej saj, njerëzit vërshojnë rrugët dhe sheshet për të festuar shpëtimin nga murtaja, ndërsa doktori Rië, i humbur në mesin e turmave të ngazëllyera, dhe i lirë nga ndjenjat triumfaliste, kujton iluzionin njerëzor për fitorën përfundimtare mbi të keqën:

“Tek sa dëgjonte britmat e haresë që vinin nga qyteti, Rië kujtohej se kjo hare ishte gjithnjë e rrezikuar. Sepse ai dinte atë çka kjo turmë gazmore nuk e dinte dhe që mund ta lexosh nëpër libra, se bacili i murtajës nuk vdes as zhduket ndonjëherë, se mund të rrijë me dhjetëra vite i fjetur nëpër orendi e në tesha, se pret me durim nëpër dhoma, qilarë, valixhe, shami e shkresurina dhe se, ndoshta, do të vijë dita kur, për fatin e keq të njerëzve dhe që t’u bëhet mësim, murtaja do t’i zgjojë minjtë e saj dhe do t’i dërgojë për të ngordhur në ndonjë qytet të lumtur”.

Coronavirusi do të tërhiqet një ditë. Të vdekurit e tij do të harrohen, derisa njerëzit vrapojnë në kërkim të lumturive të tyre, por bacili i tij, i luftuar nga qindra e mijëra mjekë, si Rië-ja i Kamysë, i luftuar, por jo i zhdukur, do të vazhdojë të qëndroj i fshehur diku në kthinat tona, për të goditur përsëri papritur, në një kohë dhe në një vend tjetër dhe, me siguri, nën një emër tjetër. Mesazhi i përfundimit të novelës së Kamysë është i qartë: Është krejtësisht iluzore të pritet një triumf final i të mirës mbi të keqën në botë, ashtu siç na premtonin dikur profetët biblikë dhe intelektualët progresistë të Iluminizmit. Duke qenë të lirë nga ky iluzion, mbase, mund të jemi më të përgatitur në përballjen e radhës me murtajën, qoftë ajo biologjike, qoftë ideologjike.

mini-konkurs

*Autorja e këtij shkrimi me këtë përshtypje fitoi mini-konkursin e zhvilluar nga Bukinist.al, organizuar më datë 23 prill 2020, me rastin e Ditës Botërore të Librit

Librin Murtaja e gjeni tek Bukinist.al, tek LINKU

murtaja (1)

Telefono tek: 044508282, ose dërgo e-mail tek: info@bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *