Vlerat që duhet t’i japim jetës

ruaje
Foto ilustruese

Përshtypje për poezinë Çast lumturie të autorit Mitrush Kuteli, e shpallur si eseja më e mirë në konkursin e zhvilluar nga Bukinist në kuadrin e aktiviteve mujore për këtë shkrimtar të shquar shqiptar

Daniela HAJDARAJ*

Jeta… Të gjithë vimë në këtë botë kalimtarë; lindim për të përmbushur fatin tonë, ciklin e plotë të natyrës që nga lindja, përjetimi i emocioneve më të bukura si miqësia, dashuria dhe, në fund, vdekja e cila si një hije na ndjek që në momentin e parë të përballjes me realitetin.

Në ketë poezi tregohet mbi një krahasim midis jetës dhe vdekjes, në mënyren e dhimbshme te ndarjes, në marrëdhënien prind-fëmijë. Gjithmonë pjesa e ndarjes nga jeta dhe lënia pas e të dashurve të zemrës është nga më të vështirat, sidomos ajo e një fëmije nga prindi.

Në këtë poezi babai lë amanetet, këshillat, ndjenjat e pashprehura dhe pengjet që mund të qetësojnë shpirtin dhe mendjen e trazuar për të finalizuar udhëtimin e tij jetësor. I ati i tregon mbi rrugëtimin e tij të gjatë të jetës si dhe të peripecive dhe sfidave që çdo njeri përballet.

Jeta nuk tregohet gjithmonë bujare; ajo nuk është fushë me lule, ndonjëherë është kurrnace, dorështrënguar mund të të mos ofrojë fryte të punës se palodhshme dhe të pandërprerë ekzistenciale të njeriut, dhe në anën tjetër të pershores, për ironi të fatit mund të jetë aq dorëlëshuar sa të shkaktojë mijëra fortuna, breshëri të këqijash, mund të të presë krahët dhe të mos lejojë të lëvizësh, të marrësh frymë, deri sa mbyll sytë dhe errësira të përhapet kudo, si një grumbull insektesh.

Çdo prind nuk do të donte që fëmija e tij të hiqte dorë, të ndalonte së buzëqeshuri dhe të ndalonte së marri frymë pas vdekjes së tij; përkundrazi, ata do të donin që fëmijët e tyre të ecnin përpara, të vazhdonin të luftonin për të mbijetuar. Ata do të donin që bijtë e tyre të vazhdonin të notonin në ujrat e jetës dhe të mos dorëzoheshin edhe nëse dallgët e forta do t’i përplasnin me forcë dhe t’i zhysin thellë e më thellë.

Asnjë nuk mund të ndalojë rrjedhën e natyrës, të ngjarjeve dhe fatit të përcaktuar, i cili nuk mund të ndryshohet por vetëm të devijohet sado pak, për të përmirësuar mënyrën e jetesës. Çdo njeri është krijuar për një qëllim të veçantë; bën zgjdhjet e tij që mund ta çojnë në lavdi ose shkatërrim, por në fund të fundit, të gjithë do të largohen në drejtim të jetës së përhershme. Ne nuk mund të fajësojmë askënd, në qoftë se dikush ndahet nga jeta sepse ajo që është e shkruar nuk mund te fshihet, jeta është e shkruar me një bojë të cilën asnjë nuk mund ta fshijë apo ta ndyshojë.

Kjo poezi më jep përshtypjen e një tërësie këshillash të përmbledhura që tregojnë një jetë. Po një jetë e cila nuk është në fundin e saj, por përkundrazi është duke rilindur, një shpirt i cili do të jetojë brenda të birit dhe do ta udhëzojë në udhëkryqet e duhura dhe si një trashëgimi do të jap akoma më shumë rëndesi vetë jetës.

Edhe pse ajo çfarë eshtë më e rëndesishme në jetë është te marrësh më të mirat e saj, të jetosh çdo sekondë si të jetë e fundit ka edhe pjesë te tjera përbërëse që ndikojnë në mënyrë direkte dhe indirekte në cilësinë e saj.

Thonë se këshillat e prindërve janë me të vërtetat; dhe fjalët e tyre dalin gjithmonë; Në jetë duhet të jesh i pushtetshëm, po duhet të fitosh, por jo deri në atë pikë sa të shesësh dhe vetë jetën tënde; duhet të jesh ambicioz, por jo që të mund të mendosh se jeta jote ka më shumë vlerë se jeta e dikujt tjetër dhe ta ngresh atë si një trofe.

Të jetosh nuk është dëshirë por privilegj. Autori tha “qofsh i lumtur” të jetosh duhet të të bëjë të lumtur sepse vetë jeta është një arsye lumturie që duhet ti japësh vlerat më të larta sepse mund ta humbasësh pa e vënë re.

*Autorja është nxënëse e klasës së X në gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë

Kjo ese u shpall fituese në konkursin e organizuar nga Bukinist në kuadrin e aktiviteteve për muajin e Mitrush Kutelit.

kutelissssss

Të gjithë veprën e Mitrush Kutelit e gjeni tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *